Sebastian Zonja
Droni në Zagreb, “blogerat” në Gramsh”
“Trëndafili”, “Sharlatani”, Çekiçi”, “Bualli”, “Drita”, “Xheneriku”… kanë vite që trazojnë orekset e shqiptarëve.
Pak ditë pasi kishte nisur lufta në Ukrainë, mesnatën e 11 marsit, një dron ushtarak i prodhimit sovjetik rrëzohet në Zagreb. Droni u rrëzua në afërsi të një konvikti studentësh dhe nuk pati njerëz të lënduar, veç disa makinave.
Nuk munguan memet dhe humori. Kudo nëpër faqe të ndryshme në Facebook gjeje nga një koment për pafuqinë e armatimit sovjetik. Ndërkohë, në një konferencë për shtyp, presidenti kroat, Zoran Milanoviç, tha se ky dron fluturoi mbi Kroaci rreth 7 minuta, teksa e cilësoi “incident serioz” dhe se do të trajtohet si i tillë.
Menjëherë, kjo ngjarje e veshur me mister, tërhoqi vëmendjen e shërbimeve sekrete. Ukraina dhe Rusia mohuan çdo lidhje me dronin ushtarak. Qeveria kroate pyeti qeverinë e Ukrainës nëse droni u përkiste atyre, por ata e mohuan. Ambasada ruse në Zagreb mohoi, gjithashtu, çdo lidhje ruse me dronin, ndërsa tha se forcat e armatosura ruse nuk kishin pasur një dron të tillë në arsenalin e tyre që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991.
Trajektorja e dronit ishte – Rumani, Hungari dhe më pas hapësira kroate. NATO tha se “mbrojtja e integruar ajrore dhe raketore e NATO-s ndoqi rrugën e fluturimit të objektit që përfundimisht u rrëzua në Zagreb”.
Analistë seriozë të strategjive ushtarake shkruan komente mbi këtë rast. Nuk i gjeje dot kollaj, sepse mainstreami të mbyt në këto raste. Ata që janë të fushës dhe i dinë gjërat, shkruajnë rrallë. Një ndër komentet më interesante që lexova thoshte se ky ishte një mesazh rus për amerikanët. Si e argumentonte:
Rusët kishin nisur një dron në hapësirën e NATO-s për t’i treguar aleatëve se mbrojtja e përbashkët ajërore nuk është efektive. Pak vite më parë, në 2016-ën, amerikanët ndezën në Rumani sistemin antiraketor duke i “nevrikosur” rusët. Pikërisht ky dron sovjetik që fluturoi mbi kokat e rumunëve, hungarezëve dhe kroatëve ishte një shenjë për të treguar se “ne jemi këtu”. Mesazhi ishte për amerikanët në radhë të parë, më pas për kroatët. Pas pak ditësh vumë re një vëmendje të shtuar amerikane për krahun lindor të NATO-s, aq sa vetë presidenti Biden do të mbërrinte në Poloni, fronti i parë NATO në luftën në Ukrainë.
Mesnatën e 20 gushtit, në vendin tonë, u ndaluan disa të dyshuar për spiunazh. Ata ndodheshin pranë një ish-reparti ushtarak në Gramsh, për të cilin vijnë të dhëna kontradiktore. Banorët thonë se është në punë dhe aty ka aktivitet të përditshëm, zyrtarisht thuhet jo. Menjëherë shpërthyen memet dhe humoret. Kryeministri e cilësoi incident serioz, por duke mos qenë serioz vetë, ja hodhi fajin opozitës për rastin. Nga një çështje serioze, siç e cilësoi edhe presidenti kroat dronin, kryeministri jonë e ktheu në debat publik me opozitën.
Më herët kanë qenë deklaratat e tij apo të gazetarëve afër tij për një opozitë të shitur te Kremlini. S’mund të mungonte një akuzë nga Berisha se Rama është i shituri te Kremlini. Dhe e gjithë kjo situatë serioze u kthye në “histeri” kolektive. E gjitha kjo fal ndihmës së pakursyer së një kryeministri joserioz që vendi i tij aderon në NATO dhe është pjesë e Këshillit të Sigurimit.
Të gjithë e dimë se agjenturat ruse kanë aq aftësi sa t’i marrin materialet për repartin në Gramsh nga njerëz në administratë. Po ashtu, e dimë se serbët, grekët, turqit, italianët … kanë njerëz në administratë, sikundër mund të kenë edhe rusët. Duan të ruajnë interesat e veta në Shqipëri. Sa më i fuqishëm vendi, aq më shumë njerëz paguan. I keni parë se si kanë 30 vjet që spiunojnë njëri – tjetrin nëpër ambasada këta deputetët tanë? – “Trëndafili”, “Sharlatani”, Çekiçi”, “Bualli”, “Drita”, “Xheneriku”… kanë vite që trazojnë orekset e shqiptarëve – 300 vjet në politikë, në biznes, në media… kudo.
Kam lexuar se shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare do të thoshte në vitet ’90, kur komunistët s’lanë gjë pa thënë pse iku në Francë: “Shkuam me mijëra në Moskë për të studiuar. Mos kujtoni se u kthyen të gjithë të pastër.” E kishte me miqtë e tij që po i hidhnin baltë. Për çfarë papastërtie flet Kadareja? Ata që studiuan në Moskë e Lindje morën edhe poste nën pluralizëm. Fëmijët e tyre gjithashtu morën poste në kulturë, arsim, administartë e të tjerë. Këto agjenturat lindore janë të frikshme, se thonë që punojnë gjatë, me linjë familjare.
Për shembull, zërat janë se njëri nga këta me linjë familjare është shkarkuar nga një post i lartë, me “urdhër” të SHIK-ut, pikërisht se kishte pasur kontakte të papërshtatshme në Egjipt me rusët. Ishte njëri nga këta tipat që merrte 10 eurosha rryshfet kur ishte në konsullatën tonë në një vend fqinj. Thashethemet thonë se e kishte trashëgim nga i ati, komunist nga ata të linjës së ashpër, këtë ves.
Rusët, për sa kohë arrijnë që të ndikojnë në shkallë të gjerë, te politikanë të lartë, për vonesat në dialogun Prishtinë – Beograd, si edhe për vonesën e Shqipërisë për hyrjen në Bashkimin Evropian, sigurisht që kanë mundësi të marrin edhe ca letra nga zyrat përkatëse.
Sot, kur e analizoj, më ngjan se ky “misioni sekret” i këtyre blogerave nuk është për të hedhur në erë uzinën, por që rusët të tregojnë prezencën e tyre. Njëjtë si me Zagrebin, ata po i thonë amerikanëve se janë këtu. Kur përballen titanët, së pari niset duke goditur pikën më të dobët të hallkës, jo më të fortën. Dhe Shqipëria është një hallkë e dobët e NATO-s fal ndihmës së madhe të Majkos si kryeministër që shiti tanket e ç’i doli përpara nga ushtria; Saliut, që për muaj të tërë zbrazi gjithë depot e armatimit për t’i shitur për skrap; Ilirit, që aleati i sotëm Berisha e akuzon se ka vjedhur edhe Thesarin e Shtetit; s’mund të mungonte Rama, që ka estetizuar gjithë periudhën e komunizmit duke e bërë bunkerin antiatomik qendër pelegrinazhi antikomunist.
Përshëndesim gjithë ata që Kremlini u dërgon nga një telegram për raste festash a hidhërimesh.
Përshëndesim edhe ata që Kremlini kërcënon të sjellë trupa speciale këtu, vetëm që të ndihen të qetë në punën e tyre.
Të përndjekurit ishin në burgje e internime, e s’i hynin në punë as dreqit. Ruhuni nga ata që trashëguan pushtetin politik dhe ekonomik, dhe vijojnë ta trashëgojnë edhe sot!
Faleminderit! Juve s’ka pse t’ju rekrutojë asnjë agjenturë. Ju e shembni vet shtetin nën direktivat e kryeministrit serb Pashiq – një vend i vogël, i varfër dhe i kontrolluar nga ne.
11