Nga 1 tetori rikthehet faturimi i energjisë me dy fasha

3 Minuta Lexim

Nga 1 tetori konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovat/orë energji elektrike në muaj, mbi këtë sasi do të faturohen me vlerën e tregut.

“Fasha mbi 800 do të fillojë të konsiderohet me çmimin e tregut. Zbatimi, synimi jonë është që të fillojë më 1 Tetor”.

Por ministrja e Energjetikës Belinda Balluku në një intervistë për konfirmon se qeveria nuk ka asnjë plan për të rritur çmimin e energjisë për konsumatorët e tjerë familjarë si dhe biznesin e vogël, pavarësisht se çmimi me të cilin blihet energjia në bursat ndërkombëtare ka kaluar dhe parashikimet më ogurzeza.

“Kemi pasur një parashikim për Gushtin, do të arrinte diku deri tek 340 Euro, ndërkohë që sot në Baselock është 616”

Po ashtu ajo siguron se nuk ka asnjë plan për ndërprerje të planifikuar të energjisë.

Në terren për të ndaluar abuzimet si nga konsumatorët familjare ashtu dhe bizneset do të zbresë për kontrolle një task-forcë që do të drejtohet nga vetë ministrja e Energjetikës.

“Është e domosdoshme në këto momente, si për të vënë në funksion të gjithë eficenën energjetike, duke nisur nga bashkitë tek entitetet private”.

Për një vend si Shqipëria të varur krejtësisht nga rezervat hidrike, mungesa e reshjeve për të katërtin vit rresht e ka bërë situatën në hidrocentrale të vështirë, por Balluku siguron se kaskada është mirëmenaxhuar.

Ajo lajmëron mbërritjen në fillim të Shtatorit në bregdetin e Vlorës dhe të 2 anijeve që janë kontraktuar për t’u marrë me qira për prodhimin e energjisë që njihen si termocentrale lundruese.

“Ne presim që të ankorohen në fillim të Shtatorit dhe të jenë  të gatshme për prodhim në Tetor”.

Në pozicionin e zv/Kryeministres, Balluku pohon për hartimin e një pakete tjetër mbështetëse për familjarët dhe bizneset që nuk përballojnë dot rritjen e tejskajshme të çmimeve.

“Padyshim që do të jetë pjesë e të gjithë bisedave të qeverisë dhe të gjithë rishikimet të buxheteve që ne bëjmë herë pas here”.

Pavarësisht akuzave të opozitës, Balluku e vlerëson menaxhimin që po i bëhet krizës energjetike me nota maksimale.

“Të ulërasësh sot dhe të thuash që po keqpërdoret situate, ndërkohë që e dinë dhe fëmijët që megavat/orë shitet me 10-fishin e çmimit. Të ulërasësh sot që kaskada po keqmenaxhohet kur ne jemi në nivelin 275 dhe nuk mbahet mend kur ka rënë shiu i fundit në Kukës”.

Sa i takon Kosovës, ministrja konfirmon që do të vazhdojnë ta mbështesin sipas marrëveshjes së shkëmbimit të energjisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull