Zbulimi se një personalitet i rëndësishëm i jetës politike shqiptare ka qenë spiun i ish-sigurimit të Shtetit në periudhën e komunizmit ka sjellë debate të shumta mes palëve, por edhe nisma.
Këto të fundit kanë të bëjnë pikërisht me hapjen e dosjeve për periudhën 1944 – 1991.
Ndonëse, kjo është premtuar që në qershor të vitit 1992, ende nuk është realizuar plotësisht.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dërguar nismat e tyre për ndryshime ligjore lidhur me transparencën e dosjeve të ish- Sigurimit.
E para, mazhoranca ka dy kërkesa: informim rreth dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Në nismat ligjore të PS-së kërkohet verifikimi i të gjithë personave edhe pse kanë marrë certifikatën e pastërtisë si dhe verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.
Kjo nisëm u dorëzua nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
“Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre”, tha ajo.
Edhe, Partia Demokratike përmes deputetit, Kreshnik Çolllaku, depozitoi në Kuvend një projektligj për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1991.
Sipas tij, kjo nisëm do të bëjë transparencë dhe do u jap të drejtën të gjithë personave të mësojnë se çfarë u ka ndodhur familjarëve të tyre gjatë regjimit të egër komunist.
Kështu shtatori në Kuvend pritet të sjellë një maratonë të gjatë diskutimesh për premtimin e pambajtur: hapjen e dosjeve.
Diskutimi dhe miratimi i fundit ishte në vitin 2008 nën Qeverisjen e Sali Berishës.
Asokohe, Parlamenti votoi për hapjen e dosjeve sekrete të epokës komuniste për të kontrolluar kandidatët për poste.
Por opozita dhe gjyqtarët e panë atë si një manovër për të mënjanuar rivalët dhe jo për të pastruar shoqërinë nga faji.
Ligji u miratua vetëm me votat e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.
Ata shpërfillën edhe apelin e Shteteve të Bashkuara për shtyrjen e votimit për të lënë kohë për konsultime të gjera.
Partia Socialiste – atë vit në opozitë – e pa ligjin, si një përpjekje e Berishës për të shkarkuar prokurorët që hetonin korrupsionin.
Kjo pasi në ligj u shtua një klauzolë, e cila shpjegonte se politikanët dhe figurat publike të certifikuara si të pastra nga disa komisione të mëparshme nuk do të hetohen më.
Nën sundimin 40-vjeçar të diktatorit stalinist Enver Hoxha, 5 mijë e 37 burra dhe 450 gra u ekzekutuan dhe deri në 34 mijë e 135 njerëz u burgosën, duke përfshirë 1 mijë që vdiqën dhe 308 që u çmendën.
Gjatë këtij regjimi, Sigurimi i Shtetit torturoi mijëra persona për motive politike.
Veprimtaria e tij nuk është ndriçuar asnjëherë.
Përveç zyrtarëve drejtues të Sigurimit dhe krimeve të tyre, në hije kanë mbetur edhe mijëra bashkëpunëtorë të këtij shërbimi dhune e terrori, dhe gjatë 3 dekadave në demokraci.