SI TA NDJESH PËRKRAHJEN E SHTETIT DHE PARTISË!?

4 Minuta Lexim
Letër nga Shkupi
Në mjediset multi-etnike, siç është Maqedonia e Veriut, megjithatë dihet se kush është i privilegjuar dhe kush trajtohet si i dorës së dytë. Në veçanti kur bëhet fjalë për kulturën. Fatkeqësisht, subjektet politik shqiptar në qeverinë maqedonase, asnjëherë nuk janë marrë seriozisht me problemet e kulturës shqiptare, aq më tepër kur dihet se pikërisht në këtë fushë diskriminimi i shqiptarëve është i dukshëm edhe nëse shikohet prej Hënës.
Nuk ka asnjë peshë insistimi dhe këmbëngulja që në programet vjetore të ministrisë maqedonase të Kulturës, shqiptarët të përfshihen në më shumë projekte, sepse rezultatet kurrë, ama bash kurrë nuk kanë qenë të dukshme. Pra, të insistosh në sasi e të mos kesh cilësi, është vetëm çështje që përdoret për marketing politik dhe asgjë më tepër.
Edhe në ato pak ngjarje kur simbolikisht dhe sa për sy e faqe përfshihen shqiptarët, ekziston një skemë dhe një listë të përpiluar nga maqedonasit me disa emra të “artistëve” shqiptarë, të cilët përdoren vetëm si mburojë e arsyetimit të multi-etnicitetit për çështje të politikës ditore. Kjo është arsyeja e vetme që i “duan” maqedonasit këta “artistë” shqiptarë, të cilët për kulturën shqiptare nuk paraqesin asgjë, por që fatkeqësisht paraqiten si “përfaqësues” të kësaj kulture.
Sukseset e rastësishme të artistëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, gjithnjë e më shumë po bëhen diskutabile, sidomos kur bëhet fjalë për manifestime ndërkombëtare, ku ata (ndoshta edhe pa vullnetin e tyre) e përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut, pikërisht atë Maqedoni, e cila, për shkak se janë shqiptarë jo që suksesin e tyre e hesht, por bëjnë çmos institucionet kompetente kulturore të saja të mos i evidentojnë si sukses.
Një injorim të plotë (e injoruan edhe disa mediume shqiptare) këtyre ditëve po e përjeton filmi i shkurtër “Dance In This Chaos” i regjisorit shqiptar nga Shkupi, Murat Zherka, i cili film triumfoi në Festivalin e Sarajevës dhe pati një prezantim të shkëlqyeshëm në Festivalin e filmit të shkurtë në Lublanë, në Korçë e Strugë. Së fundi është FINALIST në edicionin e 29-të të “International Adana Golden Boll Film Festival”, i cili është një nga festivalet më prestigjioze të filmit në Turqi. Për garën e sivjetmë janë përzgjedhur (nga mijëra filma që kanë aplikuar) vetëm 20 filma nga 12 shtete. Pavarësisht se ky film prezanton Maqedoninë e Veriut, edhe pse kanë trokitur në shumë dyer të institucioneve kulturore (në fakt, protagonistët kryesore të bërjes së këtij filmi u ndihmuan, me aq sa pati mundësi, vetëm nga kryetari Komunës së Çairit, Visar Ganiu), përfshi edhe Ministrinë e Kulturës, në të gjitha festivalet ata kanë shkuar me mjet personale.
Nga ana tjetër është e pakuptueshme që për shënimin e përvjetorëve apo të ndonjë ngjarje margjinale, për koncerte dy-tre orësh, disa këngëtarë të estradës, të cilët vijnë i këndojnë dy –tre këngë, bashkërisht marrin edhe 100 mijë euro. Po t’i vendosim në peshoren e vlerave kulturore, bie fjala filmin e sipër-përmendur në njërën anë dhe në anën tjetër koncertet e shënimit të përvjetorëve, atëherë do të jetë e qartë se cila vlerë ka peshë më të madhe.
Dy janë problemet me të cilat ballafaqohet kultura shqiptare në Maqedoninë e Veriut: injorimi total institucional dhe trajtimi nga prizmi partiak. Pra, autorët e filmit “Dance In This Chaos” do të duhet ta kenë të qartë se të jesh i përkrahu, duhet të jesh maqedonas dhe anëtar i partisë shqiptare në pushtet, pavarësisht se cila është ajo.
/HEJZA/
Karikatura: Agim Sulaj

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull