6 persona mbetën të plagosur mbrëmjen e kësaj të diele në një aksident në Lushnje. Burime zyrtare të policisë thonë se ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, në aksin rrugor Fier-Lushnje në fshatin Pirrë. Shtetasi J. K., 55 vjeç, duke drejtuar automjetin është përplasur me një mjet bujqësor, me drejtues shtetasin I. K., 27 vjeç, banues në fshatin Pirrë.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar lehtë drejtuesi i automjetit dhe pasagjerët, shtetasit G. K., 46 vjeçe, Dh. T., 52 vjeçe, M. T., 58 vjeç, dhe dy fëmijë të mitur 12 vjeç dhe 11 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Gazetarja Anila Sefa raporton se paraprakisht shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë errësira në rruge. Mjeti bujqësor nuk lejohet të futet në këtë aks, ndërsa mjeti me targa italiane nuk e ka parë dhe i ka rënë nga pas zetorit./tvklan.al