Ndarja nga jeta në Shqipëri si pasojë e një arresti kardiak e tregtarit të armëve Andrzej Izdebski, kthehet në një çështje ndër-qeveritare mes Shqipërisë dhe Polonisë.
Kryeministri Polonisë Mateusz Morawiecki në një konferencë për mediat u pyet për këtë çështje e kthyer tashmë në një mega-skanal pasi Andrzej Izdebski premtoi gjetjen e 1,241 respiratorë me vlerë 53 milion dollarë por nuk mundi ti sigurojë ato gjatë nisjes të pandemisë Covid19.
“Nga informacionet që unë kam zëvendës kryeministri është vënë në kontakt me qeverinë Shqiptare. Kjo ka ardhur pas një kërkese të familjes. Jemi duke u konsultuar me palën shqiptare. Të gjitha informacionet që ngrinin dyshime janë ndarë me familjen e të ndjerit dhe qeverinë Shqiptare“, shprehet kryeministri polak.
Kryeministri Polonisë nuk dha detaje të tjera se çfarë bashkëpunimi ka kërkuar nga qeveria Shqiptare, në një kohë kur raporti policisë së shtetit dhe autopsia mjeko-ligjore kanë mbërritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një vdekje natyrale.
Sipas medias polake, 13 ditë pasi Andrzej Izdebski u gjet pa jetë trupi i tij u kthye në Poloni dhe familja vendosi ta kremojë pranë varrezave të qytetit Lodz.
Tomorr Baruti administrator në pallatin ku jetonte me qira Andrzej Izdebski, i tha gazetës polake Fakt se “ në 20 Qershor, pasi nuk mundën të hapnin derën e apartamentit me çelës nga jashtë, hyri në atë banesë nga dritarja bashkë me një zjarr-fiks dhe e gjetën 73-vjeçarin të pajetë në krevat”.
Andrzej Izdebski mori me vete në botën tjetër misterin se ku shkuan miliona dollarë që ai u parapagua prej qeverisë polake për blerjen e respiratorëve./ TCH