Trishtim botëror pas vrasjes së ish-kryeministrit japonez

4 Minuta Lexim

Udhëheqës botërorë shprehën tronditje dhe trishtim mbi vrasjen me armë zjarri të ish-Kryeministrit japonez Shinzo Abe, të premten në Japoni ndërsa po mbante një fjalim pjesë e fushatës elektorale.

Presidenti amerikan Joe Biden i shprehu ngushëllime familjes duke e quajtur ngjarjen “një tragjedi për Japoninë dhe për të gjithë ata që e njihnin zotin Abe”.

Në një deklaratë zoti Biden shkruante dhe rreth lidhjeve te tij personale me ish-kryeministrin japonez.

“Kam pasur privilegjin të punoj ngushtë me kryeministrin Abe. Si nënpresident, e vizitova në Tokio dhe e mirëprita në Uashington. Ai ishte një kampion i aleancës mes kombeve tona dhe miqësisë mes njerëzve tanë”, shkruante zoti Biden. “Ai ishte kryeministri japonez më jetëgjatë, vizioni i tij për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur do të mbetet gjallë”.

“Mbi të gjitha, ai kujdesej thellë për popullin japonez dhe ia kushtoi jetën shërbimit ndaj tij. Edhe në momentin kur u sulmua, ai ishte i angazhuar në punët e demokracisë”, shkruante më tej presidenti amerikan.

Zoti Biden tha se kishte urdhëruar që flamujt amerikan të valëviteshin në gjysmë shtizë për të nderuar zotin Abe.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken lëshoi një deklaratë ku shkruhej: “Kryeministri Abe ishte një udhëheqës botëror, aleat dhe mik i palëkundur i Shteteve të Bashkuara, vizioni i të cilit për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, e ngriti bashkëpunimin tonë në lartësi të reja”.

Ish-Presidenti Barack Obama shkruante se: “Abe ishte i përkushtuar si për vendin, të cilit i shërbeu, ashtu edhe për aleancën e jashtëzakonshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Do ta kujtoj gjithmonë punën që bëmë për të forcuar aleancën tonë, përvojën emocionuese të udhëtimit së bashku në Hiroshima dhe Pearl Harbor dhe mirësine që ai dhe bashkëshortja e tij, Akie Abe, treguan për mua dhe Michelle”.

Kryeministri aktual japonez Fumio Kishida dënoi “aktin e pafalshëm”, duke thënë se “zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që janë rrënja e demokracisë, duhet të mbrohen pavarësisht nga ajo që ndodhi”.

“Ne nuk do të mundemi nga dhuna”, tha ai.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres lëshoi gjithashtu një deklaratë të premten.

“Sekretari i Përgjithshëm kujton angazhimin e Shinzo Abe në mbrojtje të paqes dhe sigurinë, duke mbështetur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruante zëdhënësi Farhan Haq. “Si kryeministri më jetëgjatë, ai ishte i përkushtuar për të ringjallur ekonominë e vendit të tij dhe duke i shërbyer popullit të Japonisë”.

Në Britani, Mbretëresha Elizabeth gjithashtu postoi ngushëllimet e saj në Twitter.

“Familja ime dhe unë jemi thellësisht të pikëlluar nga lajmi për vdekjen e papritur dhe tragjike të ish-Kryeministrit Shinzo Abe. Kam kujtime të bukura nga takimi me zotin Abe dhe bashkëshorten e tij gjatë vizitës së tyre në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2016. Dashuria e tij për Japoninë dhe dëshira e tij për të krijuar lidhje gjithnjë e më të ngushta me Mbretërinë e Bashkuar ishin të qarta”

Kryeministri indian Narendra Modi tha se kishte mbetur pa fjalë nga “tronditja e trishtimi”. Ai shtoi se India do të mbajë një ditë zie kombëtare të shtunën për të respektuar ish-kryeministrin japonez.

Shumë udhëheqës të tjerë botërorë reaguan ndaj lajmit, mes tyre udhëheqësit e Kanadasë, Gjermanisë, Pakistanit, Suedisë, Filipineve, Australisë, Spanjës, Francës dhe Italisë.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vlerësoi “vizionin, vendosmërinë dhe besueshmërinë” e zotit Abe, i cili mundësoi shtyrjen e Lojërave Olimpike të Tokios me një vit, për shkak të përhapjes globale të koronavirusit.

Komiteti njoftoi se do ta mbajë flamurin olimpik në gjysmë shtizë në shtëpinë olimpike në Lozanë të Zvicrës, për tre ditë me radhë./VOA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull