EDITORIAL/ Loja me gjuhën kineze e “Bankers Petrolium”

8 Minuta Lexim

Këmbëngulja dhe lobimi i kompanisë kineze Bankers Petroleum për të firmosur me qeverinë shqiptare një kontratë të re 5-vjeçare dhe për më tepër në gjuhën kineze, tregon dinakeëinë dhe dashakeqësinë për ta interpretuar këtë kontratë në favorin dhe interesin e tyre në të ardhmen.

Shkruan Leons Hasani

Ndjeshmëria dhe ndërgjegjia njerëzore nuk mund të na lejoj ne, së pari si qytetarë dhe së dyti si shtet të mbyllim sytë kur kompanitë kineze abuzojnë me pasuritë tona kombëtare, dhe aq më pak të heshtim kur ato transferojnë paratë në shtetin e tyre, dhe me këto para shtypin, rrahin, burgosin dhe internojnë ugurët muslimanë.

Sot shqetësimi kryesor i qytetarëve shqiptarë janë çmimet e larta, rritja e kostove të jetesës, si dhe një përgjigje e vonuar për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Situata aktuale ekonomike në Shqipëri kohët e fundit është ndikuar dhe renduar si nga faktorët e jashtëm po ashtu edhe nga faktorët e brendshëm.

Pandemia e Covid-19 dhe lufta në Ukraine konsiderohen si faktorë të jashtëm që kanë dhënë efekte negative në ekonomi. Ndërkohë, elementë të tjerë si performanca e shtetit me financat publike, politikat fiskale dhe performanca e bizneseve që kanë në menaxhim burimet natyrore konsiderohen si faktor të brendshëm.

Një nga problemet me ekzistenciale te ekonomisë që në periudhën e antikitetit ka qënë “menaxhimi i burimeve natyrore me efiçence dhe shpërndarja e drejtë e tyre tek qytetarët”. E në fakt, ajo çfarë po ndodh me burimet natyrore të vendit tonë dhe kompanitë shfrytezuese të këtyre burimeve bie ndesh me parimin e mësipërm.

Nafta është një prej pasurive nëntokësore që natyra dhe Zoti u ka falur shqiptarëve me bollëk. Një burim natyror që ka filluar të shfrytëzohet që në luftën e Parë Botërore nga italianët, e më pas nga shteti komunist dhe sot që flasim nga kompania kineze Bankers Petroleum.

Edhe pse kompania kineze Bankers Petroleum shfrytëzon një burim të rëndësishëm natyror të Shqipërisë siç është nafta, ajo nuk i paguan buxhetit të shtetit as edhe një cent sepse deklaron gjithmonë fitim zero, e bazuar kjo në kostot e mëdha të transportit dhe cilësinë e dobët të naftës. Në kohën kur buxhetit të shtetit i nevojiten para për të amortizuar çmimin e larte të naftës në treg, por edhe të produkteve të tjera, kompania në fjalë vazhdon të keqmenaxhojë burimet natyrore të naftës, të krijojë ndotje të jashtëzakonshme mjedisore në zonat ku kryen veprimtarinë, si edhe të sjellë një dëm ekonomik të vlerësuar në miliona dollarë për qytetarët dhe vendin.

Kompania kineze Bankers Petroleum, jo vetëm që po ushtron aktivitetin pa një plan vjetor të aprovuar, por ajo gjithashtu kërkon nënshkrimin një kontrate të re 5-vjeçare sipas kushteve te saja, në gjuhën kineze. Sigurisht, një kontratë e shkruar në gjuhën kineze do te ishte nje dominim absolut i tyre mbi menaxhimin e burimeve natyrore të naftës, manipulimeve te ndryshme, dëmit ekonomik, por edhe atë të sigurisë kombëtare.

Institucionet ligjzbatuese duhet të luajnë rolin që iu ngarkon ligji për të mbrojtur pasuritë dhe burimet natyrore të qytetarëve shqiptarë nga abuzimi dhe vjedhja e kompanive mashtruese. Nëse shqiptarët sot varfërohen dhe janë të detyruar të paguajnë produkte dhe shërbime me çmime shumë herë më të larta sesa çmimi i tyre real në treg, atëherë të gjithë ne duhet ta dimë se një nga shkaktarët kryesor të këtij realiteti ekonomik jane kompanitë mashtruese që abuzojnë me burimet natyrore, e si rrjedhojë nuk prodhojnë mirëqenie ekonomike për qytetaret.

Këmbëngulja dhe lobimi i kompanisë kineze Bankers Petroleum për të firmosur me qeverinë shqiptare një kontratë të re 5-vjeçare dhe për më tepër në gjuhën kineze, tregon dinakeëinë dhe dashakeqësinë për ta interpretuar këtë kontratë në favorin dhe interesin e tyre në të ardhmen. Nënshkrimi i një kontrate të tillë nga pala shqiptare do të sillte më shumë abuzime dhe vjedhje në këtë sektor, më shumë degradim të mjedisit dhe vendburimeve të naftës, dhe sigurisht më shumë mbrojtje ndaj kësaj kompanie kundrejt manipulimeve që ajo ka kryer dhe do vazhdojë të kryejë në favor të interesave të saj. Ndaj nevojitet një reagim i fortë qytetar, duke mbështetur ekspertët dhe juristët e fushës për të mos lejuar që një gje e tillë të ndodhë, pasi kjo do të përbënte precedentin e kolonializimit të burimeve të naftës shqiptare nga një kompani kineze.

Qeverisë shqiptare iu lind detyra të njihet me pasojat e firmosjes së kësaj kontrate duke u konsultuar me qytetarët, ekspertët dhe grupet e interesit. Nëse kjo kompani aktualisht realizon aktivitetin e saj pa patur një plan vjetor të miratuar, imagjinoni se çfarë mund të bëjë nesër me një kontratë të firmosur në gjuhën kineze, ku interpretimin e neneve të kontratës do ta bëjë sipas frymës dhe kuptimit të kësaj gjuhe, në favorin e tyre. Në këtë rast, pala shqiptare do të ishte e pafuqishme për të kontrolluar sipas legjislacionit shqiptar veprimtarinë e Bankers Petroleum dhe në këtë mënyrë do t’i sillte shtetit një dëm ekonomik dhe mjedisor prej miliarda dollarësh

Ndaj, ne si shqiptarë nuk duhet të harrojmë se çfarë prodhoi sistemi komunist në vendit tonë dhe sigurisht sot duhet ta njohim shumë mirë realitetin e sistemit komunist kinez për të kuptuar se çfarë bëhet me pasuritë që kompanitë kineze marrin nga Shqipëria dhe i dërgojnë në shtetin kinez. Qeveria kineze sot, ngjashëm si qeveria komuniste e Shqipërisë dikur, përdor paratë për të presekutuar, internuar dhe burgosur ujgurët, të cilët i përkasin besimit islam. Ndjeshmëria dhe ndërgjegjia njerëzore nuk mund të na lejoj ne, së pari si qytetarë dhe së dyti si shtet të mbyllim sytë kur kompanitë kineze abuzojnë me pasuritë tona kombëtare, dhe aq më pak të heshtim kur ato transferojnë paratë në shtetin e tyre, dhe me këto para shtypin, rrahin, burgosin dhe internojnë ugurët muslimanë.

Shqipëria është një vend që aderon të bëhet pjesë e modeleve ekonomike që ngrihen mbi parimet e demokracisë dhe vlerave më të larta shoqërore. Si e tillë shoqëria dhe shteti shqiptar duhet të distancohet nga vendet të cilat aplikojne modele komuniste, sepse ato nuk prodhojnë gjë tjetër përveçse sisteme diktatoriale.

(Autori është pedagog i shkencave ekonomike)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull