Nga Vaid HYZOTI
Masakruesit e gjuhës
Identiteti ka nismën nga gjuha. Ne e masakrojmë atë, humbim fytyrën kombëtare të dukshme. Po cilët faktorë po ndikojnë në të vërtete?
Po jap tre shembuj: kur fliste një kryeministër për probleme të ndryshme në vitet e tranzicionit, im atë me pyeste: çfarë thotë? Se më shumë se shqip, ai përdorte idioma anglisht, latine dhe hebraisht! Dhe kjo tashmë të paktën në Shqipëri është modë. Politikanë snobistë, të cekët, kërkojnë dukjen e të diturit dhe në shumë raste me pasaktësi absolute. Pra së pari POLITIKANËT.
Duke jetuar prej 25 vitesh në Amerike ndjek thuajse rregullisht fjalimet vjetore të presidentëve. Një anglishte e pastër, e kuptueshme, pavarësisht se kujt partie i përket presidenti. King english flasin anglezët dhe në Amerikë duhet vëmendje e thellë t’i kuptosh.
Kur në France u vendos me ligj të hiqen gjithë emërtimet e huaja nga dyqanet e bizneset, pati një reagim habie. Ndërsa tashmë është krejt normale dhe u kuptua qëllimi. Po kështu dhe Franca dhe Anglia me propozim të disa gjuhëtarëve deshën të bënin ndryshime në gjuhë që mos të ishte dominant parimi morfologjik, por ai fonetik në të shkruarit e gjuhëve. Sigurisht, u hodh poshtë me argument kryesor se në të dy gjuhet kishte vepra të traditës dhe kulme krijimtarie letrare që nuk mund të rishkruheshin…
Pak ndjek lajme nga Shqipëria, por e vendosa paketën e TV- së me stacione të shumta që të ndihmoja djalin të mësonte gjuhën. Dhe vetë u habita me emërtime ORA NEWS, EURONEWS FOX NEWS etj. Dëgjova një debat për politikën ku fliste një avokat i njohur, e neveritshme: gjysmë për gjysme. Madje, nuk harroi shprehjen e preferuar të konferencave të shtypit të presidentit Trump: “ Fake news”. Ky lloj papagallizimi bëhet më shumë për snobizëm.
Të gjithë të huajt që mësojnë shqip, e flasin gjuhën më mirë se shqiptarët e sotëm të të gjitha trevave. Në letërsinë tonë kemi shembuj të mrekullueshëm të të shkruarit shqip me leksik të plotë e të pastër si Fishta në gegërisht dhe Migjeni, apo mjeshtri Kuteli dhe Lasgushi.
Por, porosita disa botime të disa krijuesve që i kam pasur miq. Më erdhën disa ku po veçoj dy tituj ”Mishelana” dhe tjetra “ Missing person”. Titujt në gjuhë të huaj dhe krijimi shqip! Dhe ishin me mjaft interes , por titujt…
Mund të vazhdoja gjatë. Por, besoj se dalin në pah se nga vjen kjo shkarravitje gjuhësore, ku gjynahqar kryesor janë shtetet ( jo vetëm Shqipëria), por kudo që banojnë shqiptarët, shtypi, krijuesit. Është habi që ka një institut shkencor për gjuhën, por vetëm një drejtor dhe specialst është vetë, dhe roje institucioni, dhe shef dhe vartës vetëm nga paga. Ndërsa Akademia trumbeton anëtarë të rinj të përhershëm a nderi në konkurrencë me parlamentin … ( ah parlamenti ku vetëm humor, madje me të zgjedhur militantë vulgarë, që përdorin një zhargon rrugësh…).