Statistikat demografike të Shqipërisë po bëhen gjithmonë e me shqetësuese, me një rekord negativ regjistrimesh nëpër shkollat e vendit, ndërkohë me mbi 10 mijë aplikantë në ato jashtë shtetit, pa përfshirë lajmet ku vetëm ditën e sotme 700 shqiptarë kanë mbërritur ilegalisht në brigjet e Britanisë së Madhe.
Sipas sociologut Gëzim Tushi, situata në vendin tonë nuk duhet bërë me analiza sipërfaqësore dhe as të politizuara.
“E vërtetë që njerëzit duhet të lëvizin, por ne duhet të përqendrohemi te faktorët që çojnë në këtë braktisje që është emergjencë kombëtare”, thotë ai.
Fenomeni i të rinjve është ai më shqetësues.
“Braktisja po bëhet nga mosha të reja dhe njerëz të shkolluar, me specialitete të rëndësishme. Nuk është më çështje numrash. Magneti i Perëndimit është normale që do të na tërheqë gjithmonë, vendi ynë nuk e ka arritur dot stabilitetin për të qenë i admirueshëm për të jetuar, duke parë korrupsionin, nepotizmin, mundësitë. Europës i duhemi, Merkel e tha qartë që me emigrantët po rregullojnë tregun e punës, por ndërkohë ne po pakësohemi dhe plakemi, jemi tashmë një shoqëri me flokë të bardhë”, thotë ai për A2 CNN.
Sipas sociologut, nuk mungojnë paradokset.
“Por edhe andej, në vendet e destinacionit, të rinjtë tonë përballen me situata të vështira, humbje statusi, dhe kthehen në Shqipëri sërish me shpresën e një rifillimi, por mbeten të zhgënjyer për herë të dytë. Pra ato mbeten me valixhe në dorë, me vetëdijen se janë europianë dhe nuk ka pse të mbeten në një vend. Se çfarë bën individi me veten e tij, në një shoqëri globale, asnjë nuk mund ta pengojë por që të bashkëpunojë edhe politika, kjo është pastaj antikombëtare. Shqipërisë i duhet një strategji në të gjitha fushat, ndërkohë që kemi megalomani në politikë por jo kulturë, boll të shihni parlamentin, por zhvillimi i vendit nuk bëhet dot me njerëz mediokër”, analizon Tushi.