Sebastian Zonja
Poeti kuksian Havzi Nela është dënuar me vdekje për akuzën e kundërshtisë ndaj forcave të rendit dhe tentativë vrasjeje. Ai nuk është varur në trekëmbësh pse shkruante poezi.
Kastriot Dervishi ka sjellë fakte për standarde të dyfishta nën regjimin komunist, ku ka pasur falje nga Presidiumi për persona që kanë kryer krime, por për Hazi Nelën varja u bë për tentativë vrasjeje.
Makabriteti që ndjek pas vrasjen e tij, në mes të qytetit, i varrosur më këmbë, tregon se aty nuk kemi të bëjmë thjesht me një person që kundërshton forcat e rendit.
Rasti i Havzi Nelës është shumë interesant. Afër fundit të regjimit kriminal komunist, kur pushteti po kalonte me marifet te një elitë e re e përgatitur me shumë kujdes, pushtetarët e kohës vendosën ta varin Havzi Nelën.
Pse?
Historinë e jetës së tij dhe akuzat bajate politike i kemi dëgjuar të gjithë – hajdutë që bërtasin kape hajdutin, spiunë që ulërasin linçoje spiunin dhe vrasës që klithin po zbatonim ligjin.
Fantazma e tij, mjerimi dhe poezia e tij e ka ndjekur demokracinë shqiptare si hije – komunistët për krimin makabër, antikomunistët për betejën e humbur për t’ja mbrritur një demokracie të shëndetshme.
– A u mbajtën në punë edhe në pluralizëm ata që firmosën e vulosën për varjen e poetit?
– Kush e dha urdhërin për varrosjen e Hazvzi Nelës më këmbë? Ai u varros më këmbë në një gropë të hapur për të vendosur shtyllë tensioni.
– Atë e spiunuan njerëz të afërm dhe miq për të fituar besimin e pushtetit. Pse nuk janë hapur për publikun dosjet e spiunëve?
– Ka pasur disa persona që e kanë goditur me gur dhe pështyrë kufomën nën trekëmbësh. Çfarë na bëri ai sistem që shkuam deri në pikën kur s’kemi respekt për kufomën?
– Flitet se trupin e tij e kanë shëtitur nëpër qytet të nesërmen e varjes në trekëmbësh. Kush e ka kryer këtë akt makabër?
– Eshtrat e tij janë gjetur, por mungonte koka. Sa të tjerë kanë humbur familjarët e tyre dhe nuk kanë mundësi për një vend ku t’i qajnë?
Me përthyerjen politike që ka marrë sot historia, na del se xhelatët e atij sistemi ishin Kristaq Rama, Vitori Çuri e Emine Guri dhe demokrat i shquar ishte Ramiz Alia.
Poeti Havzi Nela u var me dy firma: me firmën e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë, dhe me firmën e sekretarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Sihat Tozaj. U var në trekëmbësh, pasi diktatori i fundit, vazhduesi i Enferr Hoxhës, Presidenti i Republikës, Kryekomandanti i Forcave të Armatosura, udhëheqësi më i lartë i Partisë, i plotfuqishmi dhe stërfuqishmi i vendit, i refuzoi të dënuarit me vdekje kërkesën për falje jete.
Ata që bërtasin dhe shkruajnë se Havzi Nelën e vari Kristaq Rama, duke lënë në hije Ramiz Alinë, duhet të na tregojnë se sa të tjerë varën 19 anëtarët e mbetur të Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor?
Po Emine Guri sa ka varur, dhe kë?
Po nënkryetarja e Presidiumit, Vitori Çuri, sa dhe kë ka varur?
Për shkak të luftës politike, na e nxorrët diktatorin Alia shpëtimtar jetësh: Kristaq Rama doli kryexhelati, që bashkë me Eminenë e Vitorinë i hidhnin litarin në qafë armiqve, e Ramizi nuk bënte gjë tjetër veçse e hiqte litarin… Ata vër litar, e Ramizi hiq.
U lodh babai i qelbësirave, Ramiz xhelati, duke hequr litarë nga qafa e antikomunistëve e duke shpëtuar djemtë shqiptarë nëpër klone, që nga 11 prilli i ’85-ës, e deri në qershor të ’91-shit.