Frrok Çupi zbulon emrat e bujshëm që janë hequr qafe nga politika

14 Minuta Lexim

Gazeta “SOT” po sjell sot për lexuesin pjesën e dytë të intervistës ekskluzive të gazetarit, analistit dhe publicistit të njohur, Frrok Çupi, i cili ka komentuar me detaje dyshen Berisha-Meta.

Një ditë më parë zoti Çupi tregoi se si Sali Berisha ka mbajtur peng Ilir Metën për vite me rradh?, për shkak se ka pasur akses në shumë dosje korruptive dhe kriminale, madje edhe ato të ish-Sigurimit të Shtetit, ku përmendet edhe emri i ish-presidentit, ndërkohë që sot, analisti tregon edhe disa nga vrasjet, ku janë përfshirë dy liderët e opozitës shqiptare. I drejtpërdrejtë dhe i qartë në atë që thotë, publicisti Çupi zbulon emrat e bujshëm që janë hequr qafe nga politika, duke i nxjerr në shesh të gjitha.

Madje, gazetari i njohur tregon edhe një bisede që ka pasur me Azem Hajdarit, i cili sipas tij, ishte në dijeni se do të eliminohej nga Sali Berisha. Po ashtu, ai tregon edhe se si Ilir Meta donte të ekzekutonte Becchettin për 2  milionë euro dhe përfshirjen e kryetarit të Partisë së Lirisë në vrasjen e ambasadorit të Shqipërisë në Çeki në vitet 2005-2010, Qazim Tepshi.

Vijon nga dje

-Zoti Çupi, ish-presidenti Ilir Meta një ditë pasi u zhvesh nga kostumi i Kreut të Shtetit, “shkriu”, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe krijoi Partinë e Lirisë. Si ju duket kjo lëvizje?

Njeriu është edhe fëmijë, pavarësisht se mund të jetë 55. Fajtori i madh bëhet edhe më shumë fëmijë në logjikë e në arsyetim. Fëmija Ilir Meta niset për të kapur macen nëpër shtëpi duke mbyllur sytë për vete; kështu mendon se macja nuk e shikon. Ilir Meta është në një pikë të errët obsesionesh dhe histerizmash të vetëmbrojtjes. Frojdi duket se ka studiuar Metën kur shkroi veprën e tij. Është shumë e thjeshtë pse ka shpikur ‘Parti Lirie’: Braktis shokët hajdutë dhe mendon se shpëtoi, kjo është një arsye. Arsye tjetër është vesi si spiun i Sigurimit. Duke ndryshuar emrin ai mendon se mund të fshihet pas shkronjave; kujtoni Meta dhe Metaj. Bullshit.

 -Pse Meta “vrau” LSI-në dhe krijoi PL sipas jush? A mos vallë ai do të lajë mëkatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim përmes ndryshimit të emrit, pasi struktura dhe habitati i Partisë së Lirisë janë të njëjtët personazhe që i kemi parë në LSI dhe Presidencë…

Pse e vrau Meta LSI-në? Nuk ka ndodhur si me vrasjen e Dritan Priftit, as si të ambasadorit Qazim Tepshi… Ajo vrasje ishte e ashpër dhe vetëm me një kafe. Ndërsa kjo është tjetër gjë. Është e njëjta ‘vrasje’ si ndarja me gruan. A nuk qëndroi Ilir Meta pesë  vjet sa i ndarë aq edhe i pandarë me Monikën?! Pesë vjet Monika nuk ishte Zonjë e Parë, shpesh deklaruan se nuk jetojnë në të njëjtën banesë’, shpesh bënë filma si opozitarë… Kjo është sjellje tipike e spiunit të Sigurimit. Shikoni praktikat e Stas-it në Gjermani. Po ju sjell një tregim të shkurtër: “Një grua tregon se si u shkatërrua kur zbuloi se burri që donte po informonte për të. Ende e tronditur nga kjo tradhti, ajo më vonë zbuloi se një tjetër mik i ngushtë po e spiunonte gjithashtu. Një burrë në seancë tregoi se si qëllimi i tij për t’u larguar nga vendi ishte tradhtuar dhe kështu në vend që të dilte, ai u fut në burg. Dhjetë vjet më vonë, me marrjen e dosjes Stasi, ai zbuloi se personi që e tradhtoi ishte e dashura e tij’. Monika dhe Iliri nuk besojnë njëri tjetrin. A ishin të dy spiunë? Besoj se po. Apo vepronin që të mos kapeshin gjatë transaksionit të financave? Këta njerëz e futën në krizën e mosbesimit gjithë shoqërinë, shtetin dhe individin.

-Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë premtuar se do të bashkëpunojnë fort me njëri-tjetrin, me qëllim rrëzimin e qeverisë. A besoni se do të kenë sukses?

Sali Berisha dhe Ilir Meta tani janë në ishullin tropikal Trinidad. Duhet pyetur shkrimtari Daniel Defoe se si e sajoji personazhin Robinson Kruzo. Ai jetoi si një njeri i vetmuar për tre dekada. Me cilin të bisedonte a të bashkëpunonte? Ishulli ishte bosh. Meta është me fat sepse ka Berishën, Berisha me fat pse ka Metën. Këta kanë mbetur vetëm, me njëri tjetrin, pa popull, pa aleatë, pa shpresë se e kalojnë kësaj here. Si të mos bashkëpunojnë?

-Po rikthimi i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, pa folur ende Gjykata, si ju duket?

Kësaj i thonë ‘sa rrimë kot, vijmë vërdallë kot’. Si para gjykatës edhe pas vendimit të Gjykatës, kështu do të jetë. Në jetë të jetëve Berisha nuk do të jetë i ligjshëm ‘në krye të PD’. Thotë një këngë korçare: ‘ Selanik e tatëpjetë/ Siç ka qenë do të jetë’.

-Ndërkohë socialistët kërkojnë që Prokuroria e Posaçme të nis hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke qenë se ai është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe akuzohet për korrupsion e minim të demokracisë. Si ju duket kjo thirrje dhe sa mundësi ka të bëhet realitet?

Nga kjo pikë ku ndodhemi, burgosjen e Sali Berishës e shikoj gjënë më të thjeshtë; por edhe gjënë më shpëtimtare për Berishën. Mendoni vetëm gjendjen e këtij njeriu e fenomeni: Është telendisur, ka dalë lakuriq siç ishte: brutal, i pa mençur, arrogant, i shkrehur, i ngrehur si mburravec, shan majtas e djathtas, hedh në gjyq Amerikën, fiton kundër Amerikës, merr levat e pushton zyrat… Lëre, lëre! Po të ishte burgosur që në fillim, do të ishte minimumi i të keqes; si zotëri në qeli. Por me sa kuptoj, ditën kur të vijë ora e gjykimit, ky do të jetë ‘për gjynah’. Në këtë gjendje që shihet, burgu për Berishën do të ishte ‘lule’. Kështu u ndodhi edhe Saddam Hussein e Millosheviç.

-Po Edi Rama rrezikon të jetë subjekt i SPAK…

Të gjithë rrezikojmë të jemi subjekt i hetimit të prokurorisë e të gjykatës. Sa kohë jemi të vdekshëm e të gabueshëm, çdo gjë na ndodh sapo dalim në rrugë. Edhe Edi Rama si ne është, njeri. Dhëntë zoti mos marroset e bën krim; nuk duam ta kemi kryeministrin të treguar me gisht.

-Ju zoti Çupi, ndër vite keni hedhur akuza të forta ndaj binomit Meta-Berisha, të cilët i akuzon se janë përfshirë në vrasje, zhvatje, afera kriminale, trafiqe, pastrim parash, etj. Mund të na riktheni në vëmendjen e publikut disa prej këtyre akuzave që janë përfshirë ish-kryeministri dhe ish-presidenti?

Unë nuk akuzoj, unë vëzhgoj dhe dëshmoj. Sepse jam gazetar, jo prokuror. Kam edhe fatin që gjithë ‘parada’ e krimit ka kaluar para syve të mi. Të dëshmoj sot sa krime janë? Është njësoj si të dalim bashkë e të numërojmë një për një të gjitha pemët e pyllit. A bëhet kjo? Fati i tyre i keq se ne u lamë në dorë shtetin dhe armën përgjatë një brezi të tërë dhe ata kositën në fushën e krimit pa idenë se një ditë vjen… Nuk jam prokuror, por jam dëshmitar dhe prezent në Vlorë, atje u vranë dhe u plagosën qindra nga Berisha, u sulmuan edhe me armë kimike, shpëtuam për fije. Nuk isha dëshmitar vetëm në zhdukjen e Remzi Hoxhës… Pastaj isha i pranishëm kur e gjetëm të vrarë Ali Ukën, gazetar; kur SHIK i Berishës hodhi bombën te Vefa dhe vrau katër e na burgosi të gjithë gazetarët brenda natës… Dëshmitar kur Azemi mbyllej në shtëpi në ‘grevë urie’ e më thoshte ‘jam këtu se po më vret Saliu…, por o do ta vras o do të më vrasë’. Dëshmitar  dëgjues i Metës kur donte të vriste Becchettin për 2  milionë euro. Dëshmitar kur SHIK i urdhëruar nga Berisha më vrau para syve Gjovalin Çekinin në Shkodër… …Një herë tjetër po hyjmë në ‘pyllin e numërimit’. Shkruante Migjeni: ‘Ah ta kisha një grusht të randë e t’i bija këtij mali’ që nuk dëgjon, dmth., ligji’.

-Pak ditë më parë, Britania e Madhe zbuloi se kishte shpallur ish-kryeministrin Sali Berisha “non grata”. Si ju duket ky vendim?

Kjo është dëshmi e qartë se Berisha përbën një rrezik të madh për stabilitetin e Perëndimit dhe të rajonit. Mos harroni se agjencitë e Britanisë së Madhe e kanë në skaner gjithë krimin e kryer në Shqipëri. Berisha del ‘i intubuar’. Bota anglosaksone e rrethon me vigjilencë krimin.

-Ndërkohë thuhet se në listën me 27 persona, Londra ka futur edhe disa politikanë të tjerë shqiptarë. Sa qëndrojnë këto zëra-aludime?

Britania e Madhe nuk do ta kishte shpallur publikisht as Saliun, por i dërgoi një letër dhe ky e bëri publike. Të tjerë nuk ka me emra. Edhe sikur të ketë të tjerë, edhe 27 mijë të jenë, nuk e balancojnë rrezikun që paraqet Saliu për Perëndimin dhe vendin tonë. Këta të tjerët Britania mund të mos i shpallë kurrë, puna ishte te Sali Berisha.

-A ka ardhur koha që institucionet e drejtësisë shqiptare të nisin hetimet për personat e shpallur “non grata” nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe?

Tani nuk ka shumë rëndësi burgu ose jo burgu për këta. Këta janë destabilizuar; as kanë moral, as kanë pozitë, as kanë ushtri siç e kishin, as kanë leje për të lëvizur gishtin. Në fshatin e tyre askush nuk i fton si dasmorë. Pak nga pak do të dorëzojnë edhe paratë e vjedhura. Edhe ata që ua kanë në dorë paratë, dmth., nga fisi e të afërmit, po trokasin për t’ i denoncuar. Këta janë të tmerruar. Po zvordhën më këmbë, në ‘burgun e hapur’  të rrugëve e konferencave. Ditën kur do të paraqiten para Drejtësisë do të na duket si ‘ gjynah’ për këta kockë e lëkurë.

-Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja dhe kryetarja e BKH, Aida Veizaj ndodhen për një vizitë zyrtare në SHBA. Çfarë pritet të sjellë në Shqipëri treshja e lartë e SPAK-ut që ndodhet në Uashington?

Kraja i SPAK bëri sfidën më të egër kundër Drejtësisë; ai i kërkoi Amerikës ‘ti më jep dosjet, ta hetoj Berishën’. Me siguri që ky vetë pas pak kohe do të jetë nën hetim për bashkëpunim me Metën dhe Berishën. Por Drejtësia nuk do ia falë kurrë. Berisha i kreu krimet në këtë tokë e mbi këta njerëz, i shkatërroi jetën një brezi. Ndërsa këta i thonë Amerikës ‘më jep dosjen’. Amerika nuk heq dorë kurrë së mbrojturi popullin aleat shqiptar. Edhe kësaj here do ta nxjerrë nga thonjtë e Berishës. Çfarë do Kraja në Uashington?, pyetët… Ka shkuar që të marrë përdore ‘vogëlushen Amerikë’ dhe t’ i tregojë arat.

-Në përfundim dhe duke ju falënderuar, për shkak se si gjithmonë jeni shterues dhe i drejtpërdrejt, më lejoni t’ju pyes se a ka ardhur koha të shkojnë pas hekurave “Peshqit e Mëdhenj” dhe kush janë ata?

Ma gjeni një peshk më të madh se Berisha! Apo se Meta!… Për nga pesha e korrupsionit, jo për nga kilet. Berisha mban ‘dekoratën’ si ‘kampion bote’  në korrupsion, ndërsa Meta është quajtur prej kohe ‘i korruptuari kampon i kontinentit’. Nëse këta nuk do të paguajnë para Drejtësisë, atëherë populli do të ndërrojë vendet me këta: Populli do të mbytet në det, ndërsa këta do të mbretërojnë të vetëm në tokë. Nuk ka besim në Drejtësi pa paguar këta të dy.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull