DHIMITËR e MITRUSH

13 Minuta Lexim
Gjej të shpërndarë në rrjete sociale një letër që Mitrush Kuteli ia paska dërguar Mustafa Greblleshit dhe gruas së tij. Vështirë të gjykosh për të, ashtu e marrë jashtë konteksti e pa shënime mbështetëse, e zgjedhur me siguri për një qëllim të caktuar mes morisë së shkëmbimeve shkrimore. Letra në fjalë, mesa duket ka qenë me interes për shpërndarësit, jo aq sepse Kuteli aty paraqitet erudit, pak melankolik, i vrarë ndjenjash e me një botë të pasur interesash letrare, po sidomos sepse aty ai ngre akuza të hidhura kundër studiuesit dhe shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi.
Cilat janë ato? Shuteriqi paskësh përvetësuar dorëshkrime nga një Pirro Vako. Ka bërë të vetat koleksione të vyera me pulla poste të Lef Nosit, bashkë-mëhallas i tij ky, pa llogaritur pastaj edhe që paskësh kollofitur “tërë dorëshkrimet e Lef Nosit” e Sotir Kolesë! Lëre pastaj, që sipas Kutelit edhe botimi Gjorg Golemi i Shuteriqit “bie erë Lef Nosi”! Bie erë? Po kështu u lëshokan “llafet” nga njerëz të cilët i ruajmë në mendje si figura të çmuara me profil të lartë publik e kombëtar? Aq më tepër kur këto “llafe” formulohen me shkrim, proces ky që të jep mundësinë e vetë-kontrollit dhe vetë-korrigjimit, lluks që mund të mos e zotërojmë sa ç’do të donim kur e lëshojmë gojën pa fre e lejojmë të rrëshqasin mendime impulsive që më vonë do të kishim dashur t’i ri-formulonim në mos t’i fshinim krejt me gomë, zëre se nuk qenë shqiptuar. “Bie erë” do të thotë (më e pakta në këtë rast) “ngjashmëri”, e tillë që të bën të dyshosh sa i takon origjinalitetit të një teksti. Si lexuese do të kisha dashur që Kuteli ta vijonte arsyetimin, sepse i hedhur kështu si zar që rrokulliset nga të dojë për të përfunduar një ditë Facebook-ut e xhadeve të tjera, ai mbetet në rrafsh spekulimi e thashethemnaje dashakeqe. Përndryshe, unë s’e di dhe s’e provoj dot se çfarë a kujt i bie erë, sidomos në stade relativisht të hershme të krijimtarisë, por po lejoj veten të them dy fjalë në kënd pozitiv për “ngjashmërinë”. Në daç me shkrim a me gojë, paketuar formalisht apo jo, a gjendet vallë diçka që të mos i ngjasë a të mos rrjedhë prej diçkaje tjetër, a që s’të kujton aromën e diçkaje tjetër, sidomos kur bëhet fjalë për të njejtën mëhallë, me të njejtën kulturë e lidhje të ngushta farefisnore? Vetë Mitrushi, a nuk mban edhe ky vetë pak erë Lasgushi prej Poradeci? A nuk është frymëzuar vallë (edhe) prej tij? Mua s’më shkon ndër mend ta marr si akuzë këtë, sepse a nuk kemi të gjithë nevojë të rendim pas modelesh që na grishin t’i ndjekim, gjë që në thelb është përpjekje për të imituar? A s’është nevoja a impulsi për të imituar, edhe përpjekje për të mësuar? Sepse, si rregull, askush nuk e zotëron dot një mjeshtëri deri në autenticitet unik e përplotësisht pa mësuar e përvetësuar përmes hullisë që fatmirësisht kanë lënë të tjerët. A s’janë pra këto shtigje, ku në fakt kanë shkelur të tjerë përpara nesh së paku pjesërisht, shenjë e ndikimit organik, gjurmë e vijimësisë së natyrshme, provë e rrugëtimit zhvillues e vetë-përmirësues në rrafshin e shkrimtarisë apo cilindo rrafsh tjetër të dijes a të krijmtarisë?
S’jam në gjendje të di nëse akuzat për përvetësim e grabitje që rëndojnë në këtë letër janë të vërteta apo jo. Letrën s’po e sjell këtu, sepse s’i zë dot besë. (Kush ka nge, e gjen lehtë.) Më ngjan herë si letër bakalli laparosur prej mollëzash ngjyer në lyrë e zgjyrë mejhanesh e herë si tjerrje e hapërdarë, ndoshta e thurur nën efekte alkooli, ose konceptuar në çaste vetë-keqardhjeje e depresioni të thellë.
Përndryshe, s’ka mbetur puna që të bëj mbrojtjen e një studiuesi e shkrimtari si Dh. Shuteriqi. Por, gjithësesi mendoj se një studiues i kalibrit të Dhimtër Shuteriqit, me aftësi, prodhimtari intelektuale, formim e specializim të konsiderueshëm letraro-studimor – i cili mbijetesën nën regjimin diktatorial e gjeti duke u tërhequr në territorin e hulumtuesit e historianit të palodhur të letërsisë (territor ky pak si më i mbrojtur prej tekave të censurës, meqë relativisht i qeverisur nga principe e rregulla të natyrës më teknike) – s’kishte pse t’ua kishte nevojën marifeteve me të cilat e përbalt Kuteli.
Në formën që serviret, teksti s’ka datë. Në një cep interneti shoh të shënohet viti 1961, por kush mund ta dijë me siguri kohën, burimin, arkivën, shtëpinë botuese dhe autenticitetin e shkrimit? Madje, ngjan sikur kushdo mund ta kopjojë tekstin, të shtojë a të heqë, ta ri-postojë të redaktuar a jo, si t’i shkrepë e t’i mbushet mendja. Kush e shpërndan këtë letër duket se i intereson sidomos të verë në dukje se Dh. Shuteriqi është gjyshi i Ben Blushit, me sa duket kundërshtari ose armiku politik dhe ideologjik, e mbase edhe letrar. Ky fakt duket se ka rëndësi e përparësi të dorës së parë, prandaj hajde të hedhim ca grushta me baltë, meqë e kemi mundësinë. Po te lufta e klasave e numërimi i sojit e sorollopit paskemi mbetur ne!
Kuteli e nis letrën me harlisje vetë-kënaqësie, nga dega në degë pa ndonjë rend a lidhje organike të përcaktuar. Shohim autorin të gjesdisë varreve netëve me hënë e përsiatjeve melankolike për Zotin e gjithësinë, pastaj të na përmendë Viktor Hygonë e Sotir Cacin, për t’u avitur më pas tek “e ëmbla Selma Lagerlöf” vs “plaka Greta Garbo” (me sa duket shkrimtaren Lagerlöf e ka qejf pavarësisht moshës, kurse aktoren Garbo, jo dhe aq), për të dalë te konsulli francez A. Degrandi në Shkodër e për të shkuar larg deri te greku Phrante, etj… (Cilët nga ata që e lexuan dhe u magjepsën pas letrës e kishin/kanë idenë se cili është George Sphrantzes, ose Phrantzes, ose “Phrantje” siç e quan Kuteli?) Gjatë kësaj endjeje e shpalim erudicioni, Kuteli të çudit tek bën një zbritje të papritur te lluca e akuzave e vërejtjeve shpotitëse për Dhimitër Shuteriqin, të cilin e thërret me përçmim, Shute! Më bën përshtypje stili vulgar e keqdashës (ju kujtohet Kadareja kur i referohej Pipës me Pipiç te Ftesë në Studio? – historikisht talljen me emrat e kemi patur dhe ende e kemi sport shumë për zemër), që do ta bënte edhe vetë Mitrush Kutelin t’i vinte zor prej vetes – nëse vërtet e ka shkruar – po ta shihte të botuar sot. Duket sikur autori ka gjetur një çast e mundësi për të derdhur zeherosje të brendshme në mënyrë që të lehtësohet sadopak. Ndoshta i duket se po fjaloset privatisht vetëm për vetëm me “të dashurin Mustafa dhe motrën Merushe”. Mirëpo, çka shpreh për Dhimtër Shuteriqin, qoftë edhe në konfidencë, janë në nivelin e thashethemeve të plakave zemërliga të lagjes. E meqë ra fjala te “plaka”, Greta Garbo që përmendet në letër, vërtet u tërhoq shpejt dhe mistershëm nga ekrani pikërisht në kulmin e famës artistike, por ama s’ka qenë aspak “plakë” siç e cilëson Kuteli në kohën kur ka shkruar letrën në fjalë, madje qoftë edhe me standardet e mes-shekullit të kaluar. Garbo, lindur në 1905, ishte vetëm 2 vjet më e madhe se Kuteli. Letra i bie të jetë shkruar doemos përpara se prozatori ynë të vdiste mjerisht në moshën 59 vjeçare, në vitin 1967. Kur Kuteli lëngonte e vdiste, Greta Garbo (sa vite më e madhe do të kishte qenë nga gruaja e tij e dashur dhe e vuajtur, Efterpi, të cilën në asnjë mënyrë s’do t’ia kish nxënë goja ta quante “plakë”?) shkonte e vinte si mysafire në Shtëpinë e Bardhë, bridhte me pushime në jug të Francës me Baroneshën Cécile de Rothschild, e shëtiste galerive të artit në New York City, së paku edhe për nja dy dekada pas vdekjes së Kutelit…
Por, të kthehemi tek emri i Dhimitër Shuteriqit. Unë s’e di nga e ka origjinën emri Shuteriqi, por ka mundësi që të ketë origjinë serbe. E pastaj? Përse na u pezmatoka Kuteli a kushdoqoftë kaq fort? Fundja, Shuteriqi ishte studiues e filolog e do të ketë patur interes të gjurmojë origjinën e domethënien e mbiemrit të tij. A nuk reflektojnë shumica e emrave tanë (sikurse taborri me Muhametër, Mahmutër, Hasanër, Ismailër, a numri relativisht më i vogël i emrave si Dhimitër, Mihal, Efterpi e Athina), ashtu si edhe gjuha me të cilën flasim, faktin se kemi dhënë e kemi marrë me gjuhët, kulturat, vendet e rajonet rreth e qark? Ç’ka këtu për t’u pataksur? Ç’hyn patriotizmi e atdhedashuria këtu? Fundja ky Shuteriq, a s’ka dhënë kontribut të pamohueshëm pikërisht për kulturën shqiptare si një nga themeluesit e shkollës historiografike letrare, e jo vetëm? A s’është kjo çfarë duhet të peshojë e ndrisë?
Zilia është tipar njerëzor fatkeqësisht i fuqishëm dhe shpesh jo lehtë i kontrollueshëm. Vallë a ta ketë patur Mitrushi kaq fort zili Dhimitër Shuteriqin, i cili krahasimisht ka patur jetë më fatlume e më të mirë se e Kutelit? A i bën nder një shkrimtari aq të çmuar, të admiruar e penë-hollë si Dhimitër P., të përtallet me emrin e një kolegu të nderuar si Dhimtër Sh., duke e thirrur atë me përçmim, Shute, a thua se kemi të bëjmë me ndonjë palo garipi që qëllon për inat (ngaqë s’po i shkokan punët e s’po e respektojnë ashtu siç mendon se e meriton) dritaret e lagjes me llastiqe?
Nëse çka shkruan Kuteli janë të vërteta, pra nëse Shuteriqi përnjimend e paska vjedhur Lef Nosin dhe Pirro Vakon (cili ishte ky?), përse nuk i depozitoi në institucionet përkatëse këto akuza, qoftë edhe përmes të tjerëve nëse personalisht nuk mundej? Tek e fundit, besoj se Dhimitër Shuteriqi me beretën dhe llullën e tij perëndimore, gjithnjë e më i tërhequr në tryezën e tij të punës, ishte lehtësisht i lëndueshëm dhe i rrokshëm nëse ia vije syrin për ta gjuajtur me llastik. Kishte boll armiq, të tillë që veç një sinjal, një shenjë a një minimum provash kërkonin për ta përmbysur a syrgjynosur a për t’ia bërë gropën, siç ia kanë bërë shumë të tjerëve.
Sidoqë të jetë – të vërtetën unë nuk e di – do të doja që Mitrush Kutelin e vuajtur, të keq-shpërblyer e të keq-trajtuar nga regjimi, ta ruaja në mendje si “Dhimitër të Madh” që në fëmijëri më ka dhuruar kënaqësi dhe magjepsje të pashembullt me Tregimet e Moçme Shqiptare e që gjithnjë e kam admiruar per shqipen e tij të mrekullueshme e stilin elegant – model per t’u ndjekur! – jo si “Mitrush të Vogël”, siç më paraqitet në këtë letër.
Dhimtër Shuteriqi & Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull