Afera me tenderin e dezinfektimit/ ISHP injoron urdhërin për shkarkimin e grupit “lemeria”

5 Minuta Lexim

Albana Ahmeti , zv/drejtoresha shekullore  e sektorik ekonomi-financë të ISHP, ja ka dalë ti shpëtojë edhe këtë herë shkarkimit nga detyra, duke vërtetuar se përsa të ketë nga pas Ministren e Shëndetësisë nuk ka bir nëne që e shqit nga funksioni… 

Më dt. 02 maj 2019, ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, njoftoi zyrtarisht nga kryeministria dhe nga ekrani i ERTV, se Struktura Antikorrupsion e kësaj ministrie, kishte zbuluar një aferë korruptive me tenderët e dezinfektimit, bërë nga shefat e Institutit të Shëndetit Publik.

Ajo i rekomandoi Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, shkarkimin e zv/drejtoreshës së ISHP, Albana Ahmeti dhe dy vartësve të saj shefa sektorësh, me prova për falsifikime, fond limit fiktiv dhe  favorizim të firmës “NRG sh.p.k”, në tenderët e dezinfektimit të zonës bregdetare e mjediseve urbane në qarqet Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier e Vlorë.

Mirëpo, ministresha Manastirliu, në vend t’i kallëzonte në SPAK, për afro 1 milionë Euro vjedhje vetëm në këtë tender, shpërfilli rekomandimin dhe provat e dosjes hetimore, të korrupsionit të ISHP e firmës “NRG Sh.p.k”.

Edhe sot, treshja e këtyre aferave është në detyrë, madje vazhdojnë drejtimin e sektorit të tenderëve e Komisionit të Ofertave, me pazare, letra false e fonde të larta, duke shpallur fituese vetëm firmën “NRG Sh.p.k”, me ortakë italianin Marco Genicco dhe shqiptaren Flutura Nuredini.

Sipas raportit hetimor të Strukturës Qeveritare Anti-korrupsion, Komisioni i tenderit i përbërë nga Albana Ahmeti, Zv/drejtoreshë Ekonomike e ISHP dhe Enkelejda Dikolli, shefe sektori, kanë bërë shkelje flagrante me pasoja  të rënda financiare për buxhetin e Shtetit.

Po kështu, për shkak të ryshfetit e vjedhjes prej firmës, këto kanë lejuar mos-zbatimin e kontratave të dezinfektimit të zonave bregdetare e mjediseve urbane, ndërsa në letra e kanë mashtruar, duke e pasqyruar si shërbim i kryer 100% e me standarde higjienike.

Abuzimet financiare dhe shkeljen e procedurave ligjore të tenderit, i ka konstatuar dhe grupi i KLSH, i cili përveç anullimit të tenderit, ka kërkuar edhe largimin nga ISHP të krejt komisionit me drejtuese Albana Ahmeti, zv/drejtoreshë, Enkelejda Dikolli shefe sektori në ISHP etj.

Skandali thellohet deri në dyshime të plota, se nga tenderët e dezinfektimit është “spërkatur” dhe ministresha Ogerta Manastirliu, e cila hesht dhe nuk reagon për denoncimet me prova të shumta, që i kanë shkuar për këtë bandë hajdutësh në ISHP.

Bindjen për molepsjen e ministreshës në pazare me Banën dhe Ledën e ISHP, ta krijon dhe fakti, se jo vetëm nuk i shkarkoi nga detyra këto dy xhambaze tenderësh, por vazhdon i lejon që gjithë tenderët e dezinfektimit të bregdetit e zonave urbane të Shqipërisë, t’i jepen vetëm firmës “NRG Sh.p.k” me letra false e 99% të fondit limit.

Ndryshe nuk ka asnjë shpjegim tjetër, që Manastirliu vazhdon i mbron dhe nuk lejon Auditin e Brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, të kontrollojë abuzimet e financuara me tenderët, por nuk lejon as Inspektoriatin Shëndetësor, të verifikojë kryerjen e dezinfektimit nga firma “NRG”.

Kujtojmë, se dhe në muajin shkurt 2022, Koordinatorja e Njësisë Antikorrupsion e Ministrisë  së Drejtësisë, Eliarda Hita, ka raportuar abuzime të rënda me tenderët dhe lidhjet në konflikt interesi në ISHP, mbasi 3 shefa të ISHP janë të punësuar te firma private “NRG sh.p.k” që i kanë dhënë tenderin e dizinfektimit për vitet 2019-2021, por është gati dhe tenderi 2022-2023.

Mbase shefat e SPAK, do gjejnë pak kohë para apo pas kafes së drekës, për të nisur hetimin e tenderëve miliona Euro e fiktiv, që vazhdojnë bëhen në Institutin e Shëndetit Publik./ Pamfleti/

Shënim: Institucionet kompetente do nuk do ti besonin syve nga ato që do zbulonin nëse do ti hynin hetimit të imtësishëm,ndër vitet shkuara, të veprimtarisë ekonomike-financiare të ISHP të drejtuar nga zv. drejtorja Albana Ahmeti. E kanë të thjesht, qoftë edhe duke shfletuar raportet periodike të KLSH-së.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull