Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar kthimin e disa dokumenteve të sekuestruara nga FBI në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida javën e kaluar.
Trump me anë të një statusi në rrjetin e tij social Truth ka nenvizuar se FBI i ka sekuestruar atij 3 pasaporta. Ish presidenti e ka quajtur këtë një sulm ndaj një kundërshtari politik duke aluduar sërish se hetimi dhe kontrolli ndaj residences së tij është i motivuar politikisht.
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve i kërkuan Shtëpisë së Bardhë, FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë që të ruajnë të gjitha dokumentet dhe komunikimet në lidhje me bastisjen e shtëpisë së ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago.
Ata deklaruan se bastisja e paprecedentë e FBI-së në rezidencën e Presidentit Trump është një përshkallëzim tronditës i administratës Biden kundër kundërshtarëve politikë.
Bastisja në Florida ka shkaktuar shumë reagime në demokracinë më të madhe në botë pasi kontrolli në shtëpinë e një ish-presidenti shihet si hap pas në këtë demokraci. Por demokratët nga ana tjetër kanë nënvizuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe se drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj.