Nga Aleksandër ÇIPA-
Kisha disa vite pa qenë në Greqi. Një vend që e shijoj dhe e dua përmes artit dhe shumë njerëzve. Një vend me histori të madhe domethënëse për botën dhe jetën njerëzore. Një fqi, që vendit tim dhe mua si bir i tij, na i ka caktuar Zoti ta kemi.
Pas disa vitesh, të hënën e kësaj jave, me një taksi të rastësishme u rigjenda tek polici i palës greke në Kakavie. Nuk m’u tha asnjë gjë. Dorëzova pasaportën. Polici kreu procesin rutinë në kompjuter. Pasi u njoh me emrin dhe gjeneralitetet e mia, e shfletoi pasaportën në të gjitha faqet. Mbylli dritarezën prej xhami të zyrës së kontrollit të pasaportave. Pa thënë asnjë fjalë, lëvizi nga karrigia e vet dhe humbi në zyrat fqinje. U kthye pas pesë minutash. Bëri thjesht dy pyetje:
– Ku do të shkoni? Pse keni ardhur? Kur do të ktheheni?
Mori përgjigje të shkurtra:
-Po vijmë për qejf. Një vizitë dhe një drekë modeste tek liqeni i Janinës dhe do kthehemi.
Gjithçka shkoi normal. Iu përmbajtëm pohimit në intervistën e thatë rutinë të policit.
Hëngrëm një drekë në liqen bashkë me familjen dhe familjen e shtrenjtë të një kolegu tim të qytetit ku jam rritur. Dhe u kthyem.
Kur rimbëritëm në Kakavie, sërish para xhamit me dritarezë të vogël të policit që kontrollon pasaportat ( por në kah tjetër), episodi i hyrjes u përsërit edhe në dalje. Por në kthim, vonesa ishte edhe më e madhe. Polici sapo ndeshi emrër-mbiemrin tim në pasaportë, bëri lëvizje befasuese. U sorollat në karrige. Drejtonte sytë zhbirues nga makina ku ndodheshim familjarisht dhe nisi të pyeste taksixhiun e rastësishëm:
– Ku ishit? Ku e njeh atë? Ku hëngrët drekë? Kë takuat??
Ishin të gjitha pyetje që më zgjuan një kohë të vdekur të vendit tim.
Njësoj si në rastin e vizitës sime të parafundit në Greqi. Polici edhe pas këtyre pyetjeve u ngjit në një zyrë tjetër. Humbi më shumë se pesë minuta konsultim në atë ose ato zyra. Nuk më bëri asnjë pyetje. Por në leximin tim psikologjik vërreja se si në fytyrën e tij ishte thjesht respektim i diçkaje që gjendet si shënim në kompjuterin apo sistemin e tij dhe të ndonjë institucioni grek. Kjo është thjesht një besdi e ripërsëritur dhe e papohuar zyrtarisht ndaj meje. Se çfarë shënimi, këtë do ta mësoj përmes një kërkese drejtuar institucioneve të larta zyrtare greke dhe me ndihmën e organizatave dhe miqve të mi gazetarë në Greqi.
Në 30 vite të karrierës sime si gazetar, Greqinë e kam njohur dhe e njoh duke mbajtur në brendi dhe në sjelljen time korrektesën qytetare, aq më tepër atë ligjore. Ndërsa në të drejtën time profesionale dhe të identitetit tim kombëtar e kam parë si vend fqinj, si një shtet që është po aq ballkanas sa vendi im, (ndonëse është pjestar i hershëm i bashkësisë së vendeve të BE).
Greqinë e dua përherë duke i thënë së pari se providenca njëjtësisht na ka caktuar si fqinjë dhe jo si shtiranakë, në krahë të njeri-tjetrit.
Por përmes këtij reagimi, do të doja të sillja në vëmendje të krejt kolegëve dhe inteligjencies së çmuar greke, pyetjen time të drejtëpërdrejtë: A ka mundësi të më ndihmoni të mësoj, qoftë edhe përmes jush, se cili shënim institucional e bën përherë e më të zgjatur kohën e kontrollit të pasaportës sime në pikat kufitare të Greqisë?
Mua kontrollet kurrë nuk më shqetësojnë, por cungimi i lirisë dhe së drejtës më bën përherë më aktiv dhe më tepër besnik të identifikimit tim si shqiptar.