Trupi i dekompozuar i 29-vjeçarit në Kolonjë, konstatohen shenja plumbi në kafkë(Emri)

3 Minuta Lexim

Janë zbardhur detaje shtesë për trupin e dekompozuar që u gjet dy ditë më parë në Kolonjë.

Sipas policisë, në kafkën e viktimës u konstatua një vrimë tejshpuese që mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit, gjë që ngre dyshimet se bëhet fjalë për një vrasje. Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sherif Mukja, 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë.

I riu rezultonte i zhdukur që në nëntor të 2021 dhe familjarët e tij të cilët jetonin prej vitesh në Amerikë, u kthyen në Shqipëri në kërkim të tij. Ata thanë para ca muajsh se para se të zhdukej, 29 vjeçari kishte lënë makinën dhe sendet e tij personale dhe se nuk kanë asnjë lloj dyshimi që lidhet me zhdukjen e tij të papritur.

Njoftimi i Policisë:

Kolonjë

Informacion shtesë në lidhje me trupin e dekompozuar që u gjet dy ditë më parë në malin e Gramozit.

Në vijim të informacionit paraprak të datës 11.06.2022, i cili bën fjalë për gjetjen e një kufome të seksit mashkull, të dekompozuar, në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz, Kolonjë, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e viktimës, nga këqyrja e skeletit, në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit. Nga kontrolli i ushtruar në vendngjarje, nuk është gjetur gëzhojë apo predhë arme zjarri. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular.

Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sh. M., 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, mbetjet kockore do të dërgohen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull