XI NDËRMJET QËNDRUESHMËRISË DHE KOMBËTARIZMIT A DO TË NDJEKË GJURMËT E PUTINIT?

6 Minuta Lexim
Nga FEDERICO RAMPINI
Sikur të mos mjaftonin Ukraina, tronditja energjitike, kriza ushqimore dhe klimatike, mbeturinat e pandemisë… Taivani ka fuqinë të ndezë një luftë të tretë botërore, më shumë se Ukraina.
Joe Biden ka premtuar se do të ndërhynte në mbrojtje të ishullit demokratik, në rast të një sulmi ushtarak kinez. Është parakushti për një ndeshje ndërmjet mbifuqish bërthamore, të cilën Biden-i e ka përjashtuar gjithmonë për Ukrainën. Taivani ka një rëndësi strategjike të përveçme: për vëndqëndrimin e tij mbi rrugët detare ku kalon energjia e domosdoshme për dy aleatët e Perëndimit, Japonia dhe Koreja e Jugut; sepse është një mbifuqi teknologjike që prodhon 60 % të gjysmëpërçuesve botërorë; sepse rënia e tij në duart e regjimit komunist do t’ishte vendimtar në barazpeshat e Indo – Paqësorit, në të cilin luhet e ardhmja e planetit. Shtetet e Bashkuara e quajnë atë zonë të botës si qendrën e interesave të tyre jetike, më shumë se e lashta Evropë.
Shumë pyesin veten për rreziqet për ne, të lindur nga vizita e Kryetares së Dhomës së Deputetëve që mund t’a kishte shmangur. Gjykimet mbi udhëtimin janë më shumë negative në Perëndim. Atmosfera është: “Kemi dhënë mjaft”. thuaj se ndihmat tona Ukrainës kanë qënë mbinjerëzore, drobitëse deri në skajshmëri (ndiesi e pasaktë, por e përhapur). Të merremi tani me një tjetër demokraci properëndimore të kërcënuar nga një regjim autoritar na duket shumë. Nëse nuk mund të mbështesim Taivanin, Pelosi ka kryer një gabim të rëndë. Është i dobishëm një vështrim tjetër, që niset nga gjëndja e Xi Jinping-ut. A do të mund të ndiqte gjurmët e Putinit e të ndizte një luftë të dytë? Mos të nxitohemi t’a gjykojmë përgjigjen kineze që sot. Manevrat ushtarake pranë Taivanit dhe sanksionet e shkaktuar ishullit, sado të ashpra, mund të jenë vetëm një shijim i asaj që do të vijë. Xi nuk nxitohet, “zjarri” që i ka premtuar Biden-it mund të presë.
Me që rritja kineze ngadalësohet dhe problemet e brëndëshme grumbullohen, deri ku do të shtyhet Xi? Kina është e përshtjelluar në ekonominë globale shumë më tepër se sa Rusia, pra ka më shumë për të humbur nga një luftë e vërtetë. Megjithatë Xi ka një faktor të përbashkët me Putinin. I ka fryrë në vite një kombëtarizmi hakmarrës e inatçor kundrejt Perëndimit. Ka ndërtuar një gjëndje të brëndëshme t’etur për hakmarrje, të dukëshme në këto orë në mediat shoqërore kineze që grafullojnë agresivitet.
Specialistët pohenikë nënvizojnë faktin që miratimi kundrejt Xi bazohet para së gjithash në mirëqënien ekonomike, në qëndrueshmërinë e në rendin, para krenarisë atdhetare. Kombëtaristët skajorë që shpërthejnë në social media, ai është në gjëndje t’i qetësojë. Dy vite e gjysëm ndalimi shëndetësor kanë përfuqizuar edhe më shumë kontrollin e Vëllait të Madh kinez. Një luftë nuk është e domosdoshme për mbajtjen e pushtetit vetiak të Xi, edhe se duhet të kryejë veprime të fuqishme për të shmanur humbjen e besimit.
Specialistët johenikë vërejnë se përshkallëzimi i jashtzakonshëm i armatimit në të cilin është hedhur Republika popullore, nuk ka shpjegim nëse ajo fuqi shpejt a vonë nuk vihet në përdorim. Flota ushtarake e Pekinit ka kaluar numërin e anijeve të US Navy, një tejkalim i padëgjuar deri pak kohë më parë, megjithëse nuk ka asnjë kërcënim kufijve të Kinës, që madje brylon për të marrë zona në diskutim me Vëndet fqinjë. Përralla, simbas së cilës Kina komuniste nuk ka ADN e luftës, e fabrikuar nga propaganda e Xi-ut dhe e besuar nga disa perëndimorë, kundërshtohet nga pesë luftëra të kryera nga themelimi i saj më 1949, pothuaj të gjitha të filluara nga një sulm i Pekinit (Tibeti, Koreja, Hindia, BRSS, Vietnami). Bashkëngjitja e Taivanit mëmëdheut do t’i jepte Xi-ut trofenë që nuk e patën paraardhësit e tij, do t’a ngrinte përmbi Mao Ce Dunin , themeluesin e Republikës dhe Ten Hsiao Pinin ideatorin e boom-it ekonomik.
Përse Xi i ka mbyllur rrugën një ribashkimi paqësor, me pëlqim të dyanshëm? Taivanasit nuk mund t’i besojnë skenarit të “një kombi me dy sisteme politikë”, mbas normalizimit mizor të Hong Kongut. Kyçi i furisë së Xi-ut kundër Taivanit qëndron këtu: për një leninist të vërtetë që beson në parësinë e partisë komuniste dhe në epërsinë e atij sistemi politik, nuk është e lejueshmeqë të mbijetojë një demokraci kineze (Taivani) ashtu siç nuk ishte i pranueshëm një Shtet i së drejtës me liri fjale në Hong Kong. Është kjo gjë në lojë, edhe se rëndësia e saj është e pakuptueshme në Perëndim.
“Corriere della Sera”, 3 gusht 2022 Përktheu: Eugjen Merlika

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull