Gjashtë muaj luftë: Çfarë kërkonte dhe çfarë ka arritur deri tani Vladimir Putin?

12 Minuta Lexim

Në orët e para të mëngjesit të ditës së parë të luftës më 24 shkurt, presidenti rus Vladimir Putin përcaktoi objektivat e “operacionit special” të Rusisë në Ukrainë si “mbrojtja e banorëve në Donbas, çmilitarizimin dhe denazifikimine Ukrainës” dhe “nxjerrje para drejtësisë të atyre që kanë kryer krime të panumërta të përgjakshme”.

Duke e vazhduar traditën sovjetike – pushtimi i Çekosllovakisë në gushtin e vitit 1968 dhe Afganistanit në dhjetor 1979 – Putin tha se ai kishte “vendosur fillimin e një operacioni ushtarak special” në përgjigje të një kërkese nga udhëheqësit e rajonit të Donbasit. Dhe ai theksoi se “Rusia nuk ka plane për të pushtuar territoret ukrainase”.

Dy muaj e gjysmë më vonë, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov e komplimentoi publikisht shefin e tij, duke thënë se operacioni ushtarak special synon “t’i japë fund zgjerimit të pamatur të dominimit total të SHBA-së”. Katër muaj më vonë e korrigjoi Putinin: “Tani  objektivat gjeografikë të operacionit special kanë ndryshuar. Nuk janë vetëm republikat popullore të Donbasit dhe Luhanskut, por edhe një sërë territoresh të tjera”.

Dhe një nga gjeneralët deklaroi se “kontrolli mbi jugun e Ukrainës është një rrugë tjetër për në Transnistria, një enklavë e shkëputur nga Moldavia dhe e mbështetur nga Rusia, ku ka prova të shtypjes së popullatës rusisht-folëse”.

Por çfarë ka ndodhur në realitet? Gjatë këtyre 6 muajve luftë, Ukraina ka marrë armët më moderne të prodhimit perëndimor me vlerë dhjetëra miliarda dollarë. Vetëm dërgesa e fundit, me sistemet e mbrojtjes ajrore, raketat tokë-ajër, radarët dhe artileria nga ana e qeverisë amerikane ka një kosto prej 2.98 miliardë dollarësh.

Po me “denazifikimin” e Ukrainës? Duket se askush përveç rusëve nuk ka parë ndonjë neo-nazist, dhe nëse kjo ka ndodhur ata kanë qenë si numër po aq sa ata që dolën në sheshin Pushkin në Moskës për të kremtuar ditëlindjen e Adolf Hitlerit. Asnjë nga dhjetëra gazetarët nga e gjithë bota që raportojnë çdo ditë zhvillimet nga Ukraina nuk ka takuar ndonjë nazist apo fashist.

A po mbrohet popullsia rusisht-folëse e rajoneve lindore dhe jugore? E ku ka ndodhur kjo? Në qytetin pothuajse plotësisht të shkatërruar të Mariupolit, ku më shumë se 89 për qind e popullsisë e konsideronte rusishten si gjuhën e tyre të folur? Apo në Kharkiv, që është bombarduar pa mëshirë javë pas jave, duke vrarë shumë civilë të pafajshëm, dhe ku 95 për qind e popullsisë fliste rusisht?

Apo mos vallë në Mykolaiv, ku mbi 50 për qind e popullsisë, sipas të dhënave zyrtare, e ka rusishten si gjuhën e saj amtare, dhe që megjithatë po masakrohet nga bombat thërrmuese. Atëherë cila është strategjia e Moskës: grumbullo kufomat e njerëzve që je duke “mbrojtur”?!

Putin deklaroi se qëllimi i operacionit ushtarak synonte rivendosjen e republikave të vetëshpallura Donetsk dhe Luhansk në kufijtë e tyre të vitit 2014. Sot trupat ruse kontrollojnë gati të gjithë rajonin e Luhanskut dhe më pak se 60 për qind të Donetsk. Dhe duke gjykuar nga raportimet nga fronti, kjo situatë nuk do të ndryshojë së shpejti.

Pra, synimi i parë, i dytë dhe i tretë nuk u realizuan. Mos ndoshta me fillimin e kësaj lufte është zhdukur “dominimi i SHBA-së” në Evropën Lindore, ndërsa NATO është larguar nga kufijtë e Rusisë? Sigurisht që jo. Një vit para luftës, në shkurtin e vitit 2021, në kufijtë me Rusinë NATO kishte vetëm 4.650 ushtarë dhe oficerë.

Sot ka pothuajse 10 herë më shumë, 40.000 trupa. Dhe në të ardhmen e afërt, numri i trupave të NATO-s do të shkojë në 300.000. Analistët ushtarakë, thonë se është rritja më e madhe e fuqisë së NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ndërkohë është dyfishuar gjatësia e kufirit midis Rusisë dhe vendeve të NATO-s, nga 1.207 në 2.575 km, pasi Finlanda dhe Suedia vendosën t’i bashkohen aleancës.

Tani le të ndalemi tek kostot. Sipas shërbimeve sekrete amerikane, humbjet e pakthyeshme të ushtrisë ruse në 6 muajt e parë të luftës arritën në 70.000-80.000 trupa: ose 15.000-20.000 të vdekur (gjatë 9 viteve dhe 2 muajve të luftës në Afganistan u vranë rreth 15.000 ushtarë dhe oficerë sovjetikë), dhe 60.000 të plagosur dhe të kapur rob (në Afganistan pati vetëm rreth 35.000).

Po ashtu gjatë kësaj kohe ushtria ruse ka humbur 3000-4.000 tanke dhe transportues të blinduar. Ajo ka përdorur thuajse të gjitha armët me saktësi të madhe, ndërsa nuk ka mundësi të prodhojë raketa të reja pasi për shkak të sanksioneve nuk mund të furnizohet dot me mikroçipe dhe gjysmëpërçues.

Mungesa e pajisjeve e ka detyruar ushtrinë ruse të kërkojë armë nga jashtë, t’i transferojë ato me anije tregtare nga baza e saj ushtarake në Siri, të blejë dronë nga Irani, dhe madje të marrë në konsideratë ofertën e Koresë së Veriut për të blerë artileri prej tyre.

Edhe më e rëndë është situata me burimet njerëzore. Për shkak të humbjeve të rënda në front, Rusia po kryen një “mobilizim vullnetar”. Sipas vlerësimeve të ndryshme, 30.000-35.000 vullnetarë janë dërguar në kampe trajnimi për t’u dërguar më pas në front.

Ndërkohë, ushtarët po rekrutohen nga burgjet e sigurisë së lartë, duke u vendosur si kontigjent i kompanive private të sigurisë. Në front po dërgohen edhe batalionet që më herët kryenin misione paqeruajtëse në Nagorno-Karabakh, si dhe trupat ruse nga Osetia Jugore e aneksuar de facto nga Gjeorgjia. Çdo ditë lufte po u kushton taksapaguesve rusë rreth 500 milionë dollarë.

Në korrik, statistikat zyrtare të Ministrisë ruse të Financave treguan një deficit buxhetor federal prej 892 miliardë rublash, një rënie prej 22.5 për qind të të ardhurave nga nafta dhe gazi pavarësisht çmimeve të larta të energjisë, dhe një rënie prej gati 30 për qind të të ardhurave nga mbledhja e taksave.

Humbja e pritshme e PBB-së deri në fund të vitit është 8 për qind, me një tkurrje të mëtejshme të ekonomisë gjatë 1 deri 2 viteve të ardhshme. Por këto janë llogaritjet e verës së këtij viti, kur shumë banka private ruse mund të kryejnë ende transaksione me pjesën tjetër të botës, dhe kur Rusia nuk është i shkëputur nga SWIFT.

Por nuk mund të ketë asnjë dyshim se Perëndimi do ta asfiksojë ekonominë ruse përpara se ajo të nisë të rrënohet nga rënia e zhvillimit teknologjik, dhe kompleksi ushtarako-industrial rus nuk do të jetë më një kërcënim për Evropën dhe botën. Një investigim nga gazetarët e “Washington Post”, tregon se qëllimi fillestar i Putinit ishte ta pushtonte gjithë  Ukrainën.

Dhe kjo është e çuditshme, duke pasur parasysh se analistët ushtarakë të Stratfor në vitin 2015 arritën në përfundimin se ushtrisë ruse do t’i duheshin midis 91.000-135.000 trupa vetëm për të pushtuar pjesën lindore të Ukrainës, dhe po aq të tjerë për të mbajtur territoret e pushtuara. Pra gjithsej 182.000-270.000 trupa.

Sot në të gjitha frontet në Ukrainë ndodhen rreth 170.000 ushtarë dhe oficerë rusë, dhe është pushtuar rreth 20 për qind e territorit ukrainas. Një përllogaritje e thjeshtë tregon se Rusisë do t’i duheshin rreth 1 milionë trupa për të pushtuar dhe mbajtur të pushtuar të gjithë vendin.

Në kushtet kur ka dështuar deri tani shumica e synimeve fillestare, çfarë dëshiron Putin në Ukrainë? “Copëzimin e Ukrainës. Mendoj se tani Kremlini është gati të pranojë një statuskuo në kushtet aktuale, pra me 20 për qind të territorit të kontrolluar prej tij”- tha një burim në krye të elitës politike ruse.

Ndodh shpesh të më pyesin se pse në Rusi nuk ka protestë të mëdha kundër luftës. U përgjigjem duke u kujtuar se me shumë se 16.000 persona janë arrestuar dhe burgosur, ndërsa janë hapur mbi 20.000 çështje penale. Gati çdo ditë, ato pak portale që i kanë mbijetuar mbylljes raportojnë për arrestimin e njerëzve që guxojnë të dalin në rrugë me bluza me sloganin “Jo luftës!”.

Shumë të tjerë ngurojnë të flasin pasi kanë frikë se mos humbasin punën. Një arsye tjetër është mungesa e drejtuesve. Disa figura opozitare si Alexei Navalny, Ilya Yashin, Vladimir Kara-Murza ndodhen në burg, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u larguan nga Rusia që javët e para të luftës.

Së fundmi, një rol me rëndësi luan edhe kufizimi i qasjes tek informacioni i pavarur. Që nga fillimi i luftës, Prokuroria e Përgjithshme dhe gjykatat kanë bllokuar rreth 7000 faqe interneti në bazë të ligjeve për censurën ushtarake; kanë mbyllur pa përjashtim të gjitha masmediat e pavarura, qendrore dhe rajonale, agjencitë.

Qindra fondacione; dhe redaksi të tëra mediatike kanë emigruar nga vendi. Qindra politikanë, gazetarë dhe figurave të tjera publike janë damkosur si “agjentë të të huajve”. Gjithsesi këto kohë është shtuar ndjeshëm shkarkimi i VPN, që i lejon të kenë qasje tek shumë uebsajte të huaja lajmesh.

Askush nuk mund ta parashikojë se si do të evoluojë situata politike në Rusi. Disa mendojnë se regjimi do të bjerë maksimumi deri në pranverën e vitit 2023. Të tjerë parashikojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të represionit gjatë muajve të ardhshëm, dhe janë të bindur se regjimi ka mjaftueshëm fuqi për të mbijetuar edhe për 10 vite të tjera.

Ata këmbëngulin se zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024 por edhe ato që do të pasojnë nuk do të ndryshojnë asgjë. Unë nuk jam dhe aq e sigurt. Nuk besoj se klasa sunduese e Putinit, e cila përbëhet nga milionerë dhe miliarderë, e mësuar të fitojë para në Rusi dhe t’i shpenzojë ato në të gjithë botën, do të pranojë të jetojë dhe të vdesë në një kafaz. Por do të presim dhe shohim se çfarë do të ndodhë./ Përktheu: abcnews.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull