Detaje për gazetaren ruse që protestoi kundër luftës në Ukrainë

3 Minuta Lexim

Gazetarja televizive ruse, Marina Ovsyannikova, e njohur për protestën e saj të drejtpërdrejtë kundër luftës, është dënuar për “diskreditim” të forcave të armatosura të vendit.

Dënimi pasoi disa postime që ajo kishte bërë në mediat sociale, të cilat dënojnë veprimet e Moskës në Ukrainë.

“Provat konfirmojnë fajësinë e Ovsyannikovas. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në vërtetësinë e tyre”, tha gjyqtari pas një seance të shkurtër më 28 korrik, në të cilën Ovsyannikova e kishte përshkruar procedurën gjyqësore si “absurde”.

Marina Ovsyannikova ishte producente në televizionin shtetëror rus, Channel One.

Në fillim të këtij muaji, Ovsyannikova protestoi kundër pushtimit rus, me një mbishkrim “Putini është një vrasës, ushtarët e tij janë fashistë”, bashkë me disa foto të fëmijëve të vrarë në Ukrainë. Por, ajo nuk u ndalua nga autoritetet ruse në atë kohë.

Megjithatë, disa ditë më vonë, më 17 korrik, ajo u arrestua derisa ishte në shtëpinë e saj në Moskë.

Katër muaj më herët, më 14 mars, gazetarja ishte shfaqur në transmetim të drejtpërdrejtë gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror të Rusisë, Channel One, duke mbajtur një mbishkrim mbrapa prezantueses, në të cilin dënohej lufta në Ukrainë.

Mbishkrimi në rusisht thoshte: “Jo luftës. Ndaleni luftën. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë këtu”.

“Ndaleni luftën. Jo luftës”, kishte bërtitur ajo derisa prezantuesja ka qenë duke lexuar lajmet.

Ovsyannikova ishte producente në televizionin shtetëror rus në kohën e protestës së saj. Ajo u arrestua më vonë dhe u gjobit me 30.000 rubla (rreth 500 dollarë) nga një gjykatë për thirrje për protesta të paligjshme.

Ajo dha dorëheqjen nga Channel One dhe kaloi disa muaj jashtë vendit, përfshirë Ukrainën, duke shprehur vazhdimisht kundërshtimin e saj për luftën.

Në fillim të korrikut ajo u kthye në Rusi.

Rusia ka rritur ndalimet dhe ndjekjen penale të gazetarëve, aktivistëve dhe të tjerëve që sfidojnë linjën e Kremlinit në pushtimin e Ukrainës. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak”.

Televizioni shtetëror është burimi i vetëm i lajmeve për miliona rusë.

Ai mbështet linjën e Kremlinit, sipas të cilit Rusia është detyruar të veprojë në Ukrainë për ta çmilitarizuar këtë shtet dhe për ta denazifikuar, si dhe për të mbrojtur rusisht-folësit nga “gjenocidi”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull