Një shpresë filozofike për Europën lindore

13 Minuta Lexim

Gresa Rrudha

Në përgjithësi, vitet ‘800, janë quajtur “shekulli i nacionalizmit”, ndërsa vitet ‘900, kryesisht në gjysmën e tyre të parë duket të jenë sunduar nga një filozofi krejt e kundërt. Socializmi dhe liberalizmi, në planin ideologjik, u shndërruan në realitete historiko-sociale që arritën të diktohen më tepër në planin ndërkombëtar se sa në planin nacional dhe lokal.

Megjithatë, nacionalizmi në vitet e fundit në Europë ka fituar një spikatje të veçantë, duke u kthyer në një burim konfliktesh të një rëndese që është vështirë të anashkalohet. Për t’i kuptuar sa më mirë këto fenomene, duket i nevojshëm një qartësim konceptual, mbi faktin se si arrijnë të përkufizohen idetë e nacionalizmit nga njëra anë dhe të kombit nga ana tjetër. Përsa i përket konceptit të nacionalizmit, mund të dallohen katër elementë që pështjellohen shpesh shumë lehtësisht.

I pari që konstituohet nga identiteti kombëtar, është një produkt kulturor dhe social, që i ngjan diçkaje fluide. Është një proces në ndryshim të vazhdueshëm, që duhet përkujdesur çdo herë. Elementi i dytë ka të bëjë me formimin e shtetit dhe përfaqëson një problem të një natyre krejt tjetër. Është procesi nëpërmjet të cilit shteti krijon strukturat që kapilarisht mbushin trupin e territorit të tij. Pika e tretë janë pikërisht lëvizjet nacionale ose ndryshe lëvizjet politike që synojnë aktivitetin e pavarësisë kombëtare. E në fund, elementi i vetë nacionalizmit, i cili ashtu siç trajtohet në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, është një fenomen më hapësirë-ngushtë, që i referohet një programi specifik politik.

Nisur nga ky këndvështrim, historia e Shqipërisë duket të ketë njohur pa dyshim lëvizje nacionaliste, si ajo që udhëhoqën Rilindësit tanë deri në shpalljen e pavarësisë, por jo një program të vërtetë të nacionalizmit, në kuptimin e tij më të thellë të fjalës. Diçka e tillë bëhet akoma dhe më e qartë nëse shqyrtohen interpretimet që jep filozofia politike për këtë temë. Ato mund të mblidhen në tre të tilla. I pari është ai që pranon ekzistencën e përhershme të një kombi, edhe jashtë prej historisë. Interpretimi i dytë konsiston në faktin se kur një komb arrin në pavarësinë e tij të vërtetë dhe në formimin e shtetit-komb, patriotizmi i tij kombëtar, që vijon, shfaqet në një lloj mënyre si një ndjesi instiktive, që e bashkëndajnë të gjithë qytetarët, e që për rrjedhojë, është më e fortë se lidhjet dhe format e tjera të besnikërisë ndaj atdheut, aq sa në kohë lufte qytetarët shfaqen të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për të.
Elementi i tretë që i lidh së bashku dy të parët, paraqitet nga hamendësimi ose hipoteza (e shprehur më qartësisht nga ana e Hegelit) se fati i kombeve është pashmangshmërisht shteti-komb. Ky i fundit, duket tashmë të jetë kapërcyer në projektin e Europës së Bashkuar, kah të cilit priren të bashkohen edhe vendet e Ballkanit (e midis tyre edhe Shqipëria). Por, nëse do të shihnim mënyrën e formimit të shtetit shqiptar dhe ekzistencës së një gjuhe e një kombi edhe përpara tij, nënkuptojmë qartë se patriotizmi duket të ketë qenë një element shumë më mbizotërues se nacionalizmi në historinë e tij. Për këtë arsye, ideali i ndërgjegjies sonë kombëtare, duhet të priret pikërisht kah këtij të fundit. Aq më tepër që dallimi midis këtyre dy nocioneve ka qenë një nga nyjet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore, të cilën në vitet 30-të të shekullit XX e trajtoi në mënyrë të thellë e gati shteruese njëri nga filozofët më të mëdhenj të asaj kohe, Henri Bergson, në veprën e tij të fundit madhore “Dy burimet e moralit dhe fesë”, ku ai i vendos në një kontrast vendimtar midis tyre patriotizmin dhe nacionalizmin.

U shfaq si një tragjedi, gjatë periudhës së luftërave botërore, fakti i errësimit nga e politikës dhe kulturës europiane, i përgjegjshmërisë së qartë të diferencës midis tyre. Një diferencë kjo e injoruar prej një kohe të gjatë dhe nga e majta, që si qenësi ideologjike duhej të kishte prioritet të kundërtën, ashtu siç e vërteton në librin e tij historiani i famshëm me orientim marksist Erik Hobsbaum në veprën e tij “Kombet dhe nacionalizmi që nga viti 1780”. Gjithsesi, një dallim i tillë duket të ketë mbizotëruar gjatë shekullit të shkuar, ndërkohë që në dy-tre dekadat e fundit, si pasojë e intesifikimit të projekteve integruese midis kombeve, është shfaqur si problematik një raport tjetër, ai midis nacionalizmit dhe kozmopolitizmit.

Në çdo epokë të shënjuar të Qytetërimit, ndjenja e kozmopolitizmit duket të ketë lindur si pasojë e lodhjes kombëtare ose lodhjes politike. Vetë romakët, në kohën e kulmit të qytetërimit të tyre, thoshin “Ubi bene, ibi patria”. Teori të tilla filluan të përsëriten shekuj pas shekujsh, ndaj është mjaft e përhapur sot ideja se kozmopolitizmi nuk është gjë tjetër veçse një nga shfaqet e shumta të Qytetërimit. Në aspektin filozofik, ai që e ka trajtuar mbi baza më të forta teorike dhe metodologjike problemin e raportit mbi kozmopolitizmin dhe nacionalizmin, është Kanti, duke marrë shkas nga ai debat i madh i kohës së tij, midis mbështetësve të një koncepti unitar të njerëzimit (të quajtur kozmopolitët ala Volter) dhe mbrojtësve të origjinalitetit dhe individualitetit të karaktereve etnikë dhe nacionalë (nacionalistët ala Ruso).

“Kur e konsiderojmë njerëzimin si një të tërë”, shpjegon filozofi i madh, “ose vetëm në pjesët e tij të veçanta që mund t’i konsiderojmë si individualitete historike (p.sh. kombet, racat apo popujt), duhet të bëjmë mjaft kujdes, sepse të gjitha këto janë ide të arsyes dhe jo koncepte të intelektit. Ato duhet të trajtohen si maksima “të një përdorimi empirik”, pa pasur pretendimin të kenë një vlerë objektive, sikur të qenë dy gjëra krejt të ndryshme, pasi ato nuk janë në kontradiksion me njëra-tjetrën. Në këtë kuptim, midis kozmopolitizmit dhe nacionalizmit nuk ekziston asnjë antinomi reale, për shkak se gjinia njerëzore ose popujt në veçantinë e tyre nuk janë entitete në vetvete, të përjetshme dhe të pandryshueshme, por mënyra të ndryshme të kuptimit dhe interpretimit të realitetit njerëzor, ashtu siç ai shfaqet dhe manifestohet në histori.

Për realitetin shqiptar, raportet duket se janë tashmë të përcaktuara nën emrin e nacionalizmit dhe mund të shprehet shumë mirë me fjalët e Branko Merxhanit, edhe pse formimi i së ardhmes të qenin “qytetar i botës” e quan një pjesë thelbësore: “kozmopolitizmi nuk mundi ende të futet në palcën time, të trazohet në dejet e mija, të bëhet prona ime dhe ndjenja ime. Mund ta kuptoj vetëm me logjikë por ndjenja ime nuk është”.
Gjithsesi, më i rëndësishëm dhe më strategjik mbetet raporti i të sotmes shqiptare me të ardhmen integruese europiane. Sesi duhet interpretuar kjo lidhje dhe ç’ drejtim do të qe më i duhuri për të arritur që ajo të forcohet sa më shpejt, ka qenë gjithmonë një prioritet i politikës, por shumë pak ajo është trajtuar nga pikëpamja filozofiko-sociologjike. Një ndihmesë të madhe në këtë shqyrtim na jep një libër i famshëm i Zigmunt Baumanit me titull “Sikleti i postmodernitetit”. Duke perifrazuar një sprovë të njohur të Frojdit, me titull “Sikleti i qytetërimit”, autori shkruan se parimi i realitetit në epokën moderne kishte mbizotëruar mbi parimin e kënaqësisë. Njeriu modern, sipas Frojdit, kishte shkëmbyer kështu një pjesë të lumturisë së vet për pak më shumë siguri. Sot, përcakton Bauman, është përsëri parimi i kënaqësisë ai që është kthyer edhe një herë tjetër dominues. Liria e skajshme personale dhe parimi i mbizotërimit të kënaqësisë i nxisin njerëzit postmodernë të provojnë ndjesi gjithmonë të reja e të ndryshme. Ky kërkimi spazmodik arrin të shkatërrojë çdo mur dhe çdo lloj rregulli social, duke përfshirë këtu edhe atë mbrojtje sociale të garantuar nga sistemi apo atë minimum dinjiteti të shtresave më të varfra.

Në këtë kuptim, për Bauman, liria duhet të jetë gjithmonë një liri sociale, ashtu siç mund të thuhet edhe për të drejtat e njeriut që janë një projekt i gjithë shoqërisë. Për këtë arsye, një projekt politik postmodern do të duhet të frymëzohet nga parimi i trefishtë i lirisë, diferencës dhe solidaritetit. E lidhur ngushtë me këtë koncept të lirisë është dhe reflektimi i autorit mbi procesin e integrimin europian. Për herë të parë, shpjegon ai duke cituar Galbraith, në fillim të shekullit të ri në vendet perëndimore zgjedhësit parapëlqyen një politikë që favorizonte rritjen e pabarazisë sociale.

Për rrjedhim, këtë fytyrë të Europës nisën ta njohin më mirë qytetarët e vendeve post-komuniste. Një Europë egoiste, jo mikpritëse ndaj vëllezërve të tyre të Lindjes dhe Ballkanit, të gatshme të heqë dorë nga politika e solidaritetit me bindjen e pasojave mirëbërëse të një tregu pa rregulla.

Duke analizuar rrugëtimin e vendeve post-komuniste, ai i përcakton ato si “ekonomi politike të durimit”, pasi në thelb, gjatë këtyre dekadave, lirisë së fituar nuk iu shoqëruan lumturia dhe mirëqenia e individëve të këtyre shoqërive. Është pikërisht durimi virtyti nëpërmjet të cilit do të duhej të kapërcehej pasiguria e punës dhe varfëria pllakuese, në shkëmbim të mirëqenies së të ardhmes. Mirëpo, Bauman i fton Europianët e Lindjes dhe Ballkanit të ndjekin si vijë udhëheqëse parimin e “ekonomisë politike të shpresës”; kjo ekonomi nënkupton faktin që “ndërgjegjja e konsideron bazike jo vetëm shpejtësinë e ndryshimeve, por edhe drejtimin e tyre”. Për këtë arsye Bauman këshillon rikthimin te politika dhe te ndërtimin i shoqërisë sipas një drejtimi të vendosur kolektivisht e të verifikuar në zhvillim e sipër.

Të kesh durim, sipas tij, do të thotë të pranosh pa dyshime se liria dhe pabarazia provojnë një rezultat më të mirë nga ai që prodhuan në vite regjimet komuniste. Ndërsa të kesh shpresë nënkupton të pyesësh se deri në ç’pikë pabarazia gjithnjë në rritje arrin të prodhojë fryte të njëjtë. Për Baumanin, ekonomia politike e shpresës që i ka të gjitha mundësitë të zhvillohet në vendet e Lindjes, do të duhet të përfaqësojë edhe një shpresë-shembull për të gjitha demokracitë europiane. Nëse të kënaqurit me pabarazinë janë ende shumicë në Perëndim, bashkudhëtarë të iluzionit se ajo arrin të sjellë mirëqenie dhe pasuri, atëherë vitaliteti i demokracisë do të jetë gjithmonë në rrezik, pasi kështu ajo priret të shndërrohet në një rutinë procedurale.

Në një vend si Shqipëria ku në pikëpyetje është jo vetëm demokracia, por edhe “ekonomia e durimit”, ku pabarazia është lufta më e madhe që Shqipëria mund të ketë në të ardhmen e saj integruese, bëhet gjithnjë e më urgjente drejtimi i të gjithë programit tonë politiko-shoqëror të së sotmes shqiptare kah “ekonomisë së shpresës”, sepse ashtu siç thekson autori, do t’ i jepnim kështu edhe një rinovim thelbësor jo vetëm demokracisë sonë, por edhe gjithë sistemit tonë vend.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull