Një ngjarje e rëndë është raportuar mëngjesin e kësaj të shtune nga qyteti i Fierit. Një shtetas i identifikuar si Petraq Gjika është gjetur i therur me thikë në afërsi të serave të zonës, ku punonte si roje.
Policia raporton se 67-vjeçari që u gjet i vrarë në fshatin Mbrostar Ura në Fier, ishte qëlluar disa herë me thika deri sa ndërroi jetë. Ngjarja u zbulua rreth orës 06:40 nga banorët e zonës, që gjetën trupin e pajetë pranë serës që ruante viktima.
Mbeten të paqarta shkaqet e vrasjes, por vendi ku është vrarë Petraq Gjika ruhet edhe me kamera sigurie.
Mësohet se grupi hetimor po merr objekte dhe prova nga vendi i ngjarjes që mund të çojnë tek autori i saj. Ekspertë të drejtorisë së policisë Fier po krehin të gjithë zonën.
Ndërkohë bëhet me dije se Petraq Gjika ishte vëllai i kryeplakut të fshatit Mbrostar.
Paraprakisht dyshohet se ka qene një person i vetëm ai që ka kryer vrasjen dhe është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.