GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ

14 Minuta Lexim
Nga Frank Shkreli
Nga Korea e Jugut, në Kazakistan, nga Rumania në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shumë vende të tjera të botës, njihet emri, ndihet zëri, përkthehen dhe lexohen veprat dhe sidomos poezitë e poetit, shkrimtarit, përkthyesit dhe kritikut letrar shqiptaro-amerikanit të shquar nga Malësia e Madhe, Z. Gjekë Marinaj.
Dr. Gjekë Marinaj ka lindur në fshatin Brrut të Kastratit në Malësi të Madhe në vitin 1965. Është larguar nga Shqipëria në qershor të vitit 1991 për të emigruar në Shtetet e Bashkuara. Është i njohur, botërisht, tanimë si poet, shkrimtar, përkthyes, kritik letrar dhe themelues i Teorisë së Protonizmit – një formë kjo e kritikës letrare që ka për qëllim të promovojë paqën dhe të menduarit pozitiv. Ndër të tjera detyra, Dr. Marinaj, është drejtor i Shtëpisë Botuese Mundus Artium Press dhe Redaktor i revistës Mundus Artium. Aktualisht, Dr. Marinaj jep mësim në Richland College të shtetit Teksas. Është autorë i dyzina librave në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Gjekë Marinaj është gjithashtu themelues dhe ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Dr. Gjekë Marinaj vazhdon të jetë afër komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të cilën ai ka themeluar dy dekada më parë – siç ishte rasti i festimit të 20-vjetorit të themelimit të saj në Nju Jork, fund vitin e kaluar. Frank Shkreli/ Kronikë nga komuniteti shqiptaro-amerikan: 20-vite krijimtari letrare në Amerikë | Gazeta Telegraf – Zotit Marinaj mban gjithashtu titullin e lartë, “Ambasador i Kombit”, nga Republika e Shqipërisë.
Duke marrë parasysh veprat dhe punën e palodhëshme të poetit e shkrimtarit shqiptaro-amerikan, Gjek Marinaj, është gjithmonë një kohë e përshtatëshme dhe plot arsye për të shkruar për arritjet e tija si poet, shkrimtar, edukator, activist I komunitetit, e tjera. Por, po përdor sot rastin që të njoftoj lexuesit shqiptarë në diasporë, në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve tona, për dy dekorata ndërkombëtare, dorëzuar kohët e fundit, Dr. Gjekë Marinajt — njëra nga Rumania e tjetra nga Kazakistani.
Në një njoftim për media e datës 7 gusht, 2022 (Press release), botuar në një numër portalesh anglisht në internet — Awards in Kazakhstan, Romania Celebrate Gjekë Marinaj’s Literary Achievements – Digital Journal — thuhet se, “Si pjesë e misionit të vazhdueshëm të zhvillimit të diplomacisë kulturore nepërmjet letërsisë, Dr. Gjekë Marinaj PHD, është dekoruar me dy çmime të rëndësishme – një në Azinë Qendrore dhe tjetri në Evropën Lindore. Në Maj të 2022, Dr Gjekë Marinaj, një poet, shkrimtar, përkthyes dhe kritik letrar Shqiptaro-Amerikan banues në rrethinën e qytetit Dallas të Shteteve të Bashkuara është dekoruar nga ente letrare dhe kulturore në Republikën e Kazakistanit dhe Rumanisë.”
Për arritjet në fushën letrare të Dr. Gjekë Marinajt, dekoratat iu dhanë atij si shpërblim për kontributin e tij ndaj letërsisë moderne botërore. Në qytetin Turkestan të Kazakistanit, këshilltari i Bashkisë së qytetit Ansar Abdikulov i dorëzoi Dr. Marinajt, dekoratën për shkrimet e tija dhe për kontributin e tij në fushën e kulturës botërore. Prezantimi i çmimit u zhvillua në një veprimtari të organizuar në Sallën e Asambleve të Muzeut Rajonal, “Uly Dala Ely”, thuhet në njoftimin për median. Zhibek Iskakova, kryeredaktore e revistës “Kazakistani i mrekullueshëm-2050”, u spreh në ceremoninë e rastit se “Gjekë Marinaj është poeti për të cilin po pret bota. Unë besoj se asnjë shpërblim nuk është i barabart me kontributin që ai i ka dhënë e i jep letërsisë moderne botërore. … Ai është me të vërtetë një poet që ka pushtuar botën me krijimtarinë e tij”, është shprehur Iskakova.
Duke pranuar dekoratën në Kazakistan, Gjekë Marinaj falënderoi përfaqsuesit e atij vendi për vlerësimin e veprave të tij duke thënë se, “Kjo ceremoni dhe ky çmim, janë dëshmi se letërsia e vërtetë ka fuqinë magjike të na bashkojë, nga një kontinent në tjetrin, nga një vend në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën, nga një dashuri për njerëzimin, në tjetrën. Ky nderim ka një kuptim të thellë për mua”, shtoi poeti me origjinë nga Malësia e Madhe, “sepse vjen nga Kazakistani, një vend ky që duket sikur ka më shumë oksigjen të lëshuar në ajër nga fjalët letrare sesa nga të gjitha gjethet e pemëve. Dhe është kënaqësi të kesh një filxhan ajër të pastër dhe një gotë me poezi të freskët me ju sonte, në nderim të dashurisë tonë të përbashkët për letërsinë dhe për të gjithë njerëzit në botë, të cilët mund të përfitojnë prej saj.”
Ndërkaq, në Rumani, sipas të njëjtit njoftim për media, Dr. Gjekë Marinaj u dekorua me çmimin e lartë që jepet në emër të shkrimtarit të njohur të Rumanisë, Paul Iorgovici (1764-1808), nga Këshilli i zonës administrative Caras-Severin, njëra prej institucioneve më të rëndësishme politike dhe administrative të rajonit të Maleve Banat të Rumanisë. Edhe kjo dekoratë rumune është një shpërblim që u jepet figurave të shquara – rumune dhe të huaja — të fushave të kulturës, letërsisë dhe artit. Dekorata iu dorëzua Profesor Dr. Gjekë Marinajt nga Profesoresha e Clara Maria Constantin e cila tha se “ishte një nder i madh për të gjithë banorët e krahinës Caras-Severin për të pritur një person të këti kalibri, ndaj të cilit planeti ynë i ka borxh atij për punën që ka bërë.” Ndërsa një folës tjetër në atë tubim, Prof. Dr. Cornel Ungureanu, e cilësoi vizitën e shkrimtarit e poetit shqiotarao-amerikan Gjekë Marinaj në atë qytet “si një ngjarje historike që na bën të pranishëm në hartën e letërsisë evropiane.”
Dr. Marinaj, nga ana e tij, e cilësoi dekoratën rumune, si një prej “papritshmërive më të mëdha të jetës time profesionale dhe një prej nderimeve më domethnëse të karrierës time”, shtoi poeti Marinaj. Shkrimtari shqiptaro-amerikan theksoi gjat[ fjalës së tij se “Rumania ka provuar gjatë gjithë historisë së saj se shpirti dhe fryma e saj kanë kanë të gjitha gjërat e nevojshme për të kultivuar një kulturë dhe art të mrekullueshëm, Rumania,vendi i shkrimtarëve të mëdhej si Vasile Alecsandri, Mihai Eminescu, Constantin Lucaci dhe Ana Blandiana”, është shprehur, ndër të tjera Z. Marinaj gjatë pranimit të dekoratës së tij letrare në Rumani.
Sipas shumë burimeve mediatike amerikane dhe ndërkombëtare, Dr. Gjekë Marinaj është emëruar disa herë për Çmimin Nobel në Letërsi. Por në këtë ndërkohë, Profesor Marinaj po grumbullon çmime dhe dekorata nga mbarë bota. Vitin që kaloi, poeti, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptaro-amerikan është dekoruar me njërin prej çmimeve letraro-kulturore më prestigjioze të Koresë së Jugut, “Çmimin Letrar Ndërkombëtar Changwon KC”, duke theksuar “kontributin e madh jetësor dhe etikën kulturore në letërsi”, të Dr. Marinajt – duke theksuar se ai gjithmonë, “i vendos njerëzit në qendër të punës së tij, frymëzon paqën përmes poezisë dhe këndon për përmirësimin dhe sjelljen e shpresës në botë”.
Prej nderimeve dhe dekorimeve të shumta gjatë viteve nga të gjitha anaët e botës dallohen, ndër të tjera, Çmime Kombëtare Letrare nga qeveria dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Vietnamit, Çmimin “Autori Ndërkombëtar” të Italisë, Çmimin “Poeti i Botës” të Uzbekistanit, Çmimin “Poet Botëror” të Bengalit Perëndimor dhe Çmimin shumë prestigjioz “ISISAR” (Shoqata Ndërkombëtare për Studime Ndër-Kulturore dhe Kërkime) për kërkimin e paqës përmes letërsisë.
Shumë individë dhe ente të ndryshme prestigjoze shpesh kanë venë në dukje poezinë protestuese, “Kuajt” të Z. Marinajt, botuar në Shqipëri, në vitin 1990, si një protestë ndaj regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, që detyroi poetin të ikte në Amerikë.
“Tërë jetën duke vrapuar rrimë / Shohim veç përpara / Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë. / Ne nuk kemi emër / Të gjithëve kuaj na thonë. / Nuk qajmë, / Nuk qeshim; / Heshtim, / Dëgjojmë; / Hamë atë ç’na japin, / Ecim nga na thonë, / Asnjë nga ne s’është mendje hollë. (…) “Kush qe kalë mbreti, / Posti qe i lartë,/Kush qe kalë princeshe./I bënë shalë të artë,/ Kush qe kalë fshatari,/Pat samar me kashtë,/ Kush qe kalë i egër,/ Tërë jetën fjeti jashtë,/ Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut!” (Gjekë Marinaj “Kuajt”, 1990)
Po, kush është ky intelektual erudit malësor i përmasave botërore? Prof. Dr. Gjek Marinaj është vërtetë intelektual, poet e shkrimtar, që tashti e njeh bota. Një intelektual i ushqyer me dituri dhe kulturë të vërtetë. Një intelektual — siç e përcaktonte Ernest Koliqi intelektualin – i cili urren çdo sundim absolut. Një njeri i cili beson se ka një farë fuqie intelektuale për të marrë pjesë në caktim drejtimesh që vlejnë për kombin dhe për botën, në të cilën jetojmë. Intelektuali shqiptaro-amerikan me origjinë nga Malësia e Madhe, Gjek Marinaj, siç sugjeron edhe poezia e tij “Kuajt”, nuk duron diktatura as diktatorë. Por, është një intelektual shqiptaro-amerikan i cili “i vendos njerëzit në qendër të punës së tij, frymëzon paqën përmes poezisë dhe këndon për përmirësimin dhe sjelljen e shpresës në botë”. Një intelektual, i cili, “Në zemër të vet dëshiron lirinë, e vetmja që lejon mendjen krijuese t’i shërbejë kombit dhe njerëzimit për një bujarsim shpirtënuer”, për veten dhe për të tjerët. (E.Koliqi). Ashtu siç bënte vite më parë poeti dhe shkrimtari i madh, Martin Camaj, një erudit tjetër i Malësisë së Madhe, duke iu drejtuar bashkombasve të vet me thirrjen për bashkim, “Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë! Frank Shkreli/ Një thirrje nga shkrimtari i lartësive, Martin Camaj: “Afrohuni shqiptarë!” | Gazeta Telegraf – ashtu edhe një tjetër poet i madh i ditëve tona nga Malësia e Madhe Gjekë Marinaj, (Mos më ik larg”), me poezinë e tij e ka këthyer botën në një fushë veprimi për fuqinë magjike të poezisë së tij, për të bashkuar njerëzimin, “nga një kontinent në tjetrin, nga një vend në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën, nga një dashuri për njerëzimin, në tjetrën.”
Lartë e më lartë intelektuali ynë, Prof. Dr. Gjekë Marinaj, eruditi malësor shqiptaro-amerikan që më veprimtarinë tënde letrare po pushton botën! Jemi krenarë për ty dhe me ty për veprat tua të njohura dhe të vlerësuara tanimë anë e mbanë botës. Vepra, me të cilat jo vetëm po frymëzon paqë e shpresë për njerëzimin por që, njëkohësisht, me kulturën tënde perëndimore, të rrënjosur thellë në traditat dhe doket bujare shekullore të malësorit — të gërshetuara në veprimtarinë tënde letrare dhe njerëzore — po i sjellë nder e lavdi edhe emrit shqiptar në botë. Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!
Frank Shkreli
Profesor D. Gjekë Marinaj, themeluesi dhe ish-Kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë vazhdon të jetë i interesuar në zhvillimet kombëtare dhe kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan. Dr. Marinaj me një grup pjesëmarrsish në 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Dhjetor, 2021 – Salla Illyria, Nju Jork
Autori me poetin dhe shkrimtarin disident, Z. Visar Zhiti, simbol i qendresës antikomuniste. Nga Malësia e Madhe, Prof. Dr. Gjekë Marinaj, themelues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, edhe ky i arratisur nga komunizmi –Nju Jork, Dhjetor, 2021.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull