Gjoni na la mitin e mirësisë!

8 Minuta Lexim

Aleksander Cipa

Kushdo udhëtar që zbret drejt jugut, në hyrje të Tepelenës, sapo kalon Urën e lumit të Bënçës në rrugën kombëtare,  djathtas, do të përballet me tabelën e re ” Rruga Gjon Dervishi” .  Është një emër i ri orientues drejt Qendrës ” Dora e ngrohtë”- Tepelenë.  Këshilli bashkiak dhe kryetari i bashkisë zoti Tërmet Peçi, për herë të parë përjetësojnë një emër humanisti vendor, që jetoi në kohën e sotme dhe e ndali frymën në kulmin e dëshirës së tij.

Është fjala për një burrë, në trup të të cilit gjendej një shpirt që kishte përmasa natyre.

Historia njerëzore e Gjon Dervishit, djalit që rridhte nga një ndër familjet e para të qytetit, brenda kalasë së Ali Pashës, është e shumënjohur, por e pashkruar.

Si e pashkruar, meriton të mos humbasë.

Miq të tij të penës dhe të fjalës do t’ia dalin për të mos rënë nën hijen e harresës njerëzore. Shenjimi i emrit në një rrugë është akt i fismë anti-harrese dhe mishërim mirënjohjeje për të sotmit dhe pasardhësit.

Po pse në rastin e Gjon Dervishit është edhe më shumë se aq?!

Historia e veprimtarit humanist nisi nga rasti i Arti Çipës.  34 vite u rrit në shtëpinë e Gjonit. U kujdes për gjithçka e në shumëçka të tij, bashkë me nënën e vet heroinë Serie Haxhi Dervishi.  Bashkëndanë dramat dhe mungesat, pengimet dhe dhimbjet, humbjet dhe sfidat e rritjes, dëshirën dhe moslëvizjen prej pamundësisë së nipit.

Marrëdhënia e Gjonit dhe zonjës së tij Lenies, me Artin është e denjë për një vepër arti. Kurrë nuk më ka rënë rasti të dëgjoj dhe mësoj për një përkushtim si ai dhe kujdestari si ajo.

Arti, në pozitën e personit me aftësi ndryshe, gjimnazonte përditërisht intelektin përmes batutave dhe dialogëve me Gjonin, dajën e vet të veçantë, “si njeri me Zot”,- siç thonë specifikisht në Tepelenë për të. Një humor që rrëfehej vijueshëm prej Gjonit, por nuk shënohej nga dikush. Një pasuri më vete komunikimi. Intelekti i Artit i mbushte ditët zvarritëse të tij, duke lartuar shpirtin mbi pamundësinë e shtatit të ndëshkuar.  Krenohej në atë gjendje për visin e largët të Atit,- Pilurin. Për fshatin ku mban burimin e kristaltë të mos-shterrimit, kënga labe. Me ato fjalë që siç thoshte Arti i mençur:” e bënin shqipen gjuhë për art”.

Prej vitesh im At, Lefteri sa herë do të gjendej në Tepelenë, do të shkëputej të takonte ” gjakun e tij të dhëmbshur,-Artin. Gëzimin për kësi vizitash të rralla e ndjenin të gjithë, por Arti dhe Gjoni, më së shumti. Kishin një alkimi mikse prej arti, shpirti, shqipeje. Fjalëbukur ishin të tre. Të tre tashmë prej kohësh në amëshim. Të tre me gjurmë të dallueshme në jetë dhe në një histori të bukur kujtimi për të gjallët.

Prej Artit, Gjoni i mirë, ndërtoi një mision të shërbimit dhe përkushtimit për fëmijët me aftësi ndryshe në Tepelenë.

Një odise jete e cila përkoi me kohë mungesash, me kohë province, me kohë moskuptimesh, me kohë dramash të pasosura dhe dhimbjesh të pangjashme. Udhëtimi sizifian i Gjonit nisi në kërkimet e para të karrocave specifike për këto kategori. Me gjuhën e shpirtit dhe artin e humorit të një gjuhe tepelenasi, Gjoni ia doli të kalonte nëpër stacione dhe negociime, si një misionar në mërgim të parreshtur. Mërgoi për arsyet e fisme të plotësimit të nevojave për fëmijët në nevojë. Diku kërkoi paisje, diku karroca paraplegjikësh, diku këmbënguli si i palodhur prej shpirti për të ngritur kampet verore dhe qendrat e përkohshme të pushimit për të veçantët. Në këtë mënyrë me lodhjet dhe dhimbjet e veta fizike, po investonte kënaqësi për të privuarit. Me këtë mund gjonian ngriti qendrën e bukur ” Dora e Ngrohtë” në Tepelenë. Investoi sakrifikueshëm një qendër të cilën e lakmuan  si model, prej vitesh dhe dekadash, simotra dhe fondacione nëpër vend dhe rajon.

Atje nuk ngriti dhomat e kurimit spitalor, por klasat e mbushjes shpirtërore për fëmijët dhe të rinjtë e veçantë. Bashkë me zonjën e vet, Lenien u dhanë frekuentuesve të veçantë, mundësinë e ushtrimit dhe pasurimit të intelektit të tyre.

Disa ekspozita me mjete pazëlli të përgatitura e të hapura në qendra e qytete të ndryshme të vendit si në Tepelenë, Gjirokastër, Tiranë, Sarandë e gjetkë, janë akte të mishërimit heroik të punës dhe përkujdesit të tyre ndaj grupeve të vajzave dhe djemve me aftësi ndryshe. Një model heroik përkushtimi, të cilin nuk e di se si dhe kush, do të mund ta përshkruente ashtu sikundër ndodhi për dekada rresht.

Mes Artit dhe Gjonit, nipit dhe dajës, është lënë në kujtesën e të njohurve dhe familjes jo vetëm dashuria dramatike e nënës, gjyshes, hallave, dhe të tjerëve, por një histori e veçantë intelekti në fushën e humorit dhe të artit.

Gjon Dervishi kishte një arsenal mjetesh dhe aftësish për humor dhe komunikim tërheqës. Ai fitonte miqësi përditë. Udhëtonte dhe rikthehej brenda një dite nëpër atdhe vetëm për arsye të mos mungimit pranë atyre që i adhuronte si askush dhe që dinte t’u përkushtohej si i pashok. Ishte modeli i prindit dhe i kujdestarit, i guvernantit dhe i mësussit, i artistit dhe i administratorit. Gjoni ishte në lartësinë e mirësisë unike si më i miri dervish në bektashizmin shqiptar. Tek ai dhe nëpër ditët e tij ishin të gjitha të mirat që mund t’i ofrojnë melaqetë. Sepse kishte aftësinë e melhemit për qeniet e rralla të aftësive ndryshe.

Në Tepelenë është miti i erës, i shoqërimit me këngë labe dhe bëmës së rëndomtë. Por ndërsa mund të përballesh me tabelën e “Rrrugës Gjon Dervishi”, në hyrjen veriore të qytetit, beso dhe do të kesh mundësi ( nëse interesohesh të mësosh diçka më tepër ) dhe për mitin më të përhershëm dhe të pakohë, atë të mirësisë dhe humanizmit. Kjo rrugë e ka një emër që vlen sa një guidë për këtë shpirt të qytetit. Nëse do dëshirosh t’i dalësh në krye asaj rruge, do të fitosh dijeni për më shumë se një histori njeriu që rrojti dhe iku në amëshim, si kujdestar i dhembshur për të veçantë që dhembin.

Gjoni na la mitin e mirësisë!

Edit

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull