Në ” Amplitude”-n e ngjyrave dhe surealizmit të Mand Xhikës në Poradec

8 Minuta Lexim

Aleksandër Çipa

Galeria e arteve të Qendrës kulturore ” Lasgush Poradeci” fundjavën e shkuar dhe ditët pasuese u bë një pavion i lakmuar për shkak të ekspozitës së piktorit Mand Xhika. Prej gati tri dekadash, poradecari artist është emigranti që ka gjetur rrugën e vet të mundimshme për të pasur një kalendar ngjarjesh vetiake të ekspozimit dhe shtimit të njohjes dhe dijenisë artistike, në publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Ka çelur ekspozita personale dhe ka ekspozuar punë në galeritë e Liverpulit, Londrës dhe Belfastit ( tek ky i fundit ende jeton).

Mandi Xhika është një piktor i mërguar për më shumë se dy dekada nga Atdheu, duke jetuar dhe gjetur kohën e vet art-krijuese në mjedisin dhe natyrën ishullore të Belfastit. Nga imazhi më sundonjës i asaj natyre ka përvetësuar  ngjyrën më të bollshme të grisë mjegullore dhe ka riprodhuar nga njera tablo tek tjetra, substancën e grisë së mendimtë, me gjithë tonimet dhe thellinat imagjinative. Kjo e ka lartësuar nga njera punë tek tjetra, duke i dhënë pasurinë afirmative të zotësisë vetiake si piktor.
Është ekspozita ” Amplitude” që e ka rikthyer për qëllim dhe detyrim arti, tek vendlindja e vet, Poradeci.

Rikthim me krejt sharmin e qëllimit të fismë.  Ardhur në vendlindje me plot vlerën e punëve të veta, për ekspozimin e të cilave ka gjetur mençurisht dhe ka gëzuar besim, tek aftësitë prej kuratoreje të një artisteje aq sqimatare dhe sfiduese si Meri File.
Ekspozita konceptualisht është pavionuar në hapësirë modeste në dy seksione, në ndarje që, aq sa janë teknikisht të ndryshme, po aq plotësuese për përkatësinë autoriale dhe identifikimin e profilit artistik të tij.
Në njerin prej seksioneve janë pikturat, sureale, në të cilat eksploron thellinat psikomendore të njeriut në pamje dhe forma imponuese. Të krijojnë perceptimin e parë të ndikueshmërisë prej shkollës Dali-ane. Punë të fuqishme që mundësojnë asocime imazhesh dhe gjendjesh, ndjenjash dhe figurash, përballë të cilave lehtësisht mund të krijosh një marrëdhënie të ndërsjelltësisë nga akti imazhinist tek ai skriptualist. Tablo që të japin mundësinë, (falë talentit krijues), që në segmente të tyre të të mbushin imazh e të të inspirojnë gjendje të forta.

Raportet e ngjyrave si mishërim i domethënieve të pazakonta të gjendjeve psikologjike dhe shprehëse, në mori karakteresh apo pjesë portretesh, janë aftësia individuale e krijuesit.

Një aftësi që e sjell Mandi Xhikën në galerinë e të veçueshmëve të pikturës shqiptare. Teknikat individuale, aftësia krijuese, stili atipik dhe lehtësia për të mbartur nga njera pikturë tek tjetra, tipologjitë autoriale, janë vlera dhe forca e kësaj ekspozite.

Amplitudat ndiesore dhe përjetuese që të shkakton ” Amplitude” e piktorit Xhika, janë arsyeja grishëse dhe imponuese që përfshiu në gjetjen dhe vizitueshmërinë e ekspozitës, emra të shquar të pictures. Të pranishëm ishin veçanërisht mjeshtra të penelit dhe mendimit estetik e figurativ nga Tirana dhe qytetet e tjera të vendit.

Eleganca dhe gjetjet estetike e profesionale, të disa çelësave verbalë të dekodifikimit kumtimor dhe shprehës të punëve, prej kuratores Meri File, përbëjnë aspektin tjetër komplementar dhe komplimentues të kësaj ekspozite. Një autore në funksion të një evidentimi punësh autoriale të një piktori me talent dhe forcë shprehëse.

Në “pavionin” e pikturave, e zeza si ngjyrë kryesuese tek tablotë e veta është element i fortë shprehjeje për të mbajtur në një densitet të pazakontë përqëndrimin e karaktereve jo si portrete të plota, por si në gjendje të njëpasnjëshme pamjesh e shprehjesh njerëzore. Një aftësi e pazakontë e evidentimit përmes pjesës së portretit, të  krejt tërësisë së gjendjes psikologjike apo shprehisë mendore. Nuk ka vetëm dhimbje, nuk ka vetëm trishtim, por është edhe gjendja e dominancës përmes energjisë psiqike të karaktereve të shfaqura pjesërisht në atë densitet ikonik figurash. Një aftësi individuale e krijuesit e cila do ta bëjë pashmangshmërisht të spikatshëm prej kritikës së ardhme të artit pamor. Një talent që mishërohet si i tillë në këto punë, përmes galerisë së karaktereve të paplota anatomike, por tejspikatës për nga shprehja e gjendjes antropologjike dhe karakterizimit të brendshëm psikokomunikativ. Alternimi aq mjeshtëror i ngjyrave, dritëhijeve të ngjyrta si dhe shprehive karakteriale, janë fuqi tërheqëse për pikturë-shikuesit dhe sidomos për kategoritë e kultivuara të tyre. Eshtë tentativë e suksesshme e tij për të evidentuar forcën dhe pasurinë shqisore të njeriut përmes imazhit figurues.Për këtë arsye, me të drejtë Meri File sugjeron mjeshtërisht se si mund të shijojmë në këtë pjesë të galerisë autoriale të Xhikës “Ulëritjen e pikturave”. Kompozimet e sjella në këtë cikël pikturash kërkojnë kohë dekodifikuese dhe kualifikim vlerësuesish. Shpërfaqja e natyrave të ndryshme në figurat metaforike dhe harmonitë e ekzekutuara racionalisht në ngjyra dhe vizatime, janë cilësisht realizimi unik i autorit.

Një brendi dhe vlerë tjetër artistike sjell përmes “Amplitude” tek pavioni më i bollshëm, tek ai që File e cilëson si “Pavioni Lirik”. Eshtë realisht një prurje e dykahshme në teknikën e akuarelit. Vijueshmërisht kapërcen nga pavioni i pikturave sureale,  tek akuarelet pa hequr dorë apo lënë shijen e pambartjes. Tek ky pavion ndeshesh dhe takohem me elemente të shumta dhe imazhe shprehëse që nisin nga natyra me peizazhet e memories së ngjizur tek vendlindja me liqer, deri tek labirinthet  shpirtërore me horizonte. Janë punë që mbartin në disa formësi të tyre imazhin e përhershëm  të së pakufishmes. Marrëdhënia e artit të Xhikës me emocionet dhe shqisat njerëzore, janë çelësi impresionues për gjithkënd që i sheh dhe shqyrton. Të imponohet dialogimi i brendshëm, qasja abstraguese dhe raporti me të jetësueshmen. Në shumë prej punëve,  kompozimi dhe ngjyrat të marrin në dëshirën natyrale për të dekodifikuar tërësinë e detajeve dhe elementeve të peizazheve në akuarel. Brenda raporteve të ngjyrave lartësohet ndjeshmëria dhe refleksioni për motive të lirisë, hapësirës, dritësimit, mjegullimit dhe dritë-errësirës shprehëse. Tërësia e punëve të shkakton ndiesinë e dominimit të brendisë njerëzore në pasqyrën e pamjeve të pikturuara të natyrës. Natyrshëm eksperimenton mes ngjyrës dhe formës duke besnikëruar ndaj shijes dhe preferencës për koloret e unit krijues. Ka evituar monotoninë në krejt ciklin e “Pavionit Lirik”, duke mjeshtëruar me kontrastin mes së ujshmes dhe mjegullës, mes fushës, malit, qenies dhe shpirtit. Në këtë mënyrë e ka mishëruar pasionin për këto raporte autori. Dhe ia ka dale, si në sukses të respektit, ndaj doktrinës dhe shpirtit të vet artistik.

  

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull