Nga galaktikat dhe yjet e deri tek atomet dhe pjesëzat nënatomike, vetë struktura e universit tonë është e përcaktuar nga qto që njihen si konstantet themelore të universit.
Shkencëtarët kanë dalë në përfundimin se secili prej këtyre numrave është formuar në një vlerë aq të saktë sa të habit, një vlerë që bie në një diapazon tepër të ngushtë që bën të mundur jetën.
Nëse një prej këtyre numrave do të ishte ndryshuar qoftë sa një fije floku, nuk mund të ekzistonte askund asnjë lloj jete fizike e ndërvepruese. Nuk do të kishte yje, as jetë, as planetë, as kimi.
Për shembull, shqyrtoni forcën e rëndesës. Kjo forcë përcaktohet nga konstantja gravitacionale. Po të ndryshonte kjo konstante me 1 në 10 në fuqi tép 60 pjesë, asnjë prej nesh nuk do të ekzistonte.
Për ta kuptuar sa jashtëzakonisht e ngushtë është shtrirja jetë-lejuese, imagjinoni një numërator të ndarë në 10 në fuqi të 60 pjesë. Për ta kuptuar disi sesa pika gjenden në këtë numërator, krahasojeni atë me numrin e qelizave në trupin tuaj (10 në fuqi të 14), ose me numrin e sekondave që kanë kaluar që prej fillimit të kohës (10 në fuqi të 20).
Po të kishte qenë konstantja gravitacionale jashtë sinkroni qoftë me një prej këtyre ndarjeve pafundësisht të vogla, universi ose do të ishte zgjeruar e holluar aq shpejt saqë asnjë yll nuk do të mund të ishte formuar e jeta nuk do të mund të ekzistonte, ose do të ishte shembur mbrapsht vetvetiu me të njëjtin rezultat: pa yje, pa planetë, pa jetë.
Ose merrni në konsideratë shpejtësinë e zgjerimit të universit.
Kjo shpejtësi drejtohet nga konstantja kozmologjike. Një ndryshim prej vetëm 1 pjese në 10 në fuqi 120 do të bënte që universi të zgjerohej tepër shpejt ose tepër ngadalë.
Në secilin rast, sërish do të ishte e pamundur që në univers të kishte jetë.
Ja dhe një shembull tjetër i mirësinkronizimit: nëse masa dhe energjia e universit të hershëm nuk do të ishin shpërndarë me një saktësi të pamendueshme prej 1 në 10 në fuqi të 10 (në fuqi të 123), universi do të ishte i papërshtatshëm për çfarëdolloj forme jete.
E vërteta është se… universi ynë lejon jetë fizike e ndërvepruese vetëm sepse këto dhe shumë numra të tjerë janë ekuilibruar në mënyrë të pavarur dhe imtësi të jashtëzakonshme.
“Ngado që hedhin sytë, fizikanët shohin shembuj të mirë-sinkronizimit.” – Sër Martin Ris, astronom i Britanisë së Madhe, lektor në Kolegjin Triniti dhe Profesor Nderi i Kozmologjisë dhe Astrofizikës në Universitetin e Kembrixhit.
“Fakti i habitshëm është se vlerat e këtyre numrave duket sikur janë përshtatur imtësisht për të bërë të mundur zhvillimin e jetës.” – Stiven Hoking, teoricien i fizikës dhe kozmologjisë
“Nëse dikush pretendon se nuk habitet nga tiparet e veçanta të universit, ai po mbulon diellin me shoshë. Këto tipare të veçanta janë të habitshme dhe të pazakonta.” – Dejvid Dojç, fizikan në Universitetin e Oksfordit, profesor vizitues në Departamentin e Fizikës Atomike dhe Lazer në Qendrën për Përllogaritjen Kuantike (CQC) në Laboratorin Klerëndon të Universitetit te Oksfordit.
Cili është shpjegimi më i mirë për këtë fenomen mahnitës?
Ka vetëm tri mundësi të vëzhgueshme: Mirësinkronizimi i universit ka ndodhur ose për shkak të domosdoshmërisë fizike, rastësisë, ose projektimit. Cili prej këtyre tri opsioneve është më bindës?
Sipas kësaj alternative (domosdoshmërisë fizike), universi duhet të jetë-lejues. Vlerat e sakta të këtyre konstanteve dhe sasive nuk mund të ishin ndryshe. Por a është e pranueshme kjo? A është i pamundur një univers që nuk lejon jetë?
Sigurisht që jo! Jo vetëm është i mundur, por gjasat për një univers që nuk lejon jetën janë më të shumta se për atë që e lejon. Konstantet dhe sasitë nuk vendosen nga ligjet e natyrës. Nuk ka arsye apo fakte që të sugjerojnë se mirësinkronizimi është i domosdoshëm.
Po rastësia? A mos thjesht patëm shumë, shumë, shumë, shumë fat? Jo. Mundësitë për këtë janë aq të vogla saqë e bëjnë qesharake idenë që mirësinkronizimi të ketë qenë rastësor.
Kështu që, në përpjekje për ta mbajtur gjallë këtë opsion, disa kanë shkuar përtej shkencës empirike dhe kanë zgjedhur një qasje më spekulative të njohur si multiversi. Ata imagjinojnë një gjenerator universesh që nxjerr një numër aq të madh universesh saqë gjasat janë që dikur të shfaqen universet jetë-lejuese. Megjithatë, nuk ka fakte shkencore për ekzistencën e këtij multiversi. Ai nuk mund të dallohet, vëzhgohet, matet apo vërtetohet. Sa për vetë gjeneratorin e universeve, ai do të kërkonte një masë të stërmadhe mirësinkronizimi!
Për më tepër, copëza të vogla rregullsie janë shumë më të mundshme sesa të mëdhatë. Kështu, universi më i mundshëm e i vëzhgueshëm do të ishte një univers i vogël, i banuar nga një vëzhgues i vetëm e i thjeshtë (truri Boltzman). Por ajo që vëzhgojmë në praktikë është ajo që duhet të presim më pak: një univers i gjerë, kompleks në mënyrë spektakolare, tepër i strukturuar, i banuar nga miliarda vëzhgues të tjerë. Pra, edhe po të ekzistonte multiversi (gjë që në fakt është një rrugë qorre), nuk do të shërbente aspak për të shpjeguar mirësinkronizimin.
Duke parë pamundësinë e domosdoshmërisë fizike apo të rastësisë, shpjegimi më i mirë se pse universi është i mirësinkronizuar për të lejuar jetën mund të jetë fare mirë se kështu është projektuar.
“Një interpretim i logjikshëm i fakteve sugjeron se një super intelekt është përzier në ligjet e fizikës….. dhe se në natyrë nuk ka forca të verbra për të cilat ia vlen të flasësh. Numrat që mund të përllogariten prej fakteve më duken aq madhështorë sa për ta bërë pothuajse të padiskutueshëm këtë përfundim” – Fred Hoil, astrofizikan dhe kozmolog, profesor Plumian i Astronomisë dhe Filozofisë Eksperimentale në Kembrixh.
“Për mendimin tim, provat se diçka po ndodh pas gjithçkaje janë të fuqishme…. Duket sikur dikush i ka mirësinkronizuar numrat e natyrës për të bërë universin. Përshtypja për projektimin është mahnitëse,” – Pol Dejvis, fizikan fitues i Çmimit Tempëllton, Medaljes Kelvin nga Instituti Britanik i Fizikës, dhe i Çmimit Majkëll Faradej.
“Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të Tij. Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.” – Mbreti David, Bibla, Psalmi 19:1-2
Përktheu nga ReasonableFaith.org – Brunilda Rustani