Nga Roland SHUPERKA * –
Jo vetëm shqiptarët, por edhe organizatat ndërkombëtare janë mësuar tani me gënjeshtrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit të Shëndetit Publik. Po ashtu edhe donatorët që paguajnë miliona euro për studime dhe pastaj detyrohen të pranojnë raporte fiktive.
Për COVID-in, Ministria e nxirrte Shqipërinë më mirë se Italia dhe Gjermania, kurse për trajtimin e kancerit më mirë se Belgjika dhe Australia. Kurse për përdorimin e kokainës, na nxorën të dytët në botë.
Të gjitha këto shifra kanë prapa jo thjesht paaftësinë, por edhe interesa të klaneve të caktuara, ato klane që vjedhin dhe rrjepin projekte.
Në prag të Ditës Botërore pa Duhan, unë do të sqaroj sa gënjehet për duhan pirjen në Shqipëri dhe përse.
1. Sipas dy studimeve të kryera në moshën 13 deri 15 vjeç (klasa 7, 8, 9) të raportuara edhe në OBSH, duhanpirja në të rinj është rritur nga 5.8% në vitin 2015 në 8.6% në vitin 2020. Përdorimi i cigareve elektronike është rritur po ashtu nga 5.8% në 9.3%.
2. Studimet mbi moshën 15 vjeç e japin ndërkohë duhanpirjen në nivel 22.4% ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian kjo shifër është 25.3%, pra ndjeshëm më e lartë.
3. Midis qarqeve të Shqipërisë rezultojnë diferenca të pashpjegueshme: 23% në Korçë, 26% në Kukës, 42% ne Tiranë, 45% në Vlorë, 29% në Durrës, 29 % në Lezhë, 41% në Fier, 42% në Berat, Gjirokastër 36%, Elbasan 32% dhe Dibër 31%. Kakofoni totale shifrash.
Të dhënat e mësipërme kuptohet se janë të pabesueshme. Por a është kjo rezultat i paaftësisë apo mashtrimit të qëllimshëm?
Dyshoj se është kjo e dyta. Përse?
1. Midis të rinjve ka interes të paraqitet situata më keq sesa është në të vërtetë sepse në këtë grupmoshë është e lehtë të marrësh projekte të majme.
2. Midis popullatës adulte ka interes të paraqitet situata më mirë sesa është në të vërtetë sepse mbulohet kontrabanda e cigareve dhe tregtia e paligjshme e duhanit, apo fshihen taksat dhe akcizat.
3. Ndërsa dallimet e pakuptimta midis qarqeve dhe diferencat deri në dy herë midis prevalencës flasin edhe për paaftësi në mashtrim.
Dita Botërore pa Duhan, 31 maji, erdhi sërish dhe sërish shqiptarët do të dëgjojnë t’u flasin mashtruesit dhe manipuluesit e shifrave.
Qytetarët nga ana tjetër do të vazhdojnë të mbeten të painformuar dhe të pambrojtur përballë shkaktarit numër një të vdekjeve të parandalueshme.
Mjekësia është Reduktim dëmi, shërohen vetëm infeksione te gjitha sëmundjet e tjera trajtohen. Edhe sa do të vazhdojë kjo situatë?
* Autori i shkrimit është specialist i shendetit publik, ekspert i luftës kundër duhanpirjes dhe iniciatori i vetëm që, falë përpjekjes pa kompromis, e detyroi qeverinë të hartoj dhe miratoj ligjin antiduhan.