Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, ka marrë pjesë në ceremoninë e promovimit të librit “Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri” nga Roland Qafoku.
Shefja e diplomacisë amerikane në vendin tonë ka vlerësuar vendin tonë duke e konsideruar punën e saj si një privilegj të madh që i është dhënë për të shërbyer.
Lexoni fjalën e plotë të Ambasadores:
Faleminderit shumë. Jam pak e shkurtër për këtë podium.
Shumë faleminderit. Është një nder i jashtëzakonshëm. Këtë vit, gjatë festimeve tona të 100-vjetorit të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, kam menduar për gjithçka që ka ndodhur përpara se ne të shfaqeshim, të gjithë ne të dilnim në skenë. Shumë çka ka ndodhur.
Ne kemi pasur pjesën tonë të sprovave dhe mundimeve, si dhe të sukseseve. Dhe këtu sot rastësisht në këtë ditë kur urojmë zotin Qafoku për librin e tij të shkëlqyer, festojmë edhe fillimin, fillimin formal të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. E kush do ta kishte menduar këtë njëqind vjet më parë?!
Ja çfarë desha të them. Për çdo Ambasador Amerikan është një nder i madh, një nder i madh, t’i kërkohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, të përfaqësojë vendin tonë në një vend tjetër. Për ata nga ne që mund të vijnë në Shqipëri si ambasadorë, është një nder edhe më i madh dhe është një nder shumë i veçantë. Nuk është se Shqipëria është vendi më i madh, se është vendi më i pasur, asnjëra nga këto. Por ky është me të vërtetë vendi më i veçantë. Nuk ka njeri në botë si shqiptari. Dhe miqësia që kanë amerikanët, që ambasadorët amerikanë mund të përjetojnë personalisht me ju, është diçka vërtet e paharrueshme.
Mund ta kem përmendur edhe më parë. Përpara se të vija në Tiranë, kam vizituar ambasadorët e mëparshëm që janë ende mes nesh, përfshirë ambasadorin Ryerson. Ai më tha, më dha udhëzime sipas modës së vjetër. Nuk më dërgoi një pikë në hartë për ta ndjekur përmes GPS. Ai më dërgoi një udhëzim të gjatë: ec për dy milje nga kjo anë, kthehu majtas, 1,5 milje nga kjo anë, kthehu djathtas, të gjitha këto. Dhe unë thashë, si do ta di që kam arritur. Është një udhëtim i gjatë, një orë me makinë, jashtë Uashingtonit. Dhe ai më tha, mos u shqetëso, do ta kuptosh. Pra, unë jam duke ngarë makinën për një orë, dhe shoh shtëpi, kuaj, ferma, aeroporte. Dhe pastaj, në fund të një ore të gjatë, shoh diçka dhe e di se këtu jeton Ryerson. E dini nga e kuptova? Edhe aty në fshat në Uashington DC, shumë vite pasi u largua nga ky vend, jashtë shtëpisë së tij, valëvitet me krenari flamuri kuqezi pranë flamurit amerikan. Në zemrën e tij, ai nuk u largua kurrë nga ky vend.
Pra, kjo është gjëja tjetër që dua të them. Në njëqind vjet miqësi mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ne jemi larguar vetëm dy herë, Ambasada u detyrua të evakuohej për herë të parë në vitin 1946 për një kohë shumë të gjatë, tjetrën në vitin 1997. Shpresoj që këto episode të mos përsëriten kurrë, shpresoj që të gjithë të nxjerrim mësimet e diktaturës, të dhunës. Shpresoj që të bashkohemi, të qëndrojmë së bashku si miq. Unë mund t’ju them këtë, Amerika ka qenë me ju që në fillim, që në ditët e para të Republikës së Shqipërisë, të Mbretërisë Shqiptare, madje edhe para se të ekzistonit si Republika e Shqipërisë, Mbretëria e Shqipërisë, ne besuam në popullin shqiptar. Ne besuam në sovranitetin tuaj. Ne besuam në pavarësinë tuaj. Ne besuam në pavarësinë tuaj, ne besuam në forcën tuaj, në të ardhmen tuaj, ne besuam në ju, ne besojmë në Shqipërinë në Evropë dhe besojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një nder i madh për çdo ambasador amerikan që të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara këtu në Tiranë, Shqipëri, në këtë kryeqytet europian. Pra, faleminderit për këtë nder të madh, faleminderit për këtë libër, dhe miqësia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë rroftë edhe për një qind vjet, miqësia mes popullit shqiptar dhe popullit amerikan rroftë edhe për njëqind vjet të tjerë.
Faleminderit!