Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, zv.kryeministrja Belinda Balluku në një komunikim për mediat tha se nesër qeveria do të prezantojë paketën e re për energjinë që do të aplikohet nga 1 tetori.
E pyetur në lidhje me deklaratën që Rama dha disa ditë më parë për ndërprerjeje të energjisë elektrike pas orës 22:00, Balluku sqaroi se qeveria nuk ka në plan të ndërpresë energjinë elektrike.
“Nuk më rezulton që të ketë masa për ndërprerje të energjisë pas orës 22:00 sepse do të ishte masë emergjence shumë e madhe. Nuk ndodh kjo. Pas orës 22:00 kërkohet ndërprerja e ndriçimit publik.
Gjermania e ka aplikuar këtë dhe do të thoja që aplikimi i ndriçimit publik i njësive tregtare dhe gjithçkaje tjetër ndodh nga ora 4 pasdite deri në orën 10 të darkës. Vetëm ai interval lejohet të ketë drita të ndezura. Flasim për ambiente publike. Pas atij momenti fiken dritat deri të nesërmen në orën 4 pasdite.
E ka nisur Gjermania, por e aplikojnë edhe shtete të tjera. Është pjesë e paketës së kursimit të energjisë. Nesër me kryeministrin do të bëjmë prezantimin e paketës së energjisë përsa i përket edhe fashës 800 KWH që do të nisë nga 1 tetori dhe disa masa drastike që do të marrim në vazhdim”, tha Balluku.