Denoncimi i Berishës për abuzimin me lekët e FRONTEX, si u shkarkua drejtori i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit

1 Minuta Lexim

Disa javë pas denoncimit të Sali Berishës kundër drejtorit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj, ka ardhur largimi i tij nga detyra. Lajmi është konfirmuar sot. Sali Berisha akuzoi Merkajn për abuzimin me 2.7 milionë euro të misionit FRONTEX në Shqipëri. Mbyllja e hetimit sipas Berishës është bërë me porosi të Ministrit të Brendshëm.

Për këto akuza nuk pati asnjë reagim. Por vec kësaj gjatë kohës që Eduart Merkaj drejtonte Departamentin e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit kanë ndodhur një sërë skandalesh. Kujtojmë se nga hetimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore u shkri pothuajse e gjithë drejtoria rajonale në Kukës, me mbi 30 punonjës policie të arrestuar si të përfshirë në korrupsion.

Raste si ky u përsëritën gjithashtu edhe në Korçë dhe struktura të tjera të Kufirit dhe Migracionit. Largimi i Merkajt ishte gati i pashmangshëm. Sot është mësuar gjithashtu edhe pasuesi i tij në këtë detyrë. Ai është Saimir Boshnjaku, deri më dje vartësi i Merkajt. Boshnjaku ka drejtuar Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë. Eduart Merkaj ishte drejtor i Kufirit dhe Migracionit që prej janarit të 2019 me urdhër të ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe Sandër Lleshaj.©LAPSI.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull