“Non gratat” e Britanisë së Madhe, reagon sërish ambasada: Ky është vetëm fillimi

3 Minuta Lexim

Britania e Madhe njoftoi nisjen e një aksioni të gjerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke ndërmarrë sanksione ndaj 27 personave, mes tyre edhe disa shqiptarë, që kanë të bëjnë me të drejtën e qëndrimit të tyre në këtë vend si dhe lidhjet ekonomike.

Sanksionet britanike ishin paralajmëruar dhjetorin e kaluar nga ambasadori Alastair King Smith, gjatë një intervistë në A2 CNN me Merita Haklaj.

Ambasada britanike në Tiranë, e pyetur nga A2 CNN, nëse do ketë një publikim emrash të sanksionuar dhe nëse ata janë nga të dy krahët e politikës, biznese, media apo fusha tjera, u përgjigj se: “Legjislacioni i Britanisë së Madhe nuk lejon të jepen më shumë detaje. Britania nuk synon të marrë masa ndaj një institucioni, grupi apo partie. Janë individë të ndryshëm. Dhe kjo është “vala” e parë e masave në Shqipëri dhe me gjerë në Ballkan”.

I dërguari i posaçëm Londrës, për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, theksoi përmes një editoriali se individët shqiptarë të sanksionuar kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara. “Kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh të vlefshme për të ndaluar individët që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin, përfshirë emigracionin dhe ndërprerjen e lidhjeve ekonomike. Detajet e këtyre veprimeve nuk mund të bëhen gjithnjë publike”, tha Peach.

Ndonëse mbështet punën e organeve të reja të drejtësisë, autoritetet britanike besojnë se shumë persona të lidhur mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme, vijojnë të përfitojnë nga pandëshkueshmëria.

“Siç tregon edhe raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar, blerja e votës dhe keqpërdorimi fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare. Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë. Tani nevojiten ndryshime të tjera si dhe reforma zgjedhore”, thuhet në editorialin e të dërguarit për Ballkanin Perëndimor.

Peach nuk bëri publik sa janë personat e prekur nga këto sanksione dhe cilët janë ata. Por vuri theksin te mesazhi që Londra po kërkon të dërgojë. “Mesazhi i Mbretërisë së Bashkuar për të gjitha ata që janë përfshirë në krim apo korrupsion është ky: promovimi i krimit dhe korrupsionit, qoftë në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë nuk do të jetë pa pasoja dhe ju nuk do të jeni të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull