“Djali” çeçen i Putinit reagon për situatën në Kosovë, paralajmëron “pasoja të mjerueshme për umetin mysliman”

3 Minuta Lexim

Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë, e ka akuzuar NATO-n për tensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Kadyrov përmes një reagimi në Telegram tha se e njeh mirë presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe se beson se ai “e kupton shumë mirë se çfarë është NATO”.

“Kjo është një situatë shumë komplekse në të cilën ekziston një palë e tretë e nxitësve – NATO”, shkroi ai.

“Serbia është një vend që mbështeti hapur Rusinë në luftën kundër nazizmit dhe satanizmit në Ukrainë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilin unë e njoh mirë, e kupton shumë mirë se çfarë është NATO dhe çfarë metodash përdor aleanca për të nxitur konflikte”, shtoi Kadyrov.

Ai thotë se NATO “po përpiqet t’i korruptojë vendet me vlera tradicionale në një tufë njerëzish të ligj me instinkt kafshësh pa fe dhe nder”.

“Djali” çeçen i Putinit ia qau hallin “umetit mysliman të Kosovës”, duke thënë se për ta pasojat “do të jenë të mjerueshme”, përcjell Express.

“NATO tashmë deklaron gatishmërinë luftarake dhe tërheq forcat e saj deri në kufi. Në rast të armiqësive, pasojat për umetin mysliman të Kosovës do të jenë të mjerueshme, pavarësisht nga përfundimi. Po, do të ketë një fitues – e ashtuquajtura Europa progresive. Ndërsa Ballkani do të luftojë, i gjithë Perëndimi do të qëndrojë prapa dhe do të japë fishekë, por do të jetojë në paqe, duke protestuar herë pas here kundër shkeljes së të drejtave të satanistëve, duke diktuar prioritetet e tyre në botë”, ka shkruar Kadyrov.

Duke e ldihur gjithçka me “satanizmin”, ai pati një thirrje për shqiptarët dhe serbët.

“U bëj thirrje serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës që ta largojnë Iblisin e NATO-s nga ekuacioni dhe të mendojnë për të ardhmen e tyre”, shkroi ai.

Kadyrov, i cili sundon republikën brenda Federatës Ruse, por mban edhe titullin e gjeneralmajorit në Gardën Kombëtare të Rusisë, raportohet të ketë dërguar rreth 10 mijë trupa nga shteti i tij në Ukrainë, për t’i ndihmuar rusët në pushtimin e vendit fqinj.

Kadyrov, i cili në të shkuarën ka luftuar kundër dhe në krah të Rusisë në luftërat në Çeçeni, njihet për brutalitetin dhe sundimin me dorë të hekurt në vendin e tij, ku mendohet se ka kryer edhe ekzekutime pa vendime gjykate.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull