Rom-egjiptianët, “pronarë të pacënueshëm” të industrisë së mbetjeve të riciklueshme

9 Minuta Lexim

Nga Albert ZHOLI –

Seldi B. është njeri  ndër mijëra grumbulluesit  rom-egjiptianë të popullsisë  shqiptare, që e shtyn jetën e përditëshme me mbledhjen e materialeve të riciklueshme. Për ti siguruar ato i duhet të vizitojë kryesisht kazanët e hedhjes së mbeturinave të një zone të caktuar, pasi përkundër asaj që duket në sipërfaqe si “mall pa zot” edhe grumbujt e këtij malli të gjendur brenda kazanëve e koshave, si mbetje urbane, ka “zot”.

Në fakt “zotër” pasi malli i “pavlefshëm” për shumicën prej nesh, konsumatorëve, është pronë dhe funksionon sipas një marrëveshjeje “xhentëlmenësh” midis 12.200 grumbulluesve, nga të cilët 84 % i përkasin komuniteteve romë-egjiptin. Në kuptimin e ndarjes së kësaj pronësie në 12,520 pjesë të përcaktuara për të mos i hyrë në hise shoku-shokut.

Seldit i ka renë për pjesë të ketë në pronësi 83 kazanë nga të cilët mbush çdo ditë thasët me material të riciklueshme, kryesisht  plastike, letër-karton, por dhe kanoçe alumini e pajisje elektrike e elektronike. Sikurse më thotë specialitet të vetin ka plastikën e letër-kartonin kurse kanoçet, elektrik-elektronikën etj. materiale të riciklueshme jashtë specifikës që mbulon i grumbullon për hesap të homologëve të tjerë, që gjuajnë në ish zonat industrial, duke i këmbyer me “klering”.

Ky bashkëveprim është një tjetër e fshehtë e funksionimit të kësaj industrie që, sipas një raporti të INSTAT, viti 2019, gjenerohen rreth 1,086,692 kg mbetje në vit,  mesatarisht 381 kg mbetje të përziera për çdo njëri. Sipas po të njejtit burim, në Shqipëri riciklohen rreth 18.5% e këtyre mbetjeve të gjeneruara dhe potenciali për investim në sektorin e riciklimit në Shqiperi kap shifrën prej rreth 234.2 milionë Euro. Shifër kjo që mban me bukë 0.6% të popullsisë së vendit apo 1% e popullsisë rom-egjiptiane që jeton në qytete.

Statistikat zyrtare komunikojnë se pjesa më e madhe, rreth 90% e kontigjentit të përfshirë në këtë industry, grumbullojnë plastikë të ndryshme, rreth 71.1% grumbullojnë bakër, 63.3% grumbullojnë kanaçe të përdorura, 36.7% grumbullojnë alumin, 28.9% grumbullojnë hekur, 21.1% qelq për ripërdorim, 15.6% dru dhe 5.6% grumbullon letër. Ata e shesin materialin e riciklueshme kryesisht në pikat e grumbullimit gjë e cila ndikon në ofrimin e një çmim më të ulët që do të thotë sa më pak të ardhura.

“ Unë mbledh plastik e kartona. Mbledh dhe kanoçe, hekra, kablla elektrik… I gjej nëpër kazanët e plenave. Kam kët “Don Boskon” këtu. Atë atje e ka një tjetër. I kena të ndame vendet. Në mbasdite unë i jap shokve të mi hekrat, kanoçet, kabllat dhe ata më japin plastiket dhe kartonat. Kam dhe kët rrugën e burgut këtej. Punoj me vllan tim të vogël. Fitojmë, bereqaversën, ushqehna. Jena 8 në familje nana dhe baba 10. Baba puno roje nate, nana fshi rrugët. Motra e tretë nuk puno se mba shtëpinë, na bo bukën. Gjithë të tjerët mbledhin kshu si ne “riciklime”, si i thoni ju gazetarët”,- më shpjegon Seldi B., 18 vjeçari rom që “peshkon” në një zonë të gjendur në Rajonin nr.9 të kryeqytetit, midis pallateve të  krahut të djathtë të rrugës “Don Bosko”, përgjatë kryqëzimit të kësaj me rrugët “Muzakët “ dhe “Tre vllezërit”.

Seldi B., shpjegon se ai me të vëllain 16 vjeçar (por jo vetëm), punojnë pandërprerje përgjatë gjithë javës, kurse të dielën e bëjnë pushim për “me u shlodh”, sikurse artikulon. Gjithsesi  thasët e vendosur ndër kazanët e hedhurinave nuk bëjnë pushim. Ata i hapin ato pranë kazanëve, duke i ngjarë në këtë pikë peshkatarëve që pasi hapin mbrëmjeve rrrjetat largohen për tu rtikthyer mëngjesin e të nesërmes për ti mbledhur së bashku me peshkun e renë ndër to. Në fund të ditës të dy vëllezërit fitojnë mesatarisht 1000 -2000 lekë, kurse ka muaj që ky fitim shkon dhe përtej 40 mijë lekëve.

Të mësuar tashmë me këto thasë edhe kur të zotët e tyre mungojnë qytetarët nuk harrojnë ti hedhin mbetjet e riciklueshme ndër ta, duke kontribuar në “pasurimin” e pronarëve rom-egjiptian të këtyre thasëve që, referuar statistikave të ofruara nga OJF-të,  rezulton të jenë rreth 61%  femra, 49% e të cilëve i përkasin grupmoshës 36-59 vjeç. Por nuk mungojnë as fëmijët…

Ilir L. me detyrë inspektor bashkiak mbikqyrës i kësaj veprimtarie pohon në konfidencialitet se puna që ushtrojnë rom-egjiptianët vlerësohet e rëndomtë. Për fat të keq në të angazhohen edhe fëmijët, nga që grumbullimi i mbetjeve është veprimtaria kryesore me të cilën ata sigurojnë të ardhura për familjet. Inspektori nuk e mohon që një pjesë e grumbulluesve  rome-egjiptiane,  përfitojne edhe nga ndihma  sociale shuma të papërfillëshme, pothuajse qesharake. Këtë e tregon niveli i ulët i jetesës që ata bëjnë.

Në sinkron me inspektorin Ilir.L. është edhe kolegu i tij Vladi G., që plotëson se gati 87% e 10.500 grumbulluesve  rom-egjiptianë,  që e ushtrojnë këtë veprimtari, punojnë më shumë se 8-të orë ditë në kushte tejet të vështira. Duke futur duart nëpër kazanet e hedhurinave pa patur mjete mbrojtëse, shpesh pa doreza, çizme,maska , uniforma , si dhe pa vegla e mjete që do t’i ndihmonin në punën e tyre të përditëshme etj.

“Është e dhimbëshme kur i sheh. Punojnë si në primitivitet. Pa orar, në kushte mizerabile, pa maska, pa doreza, pa uniforma pune. Kanë ca mjete transporti: karroca dore e biçikleta shkatarraqe. I ke parë lagjet ku jetojnë? Mjerim i gjallë. Përgjithësisht baraka të rrethume me thasë të mbushur me gjithfarë soj mbeturinash të riciklueshme”.

Inspektorët, që për të shmangur ndonjë masë ndëshkimore, luten për të mos i identifikuar, sqarojnë se veprimtaria që ushtrojnë grumbulluesit është, “punë e zezë”, një lloj grabitjeje, pasi në momentin që hidhen në kazane mbetjet vlerësohen si pronë e Bashkisë. Gjë që don të thotë se veprimtaria e përditëshme e 84% të 12.500 grumbulluesve rom dhe egjiptian  është antiligjore. Rrjedhimisht është e tillë edhe puna e përditëshme e 18 vjeçarit rom Seldi B. dhe e vëllait të tij 16 vjeçar, të cilët çdo ditë, me përjashtim të së dielës, vijonë të jenë present në “rezervatin” e tyre të mbetjeve urabane të riciklueshme, që ndodhet në krahur e djathtë të rrugës “Don Bosko”, në kryqëzimin e saj me dy rrugët e tjera.

E pyes Seldi B-në nëse ka dijeni për këtë, por ai më sheh moskuptues dhe nuk merr mundimin të më përgjigjet. Ashtu dhe i vëllai 16 vjeçar. Aty kujtohem se gjatë bisedës, ndërsa e pyeta lidhur me shkallën e arsimit të pjesëtarëve të familjes së tyre, Seldi B. më shpjegoi se përjashto motrën e tretë që kishte arritur gjer në klasën e nëntë gjithë të tjerat ishin pothuajse analfabet. Po ti mblidhje vitet e shkollës që kishte ai dhe vëllai që i qëndronte përkrah, bëheshin 4 klasë. Një tregues i parendësishëm ky për tu punësuar qoftë dhe në “punë të bardhë” ligjore në industrinë grumbulluese të mbetjeve të riciklueshme, që mbetet fushë e hapur për punësimin edhe të mijëra kontigjenteve të tjera.

Në punë “të bardhë” me rregulla, sigurisht  dhe duke zbatuar me skrupulozitet  “ Planin  Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020–2035 , që, sikurse deklarohet nga instanca zyrtare e kryeministrisë:  “Përfaqëson një përpjekje të Qeverisë Shqiptare për të përmirësuar rolin e romëve-egjiptianëve në sferën social-ekonomike”.

Një plan që, nga sa duket, deri më sot, pak ose aspak nuk është vlerësuar seriozisht nga njësitë e  qeverisjes vendore.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull