“Rama e di veten absolut si Enver Hoxha”, Ngjela: Duhet të tregonte shkakun pse shkarkoi Gledis Nanon

2 Minuta Lexim

Avokati Spartak Ngjela e shikon si një defekt të kryeministrit Edi Rama, shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, pasi ai e emëroi në këtë post.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Ngjela deklaroi se Rama duhet t’i tregonte opinionit publik, shkakun dhe arsyen që çoi në shkarkimin e Gledis Nanos.

Sipas Ngjelës, ende nuk është bërë e ditur, sesi ka ndryshuar përqindja e kriminalitetit në vend, gjatë 10 muajve që Gledis Nano ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

“Është defekt i kryeministrit, e shkarkoi kryeministri Drejtorin e Policisë dhe nuk i jep arsyen opinionit publik, shkakun. Nuk mund të lejohet, se e shkarkoi, nuk ka dorëheqje. Po të kishte dhënë dorëheqjen ky, do jepte shkakun për dorëheqje. Kryeministri nuk jep shkak, e di veten absolut si Enver Hoxha. Këtu nuk po e kuptojmë dot.

Nuk është ndonjë gjë e rëndë largimi i Drejtorit të Policisë, sepse këta janë në pushtet prej 9 vitesh. Këtu pyetet, si ka qenë kriminaliteti gjatë kohës së tij, në rënie apo në ngritje? Nuk flasin këta, janë memecë. Sa është përqindja e kriminalitetit gjatë kohës që Nano kishte drejtimin? Këtë nuk e dimë”, theksoi avokati.

Gledis Nano u shkarkua të mërkurën nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi pas mbledhjes së qeverisë.

Për momentin detyrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, do i ushtrojë nën-drejtori i Përgjithshëm, Tonin Vocaj.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull