John Bolton, “i zhgënjyer” nga shuma iraniane për vrasjen e tij

1 Minuta Lexim

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, John Bolton, ishte në një talk show, 24 orë pasi u zbulua se një iranian 45-vjeçar, anëtar i Gardës Revolucionare, po planifikonte vrasjen e tij. Duke folur për CNN, John Bolton tha se ishte “i zhgënjyer” me 300,000 dollarët e supozuara të ofruara nga iraniani Sahram Poursafi për neutralizimin e tij.

“Çfarë të kalon në mendje kur dëgjon detajet e këtij plani konspirativ?” e pyeti gazetari i CNN, Wolf Blitzer, bashkëpunëtorin e dikurshëm të Donald Trump.

“Të them të drejtën, u zhgënjeva me çmimin e ulët”, ishte përgjigja e John Bolton. “Mendova se do të ishte më i lartë. Por unë imagjinoj se do të kishte ndonjë problem me kursin e monedhës ose diçka tjetër”, shtoi ai më vonë.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se ka paditur në mungesë 45-vjeçarin Poursafi ose Mehdi Rezagi, siç njihet edhe ai, për ofrimin e një pagese prej 300.000 dollarë për të vrarë John Bolton. Nga ana e tij, Irani foli për një akuzë “të motivuar politikisht”. Bëhet e ditur se 45-vjeçari Poursafi është në kërkim nga FBI.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull