Rom-egjiptianët e Elbasanit e shtyjnë jetën me vetëpunësim në sektorin e mbeturinave

4 Minuta Lexim

Elbasani është njëri ndër dymbëdhjetë qytetet me numrin më të madh të komuniteteve rom-egjiptiane, pjesë të cilave në numër më të pakët i gjen kudo nëpër territorin e  Shqipërisë, në qytete ku jetojnë  kryesisht në lagje të veçuara, ose në fshatrat pranë qyteteve. Sipas të dhena të INSTAT, numri më i madh i romëve dhe egjiptianëve është i përqendruar në Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Berat, Pogradec, Bilisht, Gjirokastër, Delvinë, Krujë dhe Shkodër.

Numri i përgjithshëm i  popullsisë së këtyre  dy komuniteteve ndryshon nga 80.000 në 120.000, në mes 2.5 dhe 4.7 përqind e popullsisë totale të vendit. Norma e parashikuar e rritjes së popullsisë rome është 3%, më e lartë se ajo e popullsisë shqiptare të raportuar në rreth 1.9%, rritje kjo që kërkon dhenien e një përgjigjeje adekuate nga politikat qeveritare për të sjellë integrimin e këtyre komuniteteve me pjesën tjetër të popullsisë.

Sepse ndonëse që nga viti 2016 e në vijim qeveria ka miratuar plane kombëtare veprimi për integrimin e romë-egjiptianëve, të shoqëruar me dokumentin e politikave strategjike dhe të planit kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve, 2020–2035 , që sikurse lexohet në komunikatën bashkëshoqëruese: përfaqësojnë një përpjekje të Qeverisë Shqiptare për të përmirësuar rolin e romëve/egjiptianëve në sferën social-ekonomike dhe për të krijuar mundësi që të përfshihen në trajinime profesionale dhe në punësimin në biznesin e riciklimit duke ofruar respektim të të drejtave të tyre”, faktet tregojnë se aplikimin në terren i këtyre nismave pak ka ndikuar në arritjen e qëllimit.

Të dhenat e një serë raporteve flasin se situata ekonomiko-financiare e komuniteteve romë-egjiptiane në qytetin e Elbasanit vijon të jetë e mjerueshme. Papunësia është plaga e hapur. Analfabetizmi gjithashtu. Numri i fëmijëve analfabet në rradhët e këtyre komuniteteve llogaritet të jetë katër herë më i lartë se sa popullsia e shumicës.  Niveli i lartë i papunësisë, varfëria dhe pabarazitë rajonale mbeten sfida të frikshme”, citohet në një raport të Eper Center,ku thuhet se: “Kriza e fundit financiare përkeqësoi situatën ekonomike për romët dhe egjiptianët…”.

I vetmi aktivitet që u siguron ca para për të jetuar këtyre komuniteteve mbetet industri e grumbullimt dhe riciklimit të mbetjeve. Grumbulluesi romë dhe egjiptian i shohim përditë rrugëve duke grumbulluar mbetje të riciklueshme që ja shesin përfaqësuesve të kompanive.

Një grumbullues fiton në ditë  dy mijë lekë dhe punon në të zezë. Një pjesë të të ardhurave ata e përfitojnë nga ndihmat sociale që janë në shuma tepër modeste. Me  grumbullim- tregtimin e materialeve të riciklueshme ushtrohet pjesa dërmuese, kurse vetëm  31% përfitojnë  nga ndihma sociale. Përsa i përket fëmijëve rom/egjiptian ata merren të gjithë me grumbullimin e mbetjeve madje 27% e tyre ushtronin bamirësinë. Të  90 grumbulluesit rom/egjiptian të pyetur  janë përgjigjur se janë të vetëpunësuar dhe merren me grumbullimin e materialeve te riciklueshme. Përveç kësaj 43 prej tyre apo rreth 47.8% kryenin edhe punë të tjera si saldator, muzikant, shitje rrobash, kozmetike, pastrim, kameraman dasmash, punë në transport dhe ndërtim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull