PER KRISTAQ DHAMON…

4 Minuta Lexim
Naum Prifti
Një muaj të shkuar në emejlin e dërguar nga familja Dhamo mësuam se Kristaqi nuk ndihej mirë, por pak ditë më vonë morëm lajme të mira se përmirësimet ishin të dukshme dhe të ndjeshme. Kjo ringjalli shpresat për tu takuar sërishmi në kafenenë tonë të preferuar në Nju Jork. Por sot, me filxhanin e kafesë përpara, bisedoj me të përmes këtyre rreshtave…
Me Kristaq Dhamon komunikohej lehtë sepse kishte shumë kulturë dhe horizont si edhe dhunti rrëfyese. Për vite me radhë, një prej ritualeve tona në Nju Jork ishte takimi në lokalin Kuq e Zi në Astoria. Temat e bisedave ishin të larmishme dhe të peridhave të ndryshme që nga koha e studimeve të tij për regjizurë në Hungari tek vitet e karrierës si udhëheqës artistik në Kinostudio, me shumë episode komike për ndodhi dhe rrëfime të ngjarjeve me ekipet e filmave gjatë vendxhirime. Të dy ishim krijues dhe të paktën për disa dekada në Shqipëri kishim krijuar në një kohë kur artit i diktohej shterpësia ideologjike nga lart. Pas përfundimit të studimeve, Kristaqi u kthye në Shqipëri dhe na entuziazmoi me prodhimin e filmit të parë shqiptar Tana në vitin 1958, me motive të tregimit me të njëjtin titull të shkrimtarit Fatmir Gjata.
Me Kristaq Dhamon nuk ishim vetëm bashkëmoshatarë e artistë. Rrugët tona lidheshin edhe kur ai si regjizor dhe unë si skenarist ishim pjesë e ekipeve të Kinostudios për aprovimin e filmave të huaj apo të prodhuar në vend.
Miqësia jonë u ripërtëri në Nju Jork. Bashkë shkonim në promovime letrare dhe premiera të filmave. Për vite me radhë në Nju Jork, një prej ritualeve tona ishte kafeja ne lokalin Kuq e Zi në Astoria. Ishte kënaqësi të pije kafe me të apo të haje ndonjë drekë a darkë sepse kishte humor e tregonte bukur ndodhi të jetës në Shqipëri në kohën e socializmit.
Në një prej bisedave, ai përmendi librin për kineastin e ndjerë Viktor Stratobërdha, ndihmës regjisor i produksionit të madh ruso-shqiptar të filmit Skenderbeu (1953). Viktori është një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, i cili per shpirtin e tij kritik u dënua me burg dhe u përndoq nga regjimi komunist. Kristaqi kujtonte sesi Viktori në vitin 1956 i kishte pyetur në mbledhje anëtarët e Komitetit të Partisë së Tiranës:
“Pse media shqiptare nuk publikon gjendjen e vërtetë të jetës së njerëzve? Sa shpenzuan anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë në dyqanet e tyre në bllok?”
Persekutimi i tij përfshirë tetë vjet burgim zgjati deri në vitin 1988. Në 2000 Viktori ndërroi jetë në Kanada dhe Kristaqi nisi të përgatiste një libër për të. Midis projekteve të Viktorit kishte qenë edhe dramatizimi për film i tregimit tim “Shoferi i ambulancës” për të cilin thoshte se ishte një subjekt nga më të thjeshtët, por me një dramë të brendshme shumë të fuqishme. Duke përsëritur vlerësimin e Viktor Stratobërdhës për tregimin, Kristaqi thoshte: “SHOFERI- RROTA-dhe DY JETE, njësoj si temat e neorealizmit italian të asaj kohe që e kam patur shumë për zemër,”
Kristaq Dhamo ishte dhe do mbetet një bashkëbisedues i këndshëm dhe i mprehtë, si në art dhe në jetë. Dhe nga sot e tutje kur nuk është më në mesin tonë, ai nëpërmjet krijimtarisë do ta vazhdoj bashkëbisedimin me artdashësit e filmit dhe kinematografisë shqiptare si edhe me miqtë e tij në Shqipëri dhe Amerikë .

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull