Prej tri ditësh tashmë, po mbahet në Prishtinë, Konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”.
Kjo konferencë organizohet nga Instituti Albanologjik në Prishtinë. Në edicionin e këtij viti marrin pjesë rreth 90 studiues të shkencave albanologjike.
Hysen Matoshi, drejtor i Instituti Albanologjik tha në fjalës hapëse se ky institut ka luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e shkencave albanologjike, për dekada me radhë.
Matoshi tha se këtë vit aktivitetet do të zhvillohen në 5 sesione: gjuhësi, histori, letërsi, etnologji dhe folklor.
“Kjo konferencë mbahet në vigjilje të tre përvjetorëve të rëndësishëm të shkencave albanologjike, 60 vjetorin e botimit të numrit të parë të revistës, ‘Gjurmime albanologjike’; 50 vjetorit të standardizimit të gjuhës shqipe, dhe 40 vjetorit të revistës ‘Gjuha shqipe’”, tha drejtori Matoshi.
Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u shpreh se kjo javë po mbahet në frymën e bashkërendimit të tri qendrave albanologjike, në Tiranë, Shkup e Prishtinë.
Valter Memishaj, duke lexuar fjalën përshëndetëse të Luan Përzhitës, rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, thq se “Java e Albanologjisë” jep mundësi për prezantim, studime dhe njohje me arritjet albanologjike.
Sekretari shkencor i Institutit Albanologjik, Lulëzim Lajçi prezantoi botimet e IAP-së për 2021.
“Numri prej 30 veprash të botuara gjatë vitit 2021, dhe 717 vëllimeve të botuara në 5 dekada, është fryt i punës së punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të IAP-së”, tha Lajçi.
Ndërsa shefi i Degës së gjuhësisë së IAP-së, Naim Berisha theksoi se, sivjet shënohen dy përvjetorë shumë të rëndësishëm, Jubileu i 50-të i Kongresit të Drejtshkrimit dhe jubileu i 40-të i revistës “Gjuha shqipe”.
“Siç jemi shprehur edhe në thirrjen që ua kemi drejtuar qendrave albanologjike, në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të shqipes, në këtë jubile të rëndësishëm për gjuhën dhe kulturën shqiptare, nuk ka se si të mos merren parasysh rezultatet që u arritën dhe u publikuan në revistën shkencore ‘Gjuha shqipe’”, tha Berisha.
Punimet e edicionit të 13-të të “Javës së Albanologjisë” mbyllen më 10 qershor.