Florian Marku mbreti i boksit? Trajneri i kombëtares: Sportist Instagrami, turp që ngrihet shteti në këmbë për të dhe jo për kampionët e vërtetë

4 Minuta Lexim

Fitorja e boksierit Florian Marku ndaj meksikanit Miguel Parra dy ditë më parë ka ngritur polemika të shumta në vend.

Pas triumfit për titullin “WBC Silver”, kryeministri Rama vendosi që të zhvillojë një ceremoni pritje për boksierin shqiptar, të njëjtë me pritjen që i bënë atletes Luiza Gega.

Kjo ka sjellë reagime të shumta nga fusha e boksit, ku trajneri i ekipit kombëtar, Sead Bushati ka shpërthyer në kritika ndaj qeverisë dhe ndaj vetë Florian Markut.

Përmes një postimi në Facebook, Bushati thotë se Marku është një sportist që dhuron “shoë” dhe spektakël për rrjetet sociale, ndërsa ka shumë boksierë të tjerë shqiptarë që janë kampionët e vërtetë.

Bushati sjell në vëmendje boksierin Alban Beqiri i cili u rendit i treti në botë dhe u shpall kampion Ballkani. Sipas tij, qeveria është ngritur në këmbë për të pritur Florian Markun, ndërsa Alban Beqirin nuk e pranuan as ta takonin në zyrë.

Postimi i Sead Bushatit:

Duke iu referuar ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Florian Markut dhe boksierit meksikan  Miguel Parra, si specialist i ketij sporti, Dr. Shkencash, Pedagog në UST, dhe trajner i Ekipit Kombetar, nuk mund të rri pa sqaruar sportdashësit shqiptar mbi hipërbolizimin e kësaj ndeshje, e cila per hir të së vërtetës la shumë për të dëshiruar.  Ndeshja u dominua nga boksieri meksikan paçka se u fitua nga Marku.

Në disa media dhe portale thuhet se Florian Marku është boksieri më i mirë shqipëtar, ndaj mora iniciativën të bëj këtë sqarim dhe të vendos meritën aty ku duhet.

Shqipëria ka sportistë të cilët qëndrojnë shumë më lart se Florian Marku. Boksieri Alban Beqiri shkroi historinë e boksit shqiptar në Beograd, duke u renditur i treti në Botë dhe Kampion Ballkani.

Boksieri Denis Nurja, kampion Ballkani.

Indrit Laci, nënkampion Ballkani.

Rexhildo Zeneli, nënkamion Ballkani.

Krenar Zeneli, nënkamion Ballkani.

Ariol Zeneli, nënkampion Europe dhe dy herë medalist në Europë.

Jurgen Uldedaj, dy herë medalist Europe, kampion bote në ËBC (Junior).

Aleksandër Ramo dhe Alban Barmeta me karrierë profesioniste.

Duke parë kontributët që boksierët tanë i kanë dhënë Shqipërisë, natyrshëm lind pyetja:

Po Florian Marku çfarë ka dhënë për vendin? A e ka përfaqësuar ndonjëherë vendin në konkurse institucionale ndërkombëtare?

Vetëm show, asgjë më shumë. Ndjehem i keqardhur dhe i pezmatuar që boksierët tanë që ngritën lart flamurin Kuq e Zi dhe na përfaqësojnë denjësisht, nuk u pritën siç u ka hije kur kanë ardhur me medalje ndërkombëtare!

Janë ngritur në këmbë Bashki e Kryeministri për të organizuar një pritje madhështore për Florianin, ndërkohë që për të tretin e botës, z.kryeministër nuk denjoi as ta priste në zyrën e tij.

Alban Beqiri nuk ofron show, nuk ka kohë për shoë se t’ia dalësh për të qenë i treti në botë, duhet mund, duhet punë, shumë punë. 

Miqësisht, kërkoj nga mediat dhe portalet të jenë më të kujdeshëm kur dalin në deklarata të tipit “Mbreti i boksit shqiptar”, për sportistë që nuk e meritojnë, pasi po demotivohen profesionistët e vërtetë.

Të jesh boksier elite në arenën e boksit dhe boksier instagrami e rrjetesh sociale, janë dy gjëra komplet të ndryshme. Le të jemi të gjithë pak më të kujdesshëm dhe të motivojmë rininë drejt vlerave që sjell puna, mundi dhe përkushtimi i vazhdueshëm. 

Rinia jonë ka nevojë për modele, të rinjtë kanë nevojë për përkrahje, që të vijojnë të na bëjnë krenar nëpër gara ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull