“Kemi gati ligjin për sportistët, në shtator do të votohet në Parlament”/ Rama: Do të marrin gradën kolonel! Ja çfarë roli do të kenë në Ministrinë e Mbrojtjes

3 Minuta Lexim

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria shqiptare ka gati ligjin për sportistët elitarë që nderojnë Shqipërinë, të cilëve do u akordohet grada “Kolonel”.

Në ceremoninë e pritjes së boksierit Florian Marku, Rama deklaroi se këta sportistë do të paguhen nga Ministria e Mbrojtjes deri në daljen në pension.

Kreu i qeverisë sqaroi se sportistët do të jenë në rolin e mentorëve për forcat ushtarake shqiptare, për t’u ushqyer atyre frymën e kampionit.

“Shpërblimet janë përfshirë për kampionët e Ballkanit. E dyta, ne nuk kemi sot shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin kuqezi. Nuk kemi harresa, borxhe të akumuluara siç e gjetëm malin me borxhe.

Nuk kemi më sportistë shqiptarë që kërkojnë fatin gjetkë, që nuk kanë asgjë. Siç ndodhi me kampionin, me Erkandin. Elis Gurin. I cili u detyrua të ngrinte flamurin e Bullgarisë, në 2012-ën.

Nuk ka më gjëra të tilla sepse ka një vendim që i parashikon të gjitha. Çdo sportist mund ta shohë se çfarë i takon, jo vetëm për vendin e parë, por për të gjitha vendet që zën në kampionatet ndërkombëtare. Nuk ka vetëm shpërblime për shqiptarët.

Sot kemi në Ministrinë e Mbrojtjes, për t’i dhënë vazhdimësi nderimit financiar të këtyre njerëzve dhe moral, dhe jo për ta ndërprerë kur ta ndërpresin karrierën, dy kampionet olimpike të Kosovës, Norën dhe Distrian.

Për të ardhur keq, teksa celebronim Luizën, shumëkush derdhte vrerin e një mllefi të verbër duke na treguar se si është braktisur një nënkampion i dikurshëm, Ilir Suli.

Është pjesë e mbështetjes, ai sot është në grupin e sportistëve që punojnë në ministrinë e Mbrojtjes. Dhe një video e një kohe të mëparshme, vazhdon të riciklohet sikur është sot. Shumëçka mund të ishte bërë më mirë. Por këto kanë qenë mundësitë. Teksa rrisim mundësitë, rrisim progresin. Sot kemi një ligj në fazë diskutimi që në shtator do shkojë në Parlament.

Është ligji i propozuar nga Ministri i Mbrojtjes për t’u dhënë grada, sportistëve elitarë si Luiza Gega, Briken Calja etj.

Deri në fund të jetës së tyre, këta të katërt do jenë kolonelë, dhe do paguhen si kolonel. Do të punojnë në një strukturë speciale mentorësh të ushtarëve tanë për t’i ushqyer atyre frymën e kampionit, shpirtin e fituesit, për t’i ushqyer ambicien e suksesit.

Për t’i treguar se të qenit shqiptar dhe përfaqësues i flamurit kuqezi, është një motiv i fortë për të bërë sukses” – tha Rama.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull