Nga Zija CELA-
Fajet më kërcënuese nuk janë ato që paditen, por fajtorët që kurrë nuk përfundojnë në gjykatë. Këta kanë të përbashkët me peshkaqenët forcën për t’u rritur dhe aftësinë për të kafshuar nën ujë. Por edhe nevojën për të krijuar tufën e tyre të piraniave, që grijnë mish përditë me sharrën e dhëmbëve.
Me një këmbëngulje të patundshme dhe me gjithfarë mbështetjesh të kamufluara, nëse do të mbyllen sytë, sot këto bisha po i kafshojnë Shqipërisë brinjtë, nesër mund mundet dhe mushkëritë.
Shumë flitet e pak ftillohet ky rrezik. Zhurmë, zhurmë! Ku bëhet zhurmë, mund të fshihet çdo gjurmë. Sipas meje, sado njerëz modernë, ne ende ruajmë shpirtin e provincës, si një vend ku debati i ideve kthehet gjithnjë në mëri personale dhe në sherr ambulant.
Zhurma, që sponsorizohet e fuqizohet pa pushim nga ndarjet e thella politike dhe kumbarët e saj me kollare, është dru pas qafe për trurin dhe tym për realitetin. Heshtja, që lakmohet aq shumë nga burracakët, është shurdhim për qytetarin dhe letargji për demokracinë.
Askush s’mund të jetë hero, duke mbyllur gojën. Por edhe sikur njëqind vjet të jetojnë, ka njerëz që nuk lindin për të parë ëndrrën e të gjithëve, sepse i tillë është UN-i i tyre, një un i thartuar që i nxjerr nga binarët. Kush pandeh se zotëron të vërtetën absolute, në ablosutizëm do të bjerë. Kush sheh vetëm errësirë, nga fobia e dritës do të përndiqet.
Në kaosin verbal të politikës janë të shumtë njerëzit e thjeshtë që, duke humbur sigurinë ekzistenciale, qetësinë shpirtërore dhe aftësinë për veprim, shushaten e shtangen përballë dilemave që shtron realiteti. A mos vrasin mendjen me sytë nga yjet, a mos i presin përgjigjet nga qielli?! E pra, ka një mënyrë më të sigurt për t’iu qasur përgjigjeve. E si?
Me Zotin në zemër, thuaji PO ARSYES, PO LIRISË pluraliste, PO ZHVILLIMIT, thuaji JO VARFËRISË, JO KORRUPSIONIT, JO NËNSHTRIMIT, JO POSHTËRIMIT, thuaji JO AUTOKRACISË kudo që të shfaqet, nga shkalla e familjes, rrethet e shoqërisë dhe deri në selitë e partisë e të qeverisë.