“Hiqni kravatën, kurseni energji”. Kjo është motoja e re e Pedro Sanchez, kryeministrit të Spanjës, i cili të premten u shfaq pa kravatë në një konferencë shtypi dhe bëri thirrjen që shembullin e tij ta ndiqnin, ndërkohë që Spanja kohët e fundit u përball me një valë të nxehti. Sipas kryeministrit kjo është një masë e kursimit të energjisë në vapë.
“Unë do të doja që ju të shihni se unë nuk kam veshur kravatë,” u tha Sanchez gazetarëve.“Kjo do të thotë se ne të gjithë mund të kursejmë energji. Kështu që unë u kam kërkuar të gjithë ministrave dhe vendimmarrësve publikë të ndjekin shembullin”, vuri në dukje ai.
“Dhe gjithashtu do të doja të kërkoja nga sektori privat që nëse nuk e kanë bërë akoma, kur nuk është nevoja, as të mos mbajnë kravatë sepse në këtë mënyrë të gjithë do të kontribuojmë në kursimin e energjisë”, shtoi ai.
Këshilla befasuese e Sanchez vjen disa ditë pasi BE ra dakord për një plan të paprecedentë për të ulur konsumin e gazit me 15% nga tani deri në mars. Plani do të jetë fillimisht vullnetar, bazuar në masa të tilla si kufijtë e temperaturës në sistemet e ftohjes dhe ngrohjes, ndërrimi i karburantit dhe fushatat ndërgjegjësuese.
Blloku dëshiron të kursejë 45 miliardë metra kub gaz për të siguruar një dimër të sigurt në rast se Kremlini ndërpret totalisht furnizimet në shenjë hakmarrjeje për sanksionet perëndimore të vendosura në mes të luftës në Ukrainë.
Është e paqartë nëse apeli i Sanchez shënon fillimin e një fushate publike zyrtare dhe çfarë veshjesh do t’u kërkojë ai spanjollëve të tjerë të heqin dorë më pas.