Lexojeni kur te keni nge kete poeme satirike dhe mos lini punen per te hyre ne fb!
Nga Ymer Nuka
Tek hanin kripë te një koritë,
Diç po mendonin dhentë dhe dhitë.
Deshtë dhe cjeptë diç po përtypin:
“Vallë në pushtet, si mund të hypim?”
Çohet përçori bën strategji:
“Duhet së pari të ngremë parti.
Të marrim pushtet -thotë kryecjapi
Duhet të joshet elektorati.”
“Çfarë të premtojmë -thonë ca desh
Kur soji ynë ka vetëm lesh?”
Në mes të vathës vërret një cjap:
“Leshin që kam me qejf e jap.
Lesh të premtojmë dhe marrim rol.
Prodhimi ynë është monopol.
Se ka kush tjetër, tonin prodhim,
prandaj t’ia nisim me një tubim”
Të zbatojnë planin, s’e çuan gjatë,
në garë të leshtat hynë në fushatë
Pa mblidhen kafshët në mes të sheshit,
na mban miting, parti e leshit.
Një kapo dash goxha sheleg,
na hap mitingun, si një strateg.
Ia nis fushatës më kompetenti:
“T’i rritet leshit dhe rendimenti!
Se po fituam ne si parti,
s’do jetë vëndi më lesh e li.
Do iki liri, do mbetet leshi”
Nga brohorimat, po tundet sheshi.
Plot me parrulla dhe me pankarta,
s’kish ndjerë vëndi fjalë më të zjarrta.
Vazhdon premtimin edhe nuk soset
një përfaqësues, nga gjithë qoset:
“Të tirret leshi, me dit’ e natë!
Qilim t’a bëjmë, tokën e ngratë!
Do rritim lesh do vjelim lesh,
lum si ti popull, që do na kesh.
Importe lesh, eksporte lesh,
bollëk o popull, pa fund do kesh.
Vërini fjalët ju vath në vesh,
mendoni lesh, të fitoni lesh!
Dhe mall e gjë, ti do këmbesh
jo me monedha, por vetëm lesh.
Do jepni lesh, do merrni lesh”
Nga ovacionet tundet një shesh.
“Do zëmë vrimat, vetëm me presh”
Bën lapsus tjetri, mitingu qesh.
Në çast merr furkën dhe fjalën kapi
kryeleshtori, një farë cjapi:
“Për ju o popull do hapim punë,
pa dhe mirqënia do derdhet lumë.
Se mjaft u ropët e patët pisk!
Tash vegla pune, janë krëhër e brisk
E na e rrojçi, me dit’ e natë
Leshin e butë, leshin e gjatë!
S’do ketë më lypës, as dhe të mjerë,
se që të gjithë do jenë berberë.
Do bëjmë shtet, do bëjmë art ,
do prodhojm’ lesh, me posht e lart.
S’ke ç’e do jetën dhe po ta kesh,
po s’veshe lesh, po s’pate lesh.
Do rrisim mjekrat, me cjep e desh,
jo më për modë, po veç për lesh.
Edhe mustaqet bash vesh më vesh,
ne do t’i rrisim shpesh e më shpesh”
E zgjatet leshi e tirret leshi,
një dele plakë, furkën ç’e ngjeshi:
“Do prodhojmë lesh, de more de,
lum si ti popull, mezi na ke!
“Se jeni ju, pa jemi ne”
vazhdon refreni dhe sot si dje.
“Do fluturoni vetëm me presh”
Bën lapsus delja, mitingu qesh.
E zgjatet leshi e tirret leshi,
s’mbaron mitingu, s’boshohet sheshi.
Dhe varfëria na shkoj e vate:
“Do ngremë fabrika e kombinate.
Me leshin tonë, do vlojë puna,
do bëjmë shajake, do bëjmë guna.
Bashkë me cjeptë dhe ne shelegjet
do të bllokojmë botën dhe tregjet.
Dhe historisë do ia kthejm’rrotën,
veç ju o kafshë na jepni votën.
S’fitojmë ne, por begatia,
parti e leshit është mrekullia.
Të gjitha popull, në do t’i kesh,
na jepni votën, t’u japim lesh.
Tokën dyshek do kesh prej nesh
dhe këmba jote do shkelë në lesh.
Të t’bëjë rehat, me trup dhe xhan
dhe qiellin lart do bëjmë jorgan
Lesh mal e fushë, lesh qiell e dhe,
për ju o kafshë do bëjmë ne.”
Llomotit goja, gjuha s’ka fre,
dëgjojnë kafshët dhe pse s’kanë nge.
“Do japim lesh, do merrni lesh,”
nga brohoritjet, tundet një shesh.
“Do t’i mbulojmë, me sy e vesh,
se s’ke ç’i do dhe po ti kesh.”
Nga fjal’e leshit, seç u bë nami,
ish kryefjala, kryesllogani.
Malet po binin e tundet sheshi,
s’reshtet premtimi nga fjal’e leshit.
Fjala merr dhenë e dot nuk ndalet,
televizioni, me gjith’ kanalet.
S’pushojn’ gazetat, me dit’ e natë
e tjerrin lesh, oh ç’lesh të gjatë!
Me lesh gënjeshtrash, na thuren rrjetat,
ku ranë brenda, gjith’ të vërtetat.
Pa fund reklamat, pa fund dhe spotet
dhe bota qeshet dhe vëndi kotet.
Populli end, me dit’ e muaj,
herë lesh prej vëndi, herë lesh të huaj.
I bën gërsheta, e ç’ta bëjë tjetër
leshin e ri, leshin e vjetër.
I bëjnë reklamë, gjithandej leshit,
aq sa e çanë timpan’ e veshit.
Flet nga tribuna, njëra nga dhitë:
“S’do t’i çojmë dëm, as kakërdhitë.
Për kokrrat tona keni nevojë,
si karamele t’i mbani në gojë.
Me plehun tonë lulëzon bujqësia…”
Vazhdon fjalimin e s’mbaron dhia.
“Për fjal’ të leshit, ju bëjmë be,
Votoni ju, të fitojmë ne.”
Në mes të turmës, një ujk ia ngjesh:
“Rrofshi e qofshi, me cjep e desh!
Se jeni ju, pa jemi ne,”
kënaqen kafshët; “Oh, ç’gurgule!”
“Do zoti zgjedhjet fitojn’ të leshtat!”
Me gaz urojnë morrat e pleshtat.
“Se ndër kolltuqet dhe mbi postiqet,
do ndajmë postet edhe ofiqet.”
Ja, ovacione bëjnë nga fushat
bashkë me krimbat, edhe këpushat:
“Fitore e tyre, është dhe e jona…
E mbuloi vendin, qelbi dhe kroma.”
Premtim i leshit, o le…le…le…
Të kërkojm’ fundin e fund nuk ke.
E koha ikën, ec e ta zesh,
E vëndi bëhet, lesh e më lesh.
Na çanë rrodhet,na mbyti leshi,
pa fund premtimet, s’boshohet sheshi.
Vazhdojnë furkat, me dit’ e natë,
tjerrin e endin, leshin e gjatë.
“Tu japim lesh, na jepni votat,”
poster më poster, u luten kokat.
“Kush vjen me ne, shkon në Evropë.”
gjokset e tyre, lindur me gropë
Flasin e flasin, si baballarë,
ngarkojn’popullin, si t’ish gomar.
Vënë mbi samar, dhe hejbe leshi,
plot me premtime, sa s’i mban sheshi.
Kur në mes turmës, seç pëllet demi:
“Më thoni, kafshë, ku vallë vemi?
Ku vallë shkojmë, askush s’e di
O vënd pa busull, me shumë parti!
Ç’demokraci, ç’fushat’ e rrallë,
votojnë të vdekur, si t’ishin gjallë
S’votojn’ të gjallët,, si t’kishin vdekur,
premtime leshi, shiten për hekur.
Fillim i tyre, na tregon fundin
Hejbet përçorët, tundin e shkundin.
Po qelbet vëndi, me erë përçorësh.
U bënë fushatat, shkoll’ oratorësh.
Na japin leshin, ju endim leshin
edhe nga prapa, na tundin preshin
Na nxiu stresi, si tym’ i pishës,
na hëngrën shpirtin, këta plangprishës?
Valojnë flamujt, tundin dhe brirët,
thua leshtorët janë më të mirët?!”
E endet leshi e tirret leshi,
e zgjatet filli, s’boshohet sheshi.
E vitet shkojnë bëhen dekada,
premtim i leshit na ndjek nga mbrapa.
Parti e leshit, syleshët ne,
vazhdon pa fund kjo Epope.
Ilustruar nga mjeshtri Kosta Raka
@ynurka