“Birësoni një të mitur në konflikt me ligjin – birësoni riintegrimin e tij”!

7 Minuta Lexim

Pse vetëm Tirana dhe Kamza?
“Birësoni një të mitur në konflikt me ligjin – birësoni riintegrimin e tij”!

Nga Suada Gusho

Për fat të keq, të mitur që shkelin ligjin dhe dënohen nga gjykata ka kudo, jo vetëm
në Tiranë dhe në Kamëz, vetëm se në këto dy bashki, fqinje por të ndryshme në
tipologji, njëra kryeqendër e vendit dhe tjetra një bashki e vogël, e ngjashme me
bashki të tjera të vogla – prej thuajse 9 muajsh po pilotohet një ndërhyrje që synon
të monitorojë funksionimin e marrëdhënies qytetar-pushtet vendor për një
kontigjent vulnerabël qytetarësh, të “miturit në konflikt me ligjin”. Vulnerabël për
shkak të moshës së mitur; për shkak se ndonëse në moshë të mitur kanë hyrë në
spiralen e krimit dhe veprave penale; vulnerabël edhe për shkak se, thuajse në
shumicën e rasteve, këta të mitur vijnë nga familje me probleme të mprehta
sociale, ekonomike, etj.
Janë ekselente ligjet e shkruara që mbështesin këtë kontigjent qytetarësh
vulnerabël për të mos e mbyllur perspektivën e një jete në dinjitet që në vogëli, për
t’u krijuar kushte dhe mundësi për një të ardhme në dinjitet. Duke nisur nga Kodi i
Drejtësisë Penale për të Miturit, në fuqi që nga janari 2018, i cili është
materializuar me dënime të të miturve me kusht në liri dhe jo më me burgim, për
disa vepra penale; po ashtu një sërë ligjesh themelore, si ai i Punësimit apo
Strehimit social, apo ai Ndihmës ekonomike, i ka në fokus këta të mitur dhe
familjet e tyre, në nene të veçanta.
Por realiteti si është? Nga ligjet e shkruara deri tek rrugica ime, e jotja, deri tek
familja fqinje? Atje ku një 14 vjeçar… apo një 16 vjeçar jeton i izoluar në shtëpi, i
dënuar me kusht për një vepër penale që ka kryer?
Dimë që për këtë kontigjent të miturish deri tani flitet vetëm në raportet e drejtësisë
apo institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale. Dimë edhe që media për ta
shkruan e raporton kur ndodh një ngjarje, më pas, për fat të keq, këta të mitur
mbeten “puna” e gjykatave, shërbimit të provës, policisë, shkollave, dhe
punonjësve socialë të Njësive të mbrojtjes së fëmijëve të bashkive. Dhe, edhe këtu,
ngec puna, sepse të gjitha këto instanca pushtetesh, vendore dhe qendrore, e kanë
në statusin e tyre të “mos flasin” për këta të mitur, sepse ligji për ruajtjen e
konfidencialitetit dhe shëndetit të të miturve nuk e lejon.
“Nuk është në qëllimin tonë të prekim gjëra të paprekshme. Përkundrazi. Duke
ruajtur të dhënat personale, në bashkëpunim me prindërit apo kujdestarët ligjorë të
të miturve, po përpiqemi që këtë “ortekun” e madh ta zhbëjmë pjesë pjesë dhe të

shohim konkretisht se si funksionon marrëdhënia qytetar-pushtet vendor për 10
raste të miturish në konflikt me ligji në Bashkinë e Tiranës dhe 10 raste në
Bashkinë e Kamzës” – na thotë Esmeralda Selita, drejtuese e CFD, Qendrës për
Formim dhe Zhvillim e cila po zabton projektin “RIINTEGRIM vs PËRJASHTIM
– Riintegrimi social i të Miturve “në konflikt me ligjin” dhe “ish të dënuar” në
Bashkitë e Tiranës dhe Kamzës”. Sigurisht që kjo iniciativë nuk ka qenë e lehtë
dhe jo vetëm për shkaqe që lidhen me vështirësitë e marrjes së informacionit,
kontakteve me të miturit dhe familjarët e tyre.
Ky monitorim i situatës në këto dy bashki është shoqëruar edhe me një fushatë
mediatizuese për ta përfshirë më substancialisht median për të qenë e pranishme
dhe mentore për zgjidhjen e problemeve bazike, sociale të tyre. Këta të mitur nuk
kanë lindur për të qenë kriminelë, dhe nuk duhen kriminalizuar. Ata, dhe familjet
e tyre, kanë nevojë për mbështetje, konkrete. Dhe “ne kemi bindjen se konkretja
nis në njësinë administrative ku ne/ata jetojmë. Përmes kësaj iniciative të CFD, në
dobi të këtij kontigjenti vulnerabël të miturish, shton znj. Selita, ne duam të
rikonfirmojmë dëshminë, për të cilën ka vite që investohet duke mbështetur
shoqërinë civile LevizAlbania , projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe
Bashkëpunim SDC: demokratizimi i pushtetit vendor, nuk është “togëfjalësh” lirie
dhe demokracie marrëdhëniesh por shndërrohet në fakt dhe produkte kur qytetarët
dinë çfarë u takon dhe se si ta kërkojnë të drejtën që pushteti vendor e ka tagër ta
ofrojë. Për 20 rastet e pilotuara në këto dy bashki, administrata vendore ka qenë
bashkëpunuese sa herë kemi adresuar problematika. Ekspertët ligjorë janë duke
finalizuar disa kërkesa konkrete në secilën bashki me qëllim që të vihen në rrugën
e zgjidhjes në projekt-buxhetet vendore për vitin 2023”.
Gjithsesi, riintegrimi i tyre në jetën sociale, ndonëse nis me marrjen e shërbimeve
vendore të cilat u takojnë me ligj, nuk përfundon me to! Gjithsesi, pushteti vendor
mbetet aktori parësor që duhet të përballet dhe t’i mposhtë sfidat për rrintegrimin e
këtyre të miturve në shoqëri… pra në jetë në dinjtet.
Ne mediat, që jemi më jetëgjatë se çdo projekt i shoqërisë civile, duhet “ta
birësojmë” riintegrimin e të miturve në konflikt me ligjin… qoftë edhe duke e
“parcializuar ortekun”… Unë po e mbyll këtë shkrim me një thirrje për veten dhe
kolegët e mi: “Birësoni një të mitur në konflikt me ligjin – birësoni riintegrimin e
tij”!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull