Erdhi koha të pyesim?

9 Minuta Lexim
Nga Spartak Ngjela
Kush e disponon sot agjenturën e Sigurimit të Shtetit që ka funksionuar gjatë regjimin komunist në Shqipëri? Sepse, befas, ish presidenti Meta na doli si agjent i policisë sekrete të komunizmit në Shqipëri.
Por çfarë ishte kjo polici sekrete që drejtohej nga Sigurimi i Shterit në Tiranë dhe çfarë ndodhi me të pas rënies së komunizmit?
Po me agjenturën e Sigurimit të Shtetit çfarë ndodhi pas rënies së komunizmit? Ku shkuan gjithë ata agjentë që shqiptarët i quanin dhe i quajnë spiunë, dhe që përbënin rreth 20% të popullsisë?
I.
Atëherë, na duhet të theksojmë se…
Në Shqipëri këtë polici sekrete, si agjenturë e kishin, në disponim zyrëtar, operativët e Sigurimit të Shtetit, dhe secili prej tyre punonte me fashikujt e tij nën një regjim të rreptë sigurimi.
Sigurimi i Shtetit administrohej në të gjithë territorin e Shqipërisë me anë të operativëve dhe këta ishin administratorët thelbësorë të ushtrimit të forcës tiranike të shtetit.
Operativët ndiqnin me teknikë dhe me agjenturë cilindo individ që dyshohej si kundërshtari i rgjimit komunist, por edhe çdo individ tjetër që e godisnin për terror, për të krijuar ndjenjën e frikës nëpër rrethe të caktuara shoqërore.
Prandaj, çështja Meta nuk mund të quhet një çështje e thjeshtë, të cilën mendojmë ta trajtojmë në këtë shkrim brenda aspekteve të caktuara të gjendjes korruptive në Shqipëri dhe, gjithashtu, edhe brenda ndërthurjes midis së kaluarës komuniste dhe kësaj që po ndodh sot në Shqipëri.
E pra, çfarë ishte në thelb denoncimi që iu bë këto ditë ish presidentit Meta, i akuzuar publikisht si ish agjent i policisë sekretet të komunizmit, d.m.t. Sigurimit të Shtetit?
ll.
Ka disa ditë që po bëhet zhurmë rreth denoncimit publik që i është bërë ish kryeministrit, ish kryetarit të kuvendit dhe ish presidentit të republikës, Ilir Meta, si agjent i policisë sekrete të komunizmit. Por kjo, ndërkaq ka krijuar në Shqipëri një goditje të rëndë për moralitetin e qeverisjeve në këta 32 vjetët e periudhës paskomuniste.
Sigurisht që kjo, para së gjithash, është një shkelje ligji nga komisionet shtetërore të verifikimit të figurës, dhe, brenda kësaj, është edhe një vepër penale.
Kurse Meta, në vend që të futet në mbyllje shtëpi, ai, me një fytyrë prej mjerani në hall, kërkon të vijojë gënjeshtrën e karakterit të spiunazhit të tij. Por…
Juridikisht, kjo ka vetëm një pyetje: a është firma e Metës ajo që ndodhet në dokumentin e bashkëpunimit si agjent i Sigurimit të Shtetit?
Po ka firmë, Metë mavria lodhet kot.
lll.
Por, gjithsesi këto shfaqje të zakonit të vjetër nuk janë më të kohës… dhe prandaj shqiptarët kjo gjendje edhe po i bezdis, por edhe e ndjejnë që, dokumenti i Metës, nuk është një gjë e vetme e tani, sepse kjo që ndodhi, në Shqipërinë e sotme është fenomen.
E pra, intelektualizmi shqiptar po pyet: Si, nuk e dini ju që, nga viti 1992 e deri më sot, këta agjentë spiunish kanë krijuar në qeverisjen e Shqipërisë korrupsionin e lartë shtetëror?
Ende nuk e dini që kjo agjenturë shkatërroi në Shqipëri 500 uzina e fabrika gjatë viteve 1992 – 1997 dhe, edhe më tej?
Po pse, ju ende nuk e dini që ky shkatërrim ka qenë kërkesë e Athinës dhe Beogradit, sidomos e Beogradit?
Por ka edhe diçka që është më thelbësore.
Dhe le ta sqarojmë…
lV..
Sipas informacionit të saktë që kam, më lejoni t’ju them se, ne vitet 1991, 1992, 1993 drejt Athinës u lëshuan dhe ikën pjesa më e madhe e operativëve të Sigurimit të Shtetit. Dhe një pjesë e vogël e tyre edhe drejt Beogradit.
Duhet të kujtohemi, se agjentura e Sigurimit të Shtetit drejtohej nga operativët.
Çdo operativ i Sigurimit kishte nën drejtimin e tij agjenturor një numër jo të vogël agjentësh, të cilët e kishin kthyer Shqipërinë e Enver Hoxhës në një spiunazh tërësor.
Por çfarë ndodhi me operativët në vitet 1991, 1992, 1993?
Ata, në fakt u trembën nga përmbysja e diktaturës dhe u derdhën drejt arratisjes jashtë Shqipërisë.
Por…
Shumica dërmuese e operativëve të Sigurimit në këto vite emigruan në Greqi, dhe, në Athinë. Por këta tani është e provuar se, për të shpëtuar kokën dhe për të fituar para, e shitën me dorëzim të plotë dokumentar, të gjithë agjenturën sekrete të Sigurimit të Shtetit, të cilën ata e dispononin si opetativë.
Por, cili është fakti që po sjell unë?
E pra…
Sipas informacionit tim të sigurt, të gjithë operativët e Sigurimit të Shtetit që u arratisën në Greqi, në vitin 1991, 1992, 1993 e shiten aty agjenturën qe e dispononin sipas listave dhe adresave që i kishin nëpër dosjet e tyre të punës.
Ja, kjo është thembra e Akilit në këtë çështje, sepse shumica e agjenturës së Sigurimit u aktivizua nga shërbimi sekret i Athinës dhe Beogradit. Por përqindja dërmuese shkoi në Athinë.
Kjo është zanafilla e tragjedisë së re të shqiptare që ia sollën sërish operativët e Sigurimit të Shtetit.
Dhe duhet të kuptohemi se agjentura e dorëzuar në shërbimin sekret të Greqisë, Serbisë por edhe Rusisë, me segmente të caktuara kohore, ka drejtuar qeverisjen në Shqipëri. Domethënë, e ka drejtuar në favor të shteteve që historikisht kanë pushtuar territoret e Shqipërisë.
V.
Për këtë çështje çdo intelektual që shkruan ka të drejtë të akuzojë kohën, të mendojë se komunizmi ka qenë i gjallë në Shqipëri me një lëkurë tjetër. Ka të drejtë ta shohë gjendjen e rënduar të shoqërisë shqiptare dhe mungesën e zhvillimit si pasojë e faktit që Shqipëria në këta tridhjet vite ka qenë e drejtuar nga Sigurimi i Shtetit me anë të ish agjentëve të tij të Sigurimit të Shtetit.
Por…
Në një gjykim të përgjithshëm kjo ka brenda një aspekt letrar të analizës, dhe jo të së vërtetë. Prandaj gjendja tridhjetëvjeçare e drejtimit të Shqipërisë nga fraksionet e ish komunistëve duhe të mbështetet në fakte që krijojnë gjykimet e vërteta të analizës.
Prandaj, në funksion të kësaj analize, duhet të pyesim: A mundet që rasti Meta të përmbajë brenda vetes të gjithë introduksion e degradimit paskomunist në Shqipëri? A mjafton rasti Meta për të arsyetuar të keqen aktuale si rrjedhojë e ligësisë se Sigurimit të Shtetit, me ish agjentëve e tij që drejtuan Shqipërinë në 31 vite rresht?
Jo. Ky rast nuk e krijon.
Duhet që brenda analizës ne t’i qëndrojmë faktit kryesor: që operativët e ish Sigurimit të Shtetit shitën agjenturën e tyre në Greqi, në Serbi por edhe në Rusi. Por, pikërisht këta agjentë, me padron tjetër tani, në 30 vite kanë sjellë një dëm shumë të madh në qeverisjen e Shqipërisë dhe e kanë dëmtuar shumë zhvillimin e Shqipërisë. Sepse janë pikërisht këta që krijuan krizën e vitit 1997; janë këta që, duke qenë në qeverisjen e Shqipërisë, shkatërruan 500 fabrika dhe uzina, prenë miliona pemë frutore, dogjën dhe shkatërruan 20 mjë ha vreshta etj, etj.
Prandaj…
Ky fenomen që analizuam për agjenturën e Sigurimit të Shtetit përbën karakterin retrograd të drejtuesëve: presidentë dhe kryeministra, ministra e deputetë në këta 30 vite të historisë së Shqipërisë. Dhe kjo është arsyeja që shumica e tyre kanë qenë me karakter negativ kundrejt Shqipërisë.
Por tani, gjithçka po shkon drejt shkatërrimit të këtij fenomeni të lig antishqiptar.
Prisni dhe shikoni…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull