Serbia paralajmëron trazira në Kosovë, NATO gati të garantojë sigurinë në Ballkan, sinjalet e para vijnë nga Gjermania

2 Minuta Lexim

Serbia ka paralajmëruar trazira së fundmi në Kosovë, duke u nisur nga çështja e targave. Beogradi i ka bërë thirrje qeverisë së Albin Kurtit që të tregohet e kujdesshme në lëvizjet që bën.

Thonë që duan të ruajnë paqen, por kërcënimet e tyre ngjajnë më shumë si paralajmërim lufte. Së fundmi kreu i të ashtuquajturës, zyrë serbe për Kosovën dhe njëherazi kryenegociator në dialog, Petar Petkoviç, njësoj si lideri i shtetit të tij pretendon se qeveria në Prishtinë do të ndërmarrë hapa pushtimi ndaj veriut të vendit.

“Prishtina duhet të mendojë me kujdes për lëvizjet e saj, mesazhi i Beogradit për komunitetin ndërkombëtar është që të konsultohet me kryeministrin Albin Kurti dhe ta kthejë atë në dialog. Terrori i Kurtit ndaj serbëve në Kosovë vazhdon, ai refuzon dialogun, shkel marrëveshjet, përpiqet të poshtërojë serbët në Kosovë dhe se është absolutisht i vendosur ta çojë vendin në destabilizim,” tha ai.

Në kohën kur NATO dhe Bashkimi Evropian janë bashkuar për të dënuar pushtimin rus në Ukrainë, pjesëtarë të aleancës kanë thënë se janë të gatshëm të vazhdojnë të luajnë rol për të mbështetur paqen dhe sigurinë afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zëvendës sekretari i NATO-s, gjeneral Mircea Geoana  tha se Aleanca “do të mbronte të gjithë aleatët dhe çdo centimetër katror të territorit” në rast të një kërcënimi. Sinjalet e para erdhën nga Gjermania.

Bundestagu gjerman miratoi me shumicë të gjerë votash ditën e djeshme zgjatjen edhe me një vit të pjesëmarrjes së ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it.

Shumë deputetë u shprehën për liberalizimin e regjimit të vizave. Nga 627 deputetët që dhanë votën,  526 votuan pro, 99 kundër dhe 2 abstenuan. Parlamenti gjermanë ka gjithsej 736 deputetë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull