Nga Xhovan SHYTI –
Në morinë e emrave të lakuar si kandidatë të mundshëm për postin e presidentit është shfaqur kalimthi edhe ai i Majlinda Bregut, e cila që prej vitit 2018 është votuar nga 13 vendet e Europës Juglindore, si Serkretare e Pergjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), funksion që aktualisht e ushtron.
Emri i znj.Bregu, si një kandidaturë për president është përmendur jo dendur, si ai i shumë të tjerëve të fshehur pas propozimeve të individëve, grupindividëve e shoqatave më qëllim imponimin mediatik në përmbushje të qëllimit.
Përmendja e vakët e identitetit të Majlindës, veçanërisht nga opozita legjitime anti-berishiste, si një kandidate për president, më shumë se sa asaj vetë, shërbeu si një testim, si një kujtesë për politikën sherrmadhe, që, nga sapo duket, ka nisur të mprehë lapsin e llogarive për t’ja shitur edhe këtë herë postin e lartë të kreut të shtetit një të “besuari” të saj.
Pas dështimit të turpshëm të opozitës enkelejdase për sjelljen e një kandidature, ndërkohë që znj. Bregu mund të ishte jo vetëm e meritueshme por dhe sfiduese për kundërshtarët politikë të “rilindjes”, pazaret e tanishme janë pjesë e tryezës së mazhorancës të pushtetit e cila përveçse komandon gjithçka, pushtetin qendror, atë parlamentar, vendor etj., llogarit të sjellë në krye të shtetit një pjestarë të vetin që të mos i ngjajë, por të jetë antipodi i njeriut të qen në këtë detryrë të lartë deri më sot. Pra të jetë një president “anti-Ilir”, siç artikulojnë përfaqësuesit e kësaj mazhorance të fruymëzuar nga retorika e kryetarit të tyre Edi Rama.
Ndërkohë që opozita anti-berishiste meret me përballimin e sulmeve pa precedent, ndaj foltoristëve berishistë, vijon të jetë mospërfillëse në këtë akt përzgjedhës të kreut të shtetit, akt që nëse i lihet në dorë sërish “rilindjes” do ta groposë përfundimisht opozitarizmin.
Sepse, duke përjashtuar ca “mëkate” që i janë ngarkuar Presidentit në detyrë, është fakt i pamohueshëm se në ushtrimin e detyrës së vet, Ilir Meta është shfaqur si një opozitë punëprishëse, e pakompromis me pushtetin e “rilindjes”.
Edhe pse motivi i këtij opozitarizmi ka qenë më shumë për arsye politike dhe pabesie të Edi Ramës, duke I hequr teprimet inatçore, qënia e Ilir Metës një “president jashtë rreshtit të pushtetit ekzekutiv”, është e do të mbetet vlerë në raportin e duhur që presidenca lipset të ketë me këtë pushtet, që edhe pse i qenë në syrin e ciklopit të kritikave të Ilir Metës, nuk e ka ndryshuar sjelljen qeverisëse. Në thelb të të cilës paaftësia qeverisëse për të thyer krizën, pa cak kohor, korrupsioni, ndalja e varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve, abuzimi I pandalshëm me pushtetin etj., mbeten ende në fuqi.
Kjo pjesë e qënies “jashtë rreshtit të ekzekutivit”, e nxjerrë nga përvoja e viteve të shkuara presidenciale të Ilir Metës, duhet të mbetet e tillë në konstruktivitetin e saj jashtë inateve e interesave personale dhe një kërkesë konsistente për vlerësimin e kandidatëve pretendentë për postin presidencial të korrikut. Një kërkesë e tillë, pra mosëqenia e kandidatit një tamburxhi më shumë për të gjithëpushtetshmin Edi Rama, duhet ta përjashton kategorikisht përzgjedhjen e tij nga rradhët e aradhës së mazhorancës.
Nga ana tjetër që veprimtaria kushtetuese e Presidentit të jetë sa më efektive, që ai të jetë një President “jo kukull” në duart e maxhorancës, lipset të qëndrojë vërtetë mbi këtë palë në të gjithë sjelljen e tij institucionale. Duke vepruar si të ishte një President i zgjedhur për të qendruar në postin e lartë të majës së pushtetit me votat e popullit dhe jo me kartonat e partisë. Që do të thotë të reflektojë sjelljen ligjërisht në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe rreshtimin në të drejtën e shumicës popullore dhe të vendit. Dhe mbi të gjitha të jetë një figurë, që me sjelljen dhe veprimtarinë e tij ti shërbejë demokratizimit të vendit, paqtimit të shqiptarëve, të jetë jo konfliktual por përbashkues.
Që të ndodh kjo, që të kemi një President, sipas përmasave të sipërcituara, është e domosdoshme që personi i përzgjedhur për të qenë në krye të shtetit duhet të ketë brenda vetes “tharrmin” me të cilin është gatuar dhe që do t’ja bëjë të mundur sjelljen presidenciale, jo të modelit alla shqiptar të derisotëm, por sipas standarteve të përcaktuara sakaq në sistemet e konsoliduara demokratike.
Duke u rikthyer tek qënia e Majlinda Bregut një kandidate e denjë për të qenë president po shtrojmë pyetje përse duhet të jetë? Sepse është më e denja, sepse s’ka më të mirë se ajo, sepse realisht është shqiptarja që në gjithë sjelljen e vet ka reflektuar e reflekton, përveç se përmasat e sipërcituara, edhe kulturën euro-atlantike, që aq shumë na duhet, do të ishte përgjigja e duhur./Arberia News.net