Deputetja e Partisë Demokratike në Shqipëri, Ina Zhupa ka shpërndarë sot lajmin për një kërkese nga Kurfuzi për të shfrytëzuar ujin e burimit të njohur të Syrit të Kaltër në Sarandë.
Në një postim në Facebook, Zhupa tha se transferimi i ujit të burimit nëntokësor të Syrit të Kaltër në Greqi “mund të jetë papërgjegjshmëria dhe çmenduria e radhës e qeverisë Rama”.
“Media greke ERT NEWS tregon se po përgatitet një marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë për të ndërhyrë tek Syri i Kaltër në Sarandë dhe për t’ia transferuar ujin e kulluar të burimit nëntokësor Greqisë”, ka shtuar Zhupa.
Sipas deputetes së PD-së, kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris ka ngritur sërish çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria: “Me ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne i jemi nënshtruar një propozimi/memorandumi teknik për furnizimin me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë në konsideratë dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studime ekzistuese si ai i Politeknikut (1991).”
Zhupa shton se Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002. Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do ishin kategorisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie kulturore.
“Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm por ska shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje e tillë e paligjshme në Syrin e Kaltër. Si mund të mendohej që kjo ndërhyrje e paligjshme të bëhej për të furnizuar Greqinë?!”, ka përfunduar postimin Zhupa.