Rajonet në qasje të re brenda shtypjes gjeopolitike

6 Minuta Lexim

Nga Aleksandër ÇIPA-

Ballkani është rajon me problematika të mbartura dhe çështje të zvarritura bilaterale dhe jo vetëm. Janë mosmarrëveshje që burojnë prej historisë së shkuar dhe asaj që po ndodh, prej gjakimit një shekullor mes popujve dhe çështjeve kombëtare dhe shtetërore të hapura. Pas mbylljes së luftrave të përgjakshme të viteve 90’, mes gjashtë shteteve ballkanike kemi një realitet të ri të përmirësuar, por fatkeqësisht një sërë problemesh mbeten të pambyllura, të pazgjidhura dhe të padakordësuara.

Serbët ndajnë me shqiptarët një udhëtim me replika dhe mosmarrëveshje ndër-institucionale. Mirëpo, njëherësh, janë përfshirë në një qasje të re që krerët e lartë shtetërorë po e formësojnë si një forum të nivelit të lartë rajonal: projektin e ashtuquajtur “Ballkan i hapur”.

Ky projekt interpretohet dhe shihet në mënyra divergjente nga aktorë dhe palë të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare. Ka mjaftueshmërisht takime dhe paragjykime. Ka droje konspirative dhe refuzime politike dhe etnike. Sikundër, ka disa akte përafruese në nivelet e drejtuesve të lartë shtetërorë në, tashmë, shumicën e këtyre shteteve.

Po a është projekti rishtar i “Ballkanit të hapur” një projekt që po vendoset në kontekstet aktuale të rrjedhave gjeopolitike? Sa dhe deri ku do shkojë paragjykimi apo keqinterpretimi ndaj tij? Si qëndron ky projekt apo sipërmarrje shtetarësh ballkanikë në kushtet e një kohe të re gjeopolitike, në të cilën po shembet e vjetra dhe nuk dihet se si do të jetë e reja?

Në këtë rajon konspiracioni dhe paragjykimi janë frymë dhe ndërgjegje të cilat natyrshëm janë arsye e tepërt për pengim, por mund të shikohen edhe premisë maturie dhe dëshmi syçeltësie. Popujt e këtij rajoni pengohen duke u ruajtur dhe duke hezituar, i shqyrtojnë nismat dhe projektet e reja si nisma të rrafshit politik me optikën dhe frikën e së shkuarës historike. Dhe kanë të drejtë.

Por, aktualisht rajoni, edhe pse ka hyrë në një kapitull të ri ndryshimi dhe përafrimi, befas gjendet nën një rrjedhë të re vendosjesh të fuqive gjeopolitike, interesave, ndikimit dhe sidomos projektimit të ri për ndarje aleancash dhe blloqesh. Rezultante të ndryshme shtyjnë dhe ushtrojnë presion politik, gjeopolitik, ekonomik dhe gjeo-interesash mbi rajone të tilla si Ballkani. Mes shumicave qeverisëse dhe aktorëve opozitarë në shtetet e vogla të rajonit ka qëndrime dhe diversitet interpretimi për shumëçka, e në mënyrë specifike për të ashtuquajturin projekt rajonal “Ballkan i hapur”.

Në Shqipëri, krerët politikë me ndikim mbi opozitën si ish kryeministri Sali Berisha dhe presidenti në largim Ilir Meta jo vetëm e kanë refuzuar dhe apelojnë për braktisje nga kryeministri Rama të “Ballkanit të hapur”, por apelojnë për qëndrim larg tij edhe të vendeve të rajonit. Ndërkohë, në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut krerët e lartë shtetërorë vijojnë me shtime të takimeve dhe ndërtimin e një agjende ku përfshihen marrëveshje bilaterale dhe multilaterale. Kjo agjendë përfshin fushën e ekonomisë, shkëmbimet dhe njohjet reciproke të dokumentave të arsimit të lartë dhe qarkullimit të lirë, si dhe aspekte të tjera në harmonizimin e politikave rajonale për turizmin, kulturën, luftën e përbashkët ndaj fatkeqësive natyrore, e të tjerë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Projekte të tilla në vetvete janë një mundësi interesi për shtetet e mëdha dhe me kapacitete teknologjike si SHBA, Kina, vendet e BE, Turqia dhe Rusia. Ky interesim nuk ndahet prej interesit gjeostrategjik të fuqive të rajonit dhe platformave të interesit strategjik të fuqive të mëdha globale. Aktorët lokalë, në betejat e brendshme politike, ditët e fundit kanë nisur ta përdorin dhe ta shfrytëzojnë këtë kontekst për qasje dhe ofertime aleancash politike në kuadër të luftës së brendshme politike. Kjo është tejet evidente në Serbi, Në Shqipëri, në Mal të Zi, e në Maqedoninë e Veriut.

Nuk ka dyshim se konteksti ndërkombëtar i paqëndrueshëm, me presione dhe shtim të presionit diplomatik dhe gjeopolitik, pa harruar dhe luftën në Ukrainë, do të shumëfishojnë lëvizjet dhe ndryshimet mbi rajonet dhe aleancat bilaterale dhe multilaterale. Vende të tilla si Ballkani, në këtë presion të shtuar, kanë të drejtë të jenë edhe më të alarmuar. Vetë marrëdhënia e shteteve të rajonit, për shkak të qasjes që kanë ndaj raporteve Rusi-Ukrainë në konfliktin që po vazhdon prej mbi 100 ditësh, ka pësuar tronditje dhe është në premise të një rikompozimi të rëndësishëm.

Bëhet fjalë për një tronditje që ndryshon pozicionet, qëndrimet dhe për rrjedhojë edhe cilësinë e marrëdhënieve mes tyre. Një tension i tillë, një ndarje kaq e mprehtë gjeopolitike në raportet mes fuqive të mëdha si Kina, SHBA, Rusi, BE, ka zgjuar shumë “djaj” dhe po intrigon edhe më tepër aktorë të vjetër dhe protagonistë të rinj. Në këto kushte, rajone si Ballkani që ndodhen në një nisje rrugëtimi të një projekti politikisht korrekt dhe pragmatikisht asimetrik mes anëtarëve shtetërorë, bëhet edhe më i riskuar.

Foto:VCG

Foto:VCG

Edhe pse në epiqendër të këtij projekti janë vendosur fusha dhe aspekte më së pari utilitare, përsëri dyshimi dhe skepticizmi brenda vendeve të projektit është tepër i lartë. Dhe gjasat janë që të mbeten substanciale kur shikohet se lëvizjet, ofertat, deklarimet, interpretimet dhe vëzhgimet nga aktorët e mëdhenj shtetërorë dhe gjeopolitikë bëhen përditshmërisht më trazuese.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull