“KUSH E SOLLI DORUNTINËN” I KADARESË -NDRYSHIMI I BESËS FALSE NGA BESA E VËRTETË

12 Minuta Lexim
Roberto Martiko
“KUSH E SOLLI DORUNTINËN” I KADARESË -NDRYSHIMI I BESËS FALSE NGA BESA E VËRTETË
Duke filluar nga vetë Homeri, sidomos në Rilindjen Evropiane, dhe deri te autorët e sotshëm perëndimorë, nuk mund të konceptohet një prozë letrare pa pjesën e saj lartësuese. Përndryshe është sikur autori të ketë rrahur ujë në havan. Libri edhe me 500 faqe, pa pjesën ndriçuese, është baras me një faqe të vetme, pa kuptim. Është akoma më keq kur pjesa gjoja lartësuese trajtohet me padituri. Pasi jo vetëm nuk ndriçon lexuesin por e mban përjetësisht në errësirë. Pikërisht nga kjo vuajnë gjithë veprat e Ismail Kadaresë, pa përjashtim. Në një botë moderne me logjikën e të mençurit dhe jo të trutharit-idiot, klasik, kush të ketë argumente, le të më kundërshtojë.
Në tregimin me karakter fiktiv “Kush e pruri Doruntinën”, autori ka krijuar një lloj tipi hetues-torturues-mesjetar, të quajtur Stres që, sipas fjalëve të tij, Besa mund të ndryshojë fatin e një vendi. Nëse në gjithë Historinë e Njerëzimit, deri më sot, dikush do të mund të zbulonte qoftë dhe një vendi të VETËM, të kësaj natyre, diku në botë, do të ngjallte mjaft interes për të mësuar. Vetë shoqëritë e rilindura perëndimore, të cilat paraqesin një eksperiencë konkrete, të prekshme, jo çmenduri me karakter utopik, mundën të dalin nga ferri mesjetar i vetvetes, jo nëpërmjet Besës por nëpërmjet ndjenjës së Lirisë
Janë krejtësisht të tjera kriteret logjike që gjigantët më të mëdhenj të mendimit perëndimor arritën, me idetë e tyre gjeniale, të ndryshonin botën në Perëndim. Nëse dikush mendon se të mirat për shoqërinë mund të bien si dhurata të papritura nga qielli, apo të lindin nga Asgjëja, është kokë e këmbë i gabuar, i mbyllur përjetësisht në shpellën e tij të mendimit, karakteristikë tragjike për vetë territoret e sotshme të Bizantit, që përmendet te “Doruntina”.
Është pikërisht ndjenja e LIRISË, në kohë paqeje ajo që bëri dhe bën mrekulli në ndryshimin e shoqërisë humane, kur arrin të kuptohet. Në vendet që nuk kanë idenë e Rilindjes Shpirtërore, porsa mbaron një luftë me armiq të jashtëm, fillon brenda vendit lufta e mirënjohur civile, nga e cila nuk ka shpëtim në jetë të jetëve. Përse vallë ndodh një gjë e tillë!… Konkretisht, liria e Skënderbeut, duke mbaruar misionin e saj të çmuar, gjen krejtësisht të pamundur realizimin e asaj Lirisë tjetër, çudibërëse, të një Nënë Tereze në kohë paqeje, e predispozuar për fisnikëri shpirti, e kushtëzuar jo vetëm nga përkujdesja për njeriun e afërt e të njohurin, por edhe për të panjohurin. Ky është gjithë thelbi i kërkuar për një shoqëri të rilindur moderne, të bazuar në individualizmin e përgjegjshëm.
Kjo temë, prej pothuajse 150 vjetësh, është përfundimisht e zgjidhur për mendimin e kualifikuar filozofik, botëror. Dostojevski nuk ishte filozof por një shkrimtar i madh, i jashtëzakonshëm, të cilin filozofia e përdor dhe sot e kësaj dite lidhur me temën e Lirisë, si kusht themelor për ndryshimin e njeriut. Shkrimtari i mësipërm e trajton këtë temë me mjaft vlerë te tregimi i “Inkuizitorit të Madh”, te romani i tij i famshëm: “Vëllezërit Karamazov”. Pra është pikërisht Liria shpirtërore ajo që krijon kulturë, qytetërim e shoqëri për së mbari.
Lidhur me temën e besës, (besnikërisë), Liria i paraprin ose, më mirë, është kusht për arritjen e saj. Veçse jo në çfarëdo lloj kushtesh! Pikërisht këtu qëndron gjithë problemi i kuptimit në thellësi të gjërave, jo fishekzjarrë pa pik kuptimi, në trajtën e një Stresi gjysmak-torturues-mesjetar, që te “Doruntina” nuk ka idenë e gjërave.
Besa me prejardhje nga Liria nuk është kurrsesi bindje pa mendim të brendshëm. Pasi, vetë njeriu është një qenie e dobët, delikate, që deri sa vdes kërkon orë e çast vërtetim nga vetvetja. Janë tjetër lloj brumi gjigantët e rrallë të karakterit, të matur me gishtërinjtë e duarve, që ruajnë besën edhe në zemër të flakëve të Ferrit. Një shkrimtar, që nuk njeh sekrete kaq të thjeshta, elementare, është sikur të dojë të bëjë petulla me ujë.
Besa në radhë të parë është lidhje e brendshme shpirtërore që bashkon njeriun me njeriun, nëpërmjet një zgjedhjeje të lirë. Nuk mund të lindë kurrsesi në zemër të grupit mesjetar, as në kope e hordhi, dhe sidomos në diktatura, ku mbizotërojnë gjithfarë servilësh e sahanlëpirësish. Besa është aftësia për të dëgjuar fillimisht zërin e brendshëm, për të krijuar vetveten e munguar e më pas mund të ketë vlerë për vetë jetën e vërtetë, me përmbajtje. Besa nuk është prerje gishti me biçak, pirje gjaku në sasi të vogël, simbolike, ndërkohë që ndërgjegjja mbetet një brashnjë primitive, mesjetare. Te “Doruntina”, Stresi sharlatan, edhe predikon besën edhe vendos njerëzit në tortura, që të kujtojnë tamam kohën e bukur heroike, që jetoi vetë Kadareja
Besa ndërtohet mbi një strukturë dialoguese me vetveten. Gjithnjë nën dritën e Lirisë shpirtërore e të shpresës! Dhe jo në trajtën të vdekurit-lugat, të ngritur nga varri, si Konstandini, që në thelb, në bazë të filozofisë së ëndrrave, paraqet gjithë tragjedinë e Mesjetës, dhe para saj: në Kohën e Babilonisë, me njeriun jo të rilindur, pa aspirata, pa shpresë, mbushur me luftëra pa kuptim, rob i epokës së tij mizore. Besa është edhe imazhi i vetë njeriut dhe i marrëdhënies së tij me të mirën Absolute, që ende Mesjeta, jo vetëm në zonat e Bizantit por edhe në Evropë e konceptonte në mënyrën më tragjike. Është një tragjedi që jashtë Perëndimit, arrin deri më sot. Është Rusia e sottshme. Për këto gjëra kaq elementare Kadareja nuk ka idenë as sot e kësaj dite, ndonëse jeton prej tridhjetë vjetësh në Paris, në vetë të ashtuquajturin “Qyteti i Dritës”.
Besa është një akt lirie që buron nga brenda njeriut, një akt që nuk mund të arrihet me asnjë forcë të jashtme dhe jo më nga fjalët e një Stresi gjysmak e qesharak. Besa nuk krijohet në kushte thirrjesh forcash errësire, të dala nga vetë zemra e Diktaturës shqiptare. Nuk është detyrim dhe nuk mund të imponohet. Besa lind si një dëshmi lirie shpirti. Përmban sekretin e rilindjes e rinovimit të vijueshëm, pa qenë nevoja individi të kapë përsosmërinë. Pa Liri nuk ka besë por vetëm akte të pastra kanibalësh. Besa drejtohet gjithmonë drejt së mirës, madje edhe nëse tjetri ka gabuar. Ajo ofron shpresën se gjithçka mund të ndryshojë e të përmirësohet.
Besa është edhe heroike si ajo e atyre të rrallë të burgosurve në diktaturë, fare-fare të paktë, të cilët nuk u kthyen në kohën e komunizmit. Më kujtohet Dilaver Premti nga Vlora që, kur u arrestua për herë të dytë Lavdosh Bequa, në Akërni, më tha në mirëbesim: “Nuk më vjen keq që mund të më arrestojnë përsëri edhe mua, por nuk e di nëse do të rezistoj për herë të dytë në hetuesi, si babai yt, Dinua, për të mos prerë në besë të njohurit e miqtë e mi” -Pra kjo është besa e rrallë e individëve të rrallë, jo e pleshtave sahanlëpirës, të paditur, majmunë të mësuar, të admiruar nga Njeriu i Ri Socialist, që ata vetë krijuan.
Ndërsa në masë, duke iu referuar në mënyrë krahasuese shoqërive të rilindura perëndimore, vetëm njeriu i lirë beson se tjetri është i aftë të kuptojë besnikërinë dhe të mirën. Është pikërisht shpresa që i jep i jep kuptimin dhe formën përfundimtare besës si aspiratë për të mirën humane. Shpresa zbulon një dimension tjetër besnikërie, që lidhet me fjalën “përgjegjësi”.
Besa është edhe mënyra për të ruajtur identitetin e traditën e shumëfolur. Veçse kujdes me temën e traditës. Kjo bëhet pasuri vetëm nëpërmjet mendimit intelektual të kualifikuar. Hap Kohën e Mbyllur kur merr përsipër të kryejë dy lëvizje njëkohësisht. Njëra lëvizje ruan pjesët më të mira, të filtruara të saj dhe tjetra tenton të hapet drejt botësh e qytetërimesh të arrira, të rilindura. Matanë gjuhës, kostumeve kombëtare, muzikës, etj. ka traditë më të tmerrshme e më thelbësore nga vëllavrasja! Njerëz të kësaj natyre mesjetare, me celularë e teknologji moderne në duar, qarkullojnë edhe sot e kësaj dite në masë, të molepsur e hajdutë të korruptuar deri në palcë.
Pikërisht fjalët e mësipërme, rreth Lirisë e Besës, nuk duhej të dilnin nga goja e Stresit?.. Në vend të këtyre fjalëve ndriçuese hetuesi-mesjetar këput një broçkull të madhe se “Arbëri” duhet të ruhet edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja. Është diçka që të kujton fjalët qesharake të Ramiz Alisë, në përpjekje për të ruajtur diktaturën vëllavrasëse, deri sa erdhi çasti që shqiptarët vërshuan në Perëndim për të rregulluar gjendjen e tyre ekonomike në atë trajtë të mjeruar, e cila u pagëzua me termin historik: “boat-people”.
Çuditërisht Stresi në vend të shkarkojë gjithë esencën e mendimit filozofik rreth lirisë që ndërton një shoqëri të re, bën fjalë në mënyrën më të fantaksur për fillime përpunimesh në thellësi strukturash sublime, si besa. Në fund autori e zhduk Stresin nga qarkullimi si mi muresh. Pa pjesën e domosdoshme lartësuese të shkrimit!
Prandaj ka rëndësi jetike për një shkrimtar, piktor, muzikant, etj. të ketë njohuri filozofike. Gjërat në një vend tragjik si Shqipëria, ku vetë protagonistët e realizmit Socialist, me ushqimin e helmuar materialist, gjysmë-shekullor, kthyen kohën e shoqërisë shekuj të tërë pas, nuk mund të korrigjohen pa dalë nga shpella e mendimit, të një marksizmi që la mendimin gërmadhë kaluar gërmadhës.
Bëhet fjalë për vetë shoqërinë shqiptare që me naivitet pret të mira nga politikanët e korruptuar, ndërsa është pikërisht vetë mendimi intelektual i rigjeneruar, i rinovuar, i rilindur, që duhet të marrë situatën në dorë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull